Pushtetet lokale në Kosovë nga buxhetet e tyre për vitin kalendarik mund të planifikojnë 73 milion euro për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja pune.
Njëri ndër presidentët më të suksesshëm të SHBA-ve Bill Klinton, si një demokrat i ri qeverisi me vendin me orientimin programor drejt rolit aktiv të institucioneve qeveritare. Ai theksonte bindjen se këto institucione kur është e nevojshme, duhet të ndërhyjë për të qeverisur ekonominë dhe për të siguruar programe sociale për njerëzit. Krijimi i vendeve të reja të punës dhe zvogëlimi i deficitit buxhetor ishin rezultatet impozante të kësaj politike të Klintonit, e cila do të kishte vend zbatueshmërie në Kosovë pa frikën se kjo përzierje të renditë si pozicion të së majtës politike. Ne si shoqëri vërtetë duam shumë për vendin tonë, por dijmë e japim pak për të, andaj jemi shumë më pak nga ajo që mund të ishim. I duam ndryshimet, por nuk jemi të zënë në punë e programe duke i kërkuar ato. Politika në Kosovë duhet të rikthehet si termë mbizotëruese me mbijetesën apo mënyrën e rritjes së cilësisë së jetës së qytetarit dhe rreth këtyre çështjeve të ketë diversitete programore. Bashkëjetesa mes individit, komunitetit dhe autoritetit e bëjnë çelësin e veprimit racional të këtij kapërcimi kualitativ politik në vend të skepticizmit dhe mosbesimit.
Në Kosovë jemi në prag të ndërrimit të motmoteve, gjersa këto pushtete lokale gjithashtu janë në mundim e sipër të përcaktimeve prioritare të shpenzimeve buxhetore të njohura si investimet kapitale për vitin vijues. Këto pushtete realisht janë të gjitha në fazën e përmbylljes së këtyre investimeve emergjente si rregullime të infrastrukturës etj. Ideja ime koncepton në atë që gjysma e këtyre buxheteve komunale të planifikuara për investime kapitale të orientohen në zhvillimin ekonomik dhe hapje të vendeve të reja pune. Të kategorizuara në tri nivele të forcës buxhetore të këtyre komunave të kësaj natyre, pushtetet lokale në Kosovë nga buxhetet e tyre për vitin 2018 mund të planifikojnë 73 milion euro për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja pune.
Bashkëjetesa mes publikes e privates, udhërrëfyes i zhvillimit ekonomik
Raportet mes autoritetit lokal, qytetarit dhe komunitetit duhet të evolojnë edhe më shumë dhe gjithnjë në favor të komunitetit. Qytetarët duhet të kenë cytje për të vepruar, të jenë proaktiv në ndërmarrje të iniciativës dhe shprehjës së sienergjisë, veçanërisht në bizneset prodhuese dhe bujqësi. Zhvillimi ekonomik rural mund të ec vetëm me qasje të tillë, e ai është kusht për të pasur zhvillim urban të qëndrueshëm. Derdhja e 73 milionëve nga pushtetet lokale në vit për këto qëllime me të vërtetë hap kapitull të ri për Kosovën dhe komunat e saja në funksion të zhvillimit ekonomik dhe programit social të hapjes së vendeve të reja pune. Mbështetja buxhetore e bizneseve prodhuese lokale dhe financimi i programeve të komunitetit rural në bujqësi janë hapa që iu duhen pushteteve lokale për të ndërruar gjendjen dhe hapur perspektivën zhvillimore. Ka dy forma të mundshme të derdhjes së këtyre mjeteve, qoftë përmes financimit direkt nga pushtetet lokale të një programi prodhues zhvillimor apo zgjerimi të kapaciteteve të këtyre bizneseve apo edhe formës së kreditimit afatgjatë dhe pa kamatë. Në të dy rastet e mundshme, nevoja e krijimit të agjencive të specializuara apo zyrave lokale të financimit e kreditimit do të jetë e domosdoshme. Thonë që suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë. Vërtetë ne si shoqëri duhet të jemi të zënë shumë duke e kërkuar atë, jo si individ, por si grup, shoqëri e organizuar dhe me përplot vullnete. E bëjmë për vendin tonë. Në komunën nga vie unë, disave nga bizneset prodhuese, ideja e tillë u duket interesante dhe shumë joshëse, madje pronarët e tyre thonë se injeksioni i tillë financiar u ndihmon të zgjerojnë kapacitetet e tyre prodhuese dhe hapje të mëdha të vendeve të reja të punës. Gjersa për ide e projekte të zhvillimit rural dhe financimit të tyre me të vërtetë ka me bollëk.
Pse në Kosovë të gjithë e synojmë arkën e shtetit?
