Sali Berisha, nëse të kam mbetur pak gjak malësori tregoje të vërtetën sot, në 25 vjetorin e zhdukjes së njërit ndër patriotët më të mëdhenj të kohës. Më 21 tetor 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK-ut të atëhershëm u rrëmbye bashkëveprimtari kombëtar, Remzi Hoxha.
Me 21 tetor të vitit 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK – ut të atëhershëm u rrëmbye veprimtari kombëtar, Remzi Hoxha.
I nderuar ish kryeministër, Berisha, me datën 21 tetor të vitit 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK-ut të atëhershëm u rrëmbye veprimtari kombëtar nga Kosova, Remzi Hoxha. U bënë 25 vite dhe ne miqtë e bashkëveprimtarët e tij ende nuk e dimë se ku janë së pakut eshtrat e tij. Keni borxh të ndikoni që të zbardhet rasti. Remziu ishte njëri nga patriotët më të përkushtuar për të punuar në çlirimin e Kosovës. Kjo dhe ishte arsyeja e qëndrimit në Tiranë të Remziut.
Kush ishte Remzi Hoxha?
Familja e veprimtarit të viteve të 90-ta Remzi Hoxhës, tash e 25 vite ishte në pritje për të kuptuar të vërteten për zhdukjen e babait,bashkëshortit e familjarit të tyre të zhdukur në Tiranë, gjegjësishët të rrëmbyer nga ish agjentët SHIK-ut të asaj kohe.Familjarët, por edhe bashkëveprimtarët e Remziut e kerkojnë zbardhjen e rastit të këtij rrëmbimi. Ne bashlëveprimtarët e Remziut, kërkojmë që Gjykata e lartë e këtij shteti t’i dënojë akterët e këtij krimi, gjersa politika të krijojë kushte që ish zyrtari i lartë i SHIK-ut Ilir Kumbaro (i cili me identitet të vjedhur po qëndron në Britaninë e Madhe) të sillet për të dëshmuar dhe zbardhur fatin e Remziut. Për një gjë të tillë gjatë gjithë këtyre viteve pat munguar ky vullnet, siç pat munguar ai vullnet edhe nga ish drejtuesi i këtij shërbimi Bashkim Gazidedo, të cilin vdekja e zuri me misterin e rastit të pazbuluar. Shpresojmë që tani të ekzistoj një vullnet i tillë. Opinionit shqiptar ka kohë që në një masë i është servuar një pjesë e së vërtetës për veprimtarinë dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës në Tiranë. Ai në këto shtjellime herë paraqitet si biznesmen, sindikalist etj., në mënyrë fare të përgjithësuar. Në të vërtetë kush ishte Remzi Hoxha? Më atdhetar se Remziun unë nuk takova në atë kohë.
Remzi Hoxha sindikalist
Remziu rrjedh nga një familje bujare relativisht e pasur, tradicionale shqiptare-shkupjane me shumë fëmijë. Përveç në Shkup, ata zejen e artarit e ushtronin me mjaft sukses edhe në Ferizaj, Kaçanik, Prishtinë etj. Remziu përveç kësaj zeje e donte edhe shkollën dhe ndjeku studimet në Universitetin e Prishtinës, drejtimin e elektroteknikës. Ai në Ferizaj ushtronte për kohë të gjatë veprimtarinë afariste, kishte dy dyqane në qendër të Ferizajt si dhe shtëpinë, po ashtu.
