Pushtetet lokale në Kosovë nga buxhetet e tyre për vitin kalendarik mund të planifikojnë 73 milion euro për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja pune.
Njëri ndër presidentët më të suksesshëm të SHBA-ve Bill Klinton, si një demokrat i ri qeverisi me vendin me orientimin programor drejt rolit aktiv të institucioneve qeveritare. Ai theksonte bindjen se këto institucione kur është e nevojshme, duhet të ndërhyjë për të qeverisur ekonominë dhe për të siguruar programe sociale për njerëzit. Krijimi i vendeve të reja të punës dhe zvogëlimi i deficitit buxhetor ishin rezultatet impozante të kësaj politike të Klintonit, e cila do të kishte vend zbatueshmërie në Kosovë pa frikën se kjo përzierje të renditë si pozicion të së majtës politike. Ne si shoqëri vërtetë duam shumë për vendin tonë, por dijmë e japim pak për të, andaj jemi shumë më pak nga ajo që mund të ishim. I duam ndryshimet, por nuk jemi të zënë në punë e programe duke i kërkuar ato. Politika në Kosovë duhet të rikthehet si termë mbizotëruese me mbijetesën apo mënyrën e rritjes së cilësisë së jetës së qytetarit dhe rreth këtyre çështjeve të ketë diversitete programore. Bashkëjetesa mes individit, komunitetit dhe autoritetit e bëjnë çelësin e veprimit racional të këtij kapërcimi kualitativ politik në vend të skepticizmit dhe mosbesimit.
Në Kosovë jemi në prag të ndërrimit të motmoteve, gjersa këto pushtete lokale gjithashtu janë në mundim e sipër të përcaktimeve prioritare të shpenzimeve buxhetore të njohura si investimet kapitale për vitin vijues. Këto pushtete realisht janë të gjitha në fazën e përmbylljes së këtyre investimeve emergjente si rregullime të infrastrukturës etj. Ideja ime koncepton në atë që gjysma e këtyre buxheteve komunale të planifikuara për investime kapitale të orientohen në zhvillimin ekonomik dhe hapje të vendeve të reja pune. Të kategorizuara në tri nivele të forcës buxhetore të këtyre komunave të kësaj natyre, pushtetet lokale në Kosovë nga buxhetet e tyre për vitin 2017 mund të planifikojnë 73 milion euro për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja pune.
Bashkëjetesa mes publikes e privates, udhërrëfyes i zhvillimit ekonomik
Raportet mes autoritetit lokal, qytetarit dhe komunitetit duhet të evolojnë edhe më shumë dhe gjithnjë në favor të komunitetit. Qytetarët duhet të kenë cytje për të vepruar, të jenë proaktiv në ndërmarrje të iniciativës dhe shprehjës së sienergjisë, veçanërisht në bizneset prodhuese dhe bujqësi. Zhvillimi ekonomik rural mund të ec vetëm me qasje të tillë, e ai është kusht për të pasur zhvillim urban të qëndrueshëm. Derdhja e 73 milionëve nga pushtetet lokale në vit për këto qëllime me të vërtetë hap kapitull të ri për Kosovën dhe komunat e saja në funksion të zhvillimit ekonomik dhe programit social të hapjes së vendeve të reja pune. Mbështetja buxhetore e bizneseve prodhuese lokale dhe financimi i programeve të komunitetit rural në bujqësi janë hapa që iu duhen pushteteve lokale për të ndërruar gjendjen dhe hapur perspektivën zhvillimore. Ka dy forma të mundshme të derdhjes së këtyre mjeteve, qoftë përmes financimit direkt nga pushtetet lokale të një programi prodhues zhvillimor apo zgjerimi të kapaciteteve të këtyre bizneseve apo edhe formës së kreditimit afatgjatë dhe pa kamatë. Në të dy rastet e mundshme, nevoja e krijimit të agjencive të specializuara apo zyrave lokale të financimit e kreditimit do të jetë e domosdoshme. Thonë që suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë. Vërtetë ne si shoqëri duhet të jemi të zënë shumë duke e kërkuar atë, jo si individ, por si grup, shoqëri e organizuar dhe me përplot vullnete. E bëjmë për vendin tonë. Në komunën nga vie unë, disave nga bizneset prodhuese, ideja e tillë u duket interesante dhe shumë joshëse, madje pronarët e tyre thonë se injeksioni i tillë financiar u ndihmon të zgjerojnë kapacitetet e tyre prodhuese dhe hapje të mëdha të vendeve të reja të punës. Gjersa për ide e projekte të zhvillimit rural dhe financimit të tyre me të vërtetë ka me bollëk.