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sapo një i ri që kalon fazën e miturisë dhe kryen një shkollim të mesën profesional, ai mendon që me dijen e fituar të pasurohet duke hapur biznesin, kryesisht prodhues as shërbyes të vetin. Nga shteti ai nuk kërkon asgjë tjetër përveç se të mos e pengoj në iniciativën e tij dhe t’ia mbroj prodhimin e tij apo frytin e punës së tij, të cilën e kishte zotëruar gjatë shkollimit profesional të mesëm të kryer e që nuk kishte shprehur dëshirë për vazhdim të këtij shkollimi. Këta të rinjë nga shkollimi i tyre i mesëm, që në moshën 18 vjeçare aftësohen për fusha shumë të ngushta prodhuese, madje edhe ushtrim të zejeve prodhuese dhe faktikisht bëhen të aftë në ndërmarrje të iniciativave të reja dhe pavarësimit ekonomik të tyre. Tek ne ndodh e kundërta, pasi pjesa dërrmuese e këtyre nxënësve që kryejnë shkollimin e mesëm profesional nuk përgatiten për të qenë të aftë që në diçka të jenë të specializuar për t’i shërbyer vetës dhe shoqërisë.
Shpëtimin e kërkojnë duke kërkuar punë në shërbimet publike. Nuk e kam të qartë se si ky sistem i arsimit të mesëm profesional në tri vitet e tija të shkollimit nuk nxjerrë të rinjë të aftë se si qepet një fustan apo pantallona, apo se si murosen muret e një shtëpie në ndërtim, gjegjësisht nuk përgatitë të rinjët për ndërmarrje të iniciativës se si hapet një serë bujqësore dhe si organizohet puna në të. Nuk aftësohen të rinjët se si bartet fryma e tregtisë dhe industrisë në bujqësi sipas modelit amerikan. Këta të rinjë nuk aftësohen as se si të bëhen kuzhinierë të mirë apo kamarier, berberë apo frizerë…
Arsimi i mesëm profesional në Kosovë përgjithësisht nuk nxjerrë të rinjë të përgatitur që pas mbarimit të shkollim të ushtrojnë ndonjë zeje prodhuese a shërbyese përmes ndërmarrjes së iniciativës së lirë. Këta të rinjë nuk aftësohen për t’u pavarësuar ekonomikisht në jetë apo inkuadruar në tregun e punës. Shumica e bizneseve në komunën nga vie unë thonë që ky shkollim me përjashtime të vogla nuk po aftëson të rinjët në fushat e caktuara dhe se me përgatitjet e fituara nuk mund t’i marrin në punë këta të rinjë, pasi nuk dinë as të murosin në objektet në ndërtim, nuk dinë as në punët e rrobaqepësisë etj,etj.
Mendoj që një i ri për tre vjet shkollimi profesional duhet të aftësohet për mjeshtrinë e ndërtimit të objekteve të banimit, rrobaqepësisë apo edhe instalimit të elektrikës, rrjetit të ujësjellësit nëpër shtëpi. Ai i ri nëse aftësohet në këto zeje do të gjen vende pune sa të don, por i hapen mundësitë edhe me iniciativa vetanake ta ushtroj zejen dhe të ketë sukses dhe pavarësuar financiarisht në jetë.
Moshatarët e tyre në Amerikë e kanë të ngulitur në kokë idenë se si të pasurohet në këtë moshë nga mësimet e marra për zejet e caktuara, ndërsa në shpirt e kanë ndërmarrësinë. Asgjë mos të ndërmarrtë, gjen një tokë të mbuluar me pyje dhe e përgatitë për bujqësi, ndërton një serë sipas standardeve të mësuara në shkollë dhe prodhon diçka. Iniciativën e tij nuk e përfundon këtu por shkon tutje duke mos e bartur frymën e bujqësisë së tillë në tregëti e madje edhe industri përpunuese. Në Kosovë, mjeshtrit e mirë të ndërtimtarisë paguhen shumë mirë, paguhen edhe floktarët e mirë, kuzhinierët e mirë, rrobaqepësit e modelarët e mirë, siç paguhen edhe instaluesit e rrymës, ujit e kanalizimit apo edhe të shumë zejeve tjera. Një sistem i shkollimit të mesëm profesional, i cili nuk arrinë që të nxjerrë për tri vite mjeshtër të këtyre zejeve apo mjeshtër të modelit të zhvillimit të bujqësisë intenzive, blegtorisë, përpunimit të drurit etj, atëherë ai vë në dyshim suksesin e ekzistencës së tij. Mendoj që në Kosovë të ketë ardhur koha që të gjithë të bashkohemi rreth mundësive se si të prodhojmë diçka. Të rinjët duhet të jenë bartës të këtij ndryshimi, porse ata paraprakisht duhet të aftësohen dhe motivohen në frymën e ndërmarrësisë dhe iniciativës. Mbështetja me siguri se do t’u gjindet iniciativave të tilla.