Nga aspekti social kishte të gjitha kushtet për një jetë të qetë e të lumtur me gruan dhe fëmijët e tij. Në vend të këtij komoditeti që e kishte nga afarizmi ai zgjodhi një rrugë tjetër për kohën, rrugën e sakrifikimit për lirinë kombëtare si kusht elementar pastaj për të ushtruar afarizëm kuptimplotë dhe të sigurt. Para angazhimit në sindikatë kishte kontakte me veprimtarë të lëvizjes ilegale dhe të burgosur politikë. Me LPRK-në, gjegjësisht veprimtarët e saj i ndihmonte pa masë. Më 1989 ai edhe zyrtarisht aktivizohet në sindikatën e ekonomisë së vogël dhe të zejtarisë së Ferizajt në fillim e pastaj merr udhëheqjen e tërë degës sindikale në nivel të Kosovës. Ai gjithashtu drejtoi komisionin komunal të Ferizajit për referendum për pavarësinë e Kosovës në vitin 1990. Angazhimin e tij sindikal ai fare thjesht e arsyetonte: është vend ideal për të bërë rezistencën aktive për të shprehur humanizëm e solidaritet, si dhe përgatitje për ditë më të vështira, por që do t’i takojnë krenarisë kombëtare. Ai këtë rezistencë aktive e promovonte fillimisht në Ferizaj e pastaj edhe në qytete tjera si p.sh. mbajtja e qëndrimit për mosvendosjen e flamujve të Serbisë në objektet afariste private për festa të ndryshme, zakonisht serbe, si formë e rezistencës aktive kolektive. Ngjashëm ishte edhe refuzimi për të vënë mbishkrimet cirilike në po ato objekte, përkundër qëndrimeve krejt të kundërta të politikës së atëhershme shqiptare në Kosovë. Gradualisht Remziu përveç degës sindikale mori në udhëheqje edhe Trupin Koordinues të sindikatave në Ferizaj dhe e shndërroi në qendër të vendosjes së rezistencës aktive politike. Ai gjatë gjithë veprimtarisë së tij jepte shembullin e vet. Në kongresin e parë të BSPK-së të mbajtur në Gjakovë më 01.07.1990 ka qenë prezent si delegat i Kongresit dhe atë në shoqëri të Eva Brendli aktivisten ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ai aktivisten e shoqëroi edhe ditën e nesërme në Kuvendin e Kosovës gjatë shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Remzi Hoxha ishte një ndër organizatorët dhe nikoqirët e ardhjes së delegacionit të parë ndërkombëtar sindikal vizitë Kosovës te Don Salajman dhe Janez Kociancic nga konfederatat e sindikatave të lira me seli në Bruksel. E shoqëroi Don Salajman në një takim të tillë të organizuar edhe në Vushtrri, nga ku u pajis me shumë të dhëna faktike për largimet e dhunshme nga puna të shqiptarëve. Ai edhe u arrestua po për këtë aktivitet për herë të parë e pastaj s’kanë pasur të ndalur arrestimet e tija, e sidomos thirrja në biseda informative. Ishte organizator i grevës së 3 shtatorit për Ferizaj si dhe protestës defiluese njëorëshe qendrës së qytetit. Ishte ideatori dhe zbatuesi praktik i themelimit të sindikatave simotra në tërë hapësirën shqiptare si nevojë e veprimit drejtë lirisë kombëtare. Do të na duhen më vonë u thoshte Remziu afaristëve të gjithë trevës shqiptare. Ai atyre viteve mendonte se strukturimi i tillë do të na duhej për luftën që ai e kishte në kokë, si formën e vetme për çlirimin e Kosovës. Ai në Shkup mbajti takime me krerët e lëvizjes sindikale të Shqipërisë.
Remzi Hoxha, veprimtar kombëtar
Remziu ishte ai i cili në çdo takim zyrtar apo edhe privat përdorte shprehjen pjesa e ndarë e kombit apo e territorit shqiptar. Atij i pengonin shprehje tjera gjeografike të fiksuara në kokat tona. Që nga fundi i vitit 1990 dhe fillimi i vitit 1991 filloi të shfaqë mendimet për organizimin e rezistencës së armatosur si formë të vetme për çlirim të trojeve shqiptare si dhe rolin e sindikatës së afaristëve privat e shihte me këtë qëllim parapërgatitor qoftë për sigurimin e mjeteve monetare për armatim apo edhe mbajtjen e logjistikës së një force ushtarake në trevat shqiptare të okupuara.
Kjo ishte edhe arsyeja e krijimit të celulave sindikale në Shkup, Strugë, Kërçovë, Preshevë, Ulqin etj. Remziu mbante kontakte edhe me shtetin shqiptar përmes vizitave ambasadave të Shqipërisë në Sofje e Beograd. I kam shumë të freskëta kujtimet nga bisedat në ato takime. Remziu gjatë aktivitetit të tij u kontaktua edhe me udhëheqësit e frontit për organizim ilegal të kohës. Me Frontin, që drejtohej nga Mentor Kaçi, Sokol Dobruna, etj. u lidhëm përmes bashkëveprimtarit tonë, sekretarit të degës, Basri Zuka, si dhe njërit ndër miqtë më të mirë të Remziut, Shefqet Maliqit. Fillimisht në kontakte ishim me Afri Morinën, njëri ndër bashkëveprimtarët e Ukshin Hotit, ku dhe u pajtuam për t’u përgatitur për organizimin e luftës, si formë e vetme për çlirimin e Kosovës. Me ta filloi të punojë apo u ndihmoi në krijimin e kushteve për blerjen e armatimit dhe mbështetjes tjetër për luftë. Këtë edhe e bëri. Disponojmë edhe faturat monetare të dhëna për këtë qëllim.
Në këtë periudhë kohore, për të gjithë veprimtarinën e zhvilluar u pajtuam edhe me Zahir Pajazitin. Takimi me të u mundësua nga veprimtari Bajram Kosumi. Takimi i parë u zhvillua në periferi të Prishtinës rrugës për në Podujevë.
Burgosja e një pjese të grupit, e vështirësoi punën, por jo edhe aktivitetin tonë drejt këtij qëllimi.
Sipas deklarimeve të tij ai mbante kontakte edhe me 2 nënkryetarët e qeverisë Bukoshi, e veçanërisht e çmonte Ramush Tahirin. Në mënyrën e vet gjithsesi klandestine siguroi një sasi të armatimit tejet modern dhe të konsiderueshëm, të cilin edhe e futi në Kosovë, gjithsesi me ndihmën e bashkëveprimtarëve, e veçanërisht Shefqet Maliqit. Ky fakt mund të ishte edhe qëllimi i kontakteve me nënkryetarët e qeverisë Bukoshi për sigurim të mjeteve financiare. Pas burgosjes së një numri të veprimtarëve të Frontit si dhe pas ndjekjes së vazhdueshme nga policia serbe, Remziu detyrohet të braktisë Kosovën për të bërë jetë ilegale për rreth saj gjithnjë aktiv. Ai kishte mbështetje në veprimtarinë e tij kombëtare edhe nga vëllezërit e tij si dhe afaristët shkupjanë. Ai në këtë kohë ishte arrestuar shumë herë, dhe rrahur brutalisht, por që asnjëherë ne miqve e bashkëveprimtarëve nuk na tregonte, arsyeja ishte e thjeshtë; nuk donte që për ansë moment të ndalej aktiviteti ynë. Jetën ilegale e bënte herë në shtëpinë e veprimtarit Behar Sherifi, tek Shefqet Maliqi, në Prishtinë tek Basri Zuka, dhe në Vushtrri.
Zbardhjen e tërë aktiviteti ilegal të Remziut në asnjë formë unë në mënyrë vetanake nuk mund ta bëj, Remziu krijoi edhe një mekanizëm apo urë ku e vërteta për Kosovën si dhe dëshmitë për dhunën e vazhdueshme serbe të plasohen jashtë. Grumbullonte materiale faktike dhe përmes lidhjes së tij i dorëzonte kryetarit të komisionit për ankesa dhe parashtresa të kuvendit federativ Ismet Ramadani nga aty siç me thoshte Dërnovshek i plasonte jashtë vendit. Në aktivitet të tilla shpeshherë kemi qenë edhe bashkë. Remziu gjithashtu kishte krijuar një lidhje me Vllado Kmabvaski, ish-ministër i drejtësisë dhe atij ia dorëzon tërë dokumentacionin e grumbulluar për shkeljet sistemore të drejtave të afaristëve nga ajo ministri me Remziun tërhoqëm edhe vendimet për legalizim të BSPK-se, LDK-se institutin ekonomik të Kosovës konkretisht drejtorin e saj dr. Musa Limanin e autorizon të hartojë një projekt të zhvillimit dhe integrimit ekonomik të hapësirës shqiptare pasi që mendonte se ky është një ndër kushtet esenciale për bashkësinë ndërkombëtare dhe si avanc pagoi një shumë të konsideruar para nga sindikata.
Remziun për herë të fundit e kam takuar në Tiranë, në kohën e marrjes së vendimit për aplikimin e zgjedhjeve të lira dhe fillim të jetës plurale e demokracisë si formë e qeverisjes në shtetin amë dhe qëndruam plot një javë bashkë së bashku edhe me dr. Hajrulla Gorani (kryetar i BSPK-së ) akademik Rexhep Qosjen, akademik Idriz Ajetin dhe shkrimtarin e publicistin Ramiz Kelmendi, në realizim të një ideje përmbajtjen e kuvendit për bashkim e pajtim kombëtar. Po të njëjtën kohë në Tiranë mbahej edhe kuvendi i sindikatave të lira shqiptare. Meqë Gorani ishte i zënë, na autorizoi ne të dy për të prezantuar dhe për të përshëndetur punimet e atij kuvendi, Remziu edhe bëri përshëndetje në emër të BSPK-së. Në pauzë të punimeve të këtij kuvendi na u afrua një aktivist drejtues sindikal, e nëse nuk gabohem, quhej Gëzim Kalaja. I shqetësuar na njoftoi për rolin e një përfaqësuesi gjoja të konfederatave të sindikatave të lira evropiane, i cili në fakt edhe udhëhoqi punimet e kuvendit dhe se kishte bërë shumë pastrime kuadrosh sindikale në emër të demokracisë dhe quhej Sasha Morina. Të njëjtin person e kishim takuar edhe me liderë opozitarë si dhe publicist të asaj kohe. Kureshtja për të mësuar me shumë për misionin e Sashës na bëri që ne të takohemi me të për çdo dit të qëndrimit në Tiranë. Ai si gjithnjë vinte në takime me udhëheqësit sindikal shqiptar në të cilët kishte ndikim tejet të madh. Takimi i fundit për ne në këtë përbërje për pak sa të bëhej edhe fatal për jetën tonë. Ishim në tavernën e hotel “Tiranës” me trupin e sindikalistëve shqiptarë dhe Sashën mes tyre. Sasha si gjithmonë në krye të vendit kryente emisionin e tij me plot sukses, dhe tentimi ynë për të penguar të gjithë nuk do të jepte kurrfarë rezultati. Atë natë “Sasha sindikalisti” kaloi krejt kufijtë e arsyes, si duket i ngazëllyer nga sukseset e tij në Shqipëri na u sul neve nga Kosova me gjithë far etiketash ofenduese.
Qëndrimi ynë paraprak ishte që vetëm të heshtim dhe të dëgjojmë model ky i aplikuar qysh nga dita e parë e takimit Por, këtë natë me ne ishte për herë të parë një mik i imi i cili mundi të përballojë fyerjet e Sashës dhe animin e sindikalistëve shqiptarë si duket të manipuluar apo blerë. Reagimi erdhi pas deklarimit të Sashës (i cili vazhdimisht thoshte se flet në emër të sindikatave të lira të Evropës) kur u deklarua “Ju kosovarët për të arriturat që keni bërë duhet t’ia lani këmbët Millosheviqit dhe t’ia pini ujin” këtë fyerje nuk e përballoi së pari miku im i ri i cili u çua edhe e shau Sashën, Milloshin dhe gjithë këta që po i dëgjojnë kopallat e tij. Për të qenë ironia më e madhe ne na u vërsulën në sulm fizik 7-8 udhëheqësit sindikal duke munduar të nxjerrin armë të ndryshme, por për fat tonin na shpëtoi një djalë i ri në tavolinën përballë që gjatë gjithë kohës kishte dëgjuar bisedën na doli në ndihmë në mënyrën e vet të përsosur dhe shpëtuam. Ne për gjithë këtë ngjarje dhe rolin e Sashës njoftuam prof. Goranin dhe normalisht Remziu lidhjet e veta që kishte. Ne nga takimet me Sashën dhe sindikalistët shqiptarë kishim siguruar mjaft faktografi. Shumë më vonë kam dëgjuar pak për fatin e Sashës si dhe misionin e tij. Po i zbardhi këto gjëra tani si dhe të tjerat më pastaj duke shpresuar se mund të jenë motive të zhdukjes apo arrestimit të Remziut në Tiranë.
Krejt në fund në ndarje me Remziun në Tiranë i thamë lehtë për ty tani je në vendin e shqipes të cilin e deshe shumë dhe je i lirë të veprosh po unë që po kthehem? Buzëqeshi dhe ma ktheu “kam ende ca probleme të vogla, por të pazgjidhura (në rrugën e tij të veprimtarisë kombëtare) dhe më duhet ta takoj ca veprimtar gjithsesi si dhe disa probleme tjera më të mëdha që duhet zgjidhur me kujdes , për të filluar me rezistencën e armatosur në Kosovë.Nuk kam insistuar të di më shumë pasi e dija aktivitetin e tij, por unë vija në Kosovë dhe mundësitë e arrestimit ishin evidente.
Remzi Hoxha financonte aktivitetet e veprimtarëve kombëtarë që njihte apo edhe dëgjonte të burgosurit politikë, familjet e tyre, por edhe ata që liroheshin dhe hynin në jetën e organizuar të veprimit kombëtar qoftë legal apo ilegal. Ai këtë aktivitet nuk e bënte të dukej dhe vazhdimisht gjente mënyra adekuate për të realizuar atë qëllim. Korrektësia dhe vetë qëllimi i asaj ndihme nuk më lë që të përmend ata.
Remzi Hoxha humanist
Karakteri i Remziut humanist buron nga vetë familja e tij. Shtëpia e tyre në Shkup ishte vendi i strehimit për të përndjekurit, djemtë e ri të ikur nga arrestimet për mos përgjigjeje në thirrjen për shërbim në armatën jugosllave në pritje për të dal jashtë, hallexhinjtë e ndryshëm etj.
Ishte vend pushimi dhe qëndrimi komod edhe për politikanët dhe aktivistët e ndryshëm. Kati i fundit i shtëpisë ishte i mbushur me shtretër edhe dy katesh dhe vazhdimisht ishte i mbushur. Remziu aktivitetin e vet solidar e zhvilloi në aksionin për ndihmën minatorëve të Stan Tregut të larguar nga miniera. Ndihma personale dhe e miqve të tij afaristë ishte e konsideruar. Ai Sindikatën e Afaristëve e kualifikonte për ditët e vështira që vinin si “Buka e Kosovës”. Remziu ishte pjesë e të gjitha komisioneve solidare të qytetit të Ferizajt. Remziu ishte themelues dhe financues i KMDLNJ-se në Ferizaj. Ishte një prej anëtarëve për përpilimin e kartelave sociale e shëndetësore për të gjitha familjet skamnore në Ferizaj dhe realizimin e saj në praktikë. Jep kontribut të çmuar me lidhjet e tij në aksionet “Familja ndihmon familjen”. Organizon aksionin për sigurimin e barnave dhe sanitarisë për raste lufte apo emergjente. Kontribuoi në zgjerimin e bazës grumbulluese në këshillin financiar. Korrespodencën e “Rilindjes” si gazetë e vetme ditore e atëhershme e pajisi komplet me aparaturë. Ndihmoi financiarisht në adaptimin e ambulancës së “Nënës Terezë” në Ferizaj. Vëllezërit Hoxha nga Shkupi sa herë që kërkohej ndihmë monetare nga Remziu për rastet sociale në Kosove, ata në Çarshinë e Shkupit e realizonin me urgjencë. Remziu dhe familja e tij ndihmuan në shërimin e shumë pacientëve nga Kosova në spitalet e Shkupit. Përmes Remziut shqiptarët e Ladorishtes e fshatrave tjera të Maqedonisë ndihmuan Kosovën. Vizitoi dhe u ndihmoi disa nga delegatët e Kuvendit të Kosovës që shpallën deklaratën kushtetuese.
Remzi Hoxha politikan
Remziu aktivisht nuk u inkuadrua në parti politike edhe pse në fillim të 90-tave e shohim si delegat të Kuvendit të Degës së LDK-së në Ferizaj. Më vonë vazhdimisht ishte në kundërshtim me qëndrimin e përgjumur të kësaj partie. Ai nuk u mor me parti politike, por me sindikatën e tij dhe bashkëveprimtarët krijoi politikën, ai e bënte politikën. Qëndrimet e tija për rezistencë aktive në çdo sferë ishin thjesht thelb në strategjinë e veprimit politik e programi i integrimit kombëtar ishte moto e aktivitetet politik të tij. E kishte të qartë se po qe se stërkuqet rezistenca paqësore e aplikuar nga politika lufta është pashmangshme. Në një takim që kishim pas grevës së 3 shtatorit me një delegacion të kryesisë së LDK-së në selinë e saj në Prishtinë (Fehmi Agani, Nekibe Kelmendi, Ibrahim Berisha e ndonjë tjetër), ai u nda i zhgënjyer nga takimi. Tema e bisedave ishte se cila strategji e koordinuar të veprojë pas mbylljes së veprimtarisë afariste nga pushtuesit për rastin e grevës. LDK-ja kërkonte që të ketë mbrojtje institucionale, të aplikohej pra përmes gjyqeve serbe të realizoheshin të drejtat. Remziu ishte për formë të veprimit politik të rezistencës aktive, atë të thyerjes së drurëve dhe hapur objektet tona afariste pa procedura dhe pa përfill pushtuesin serb, pasi edhe ashtu ishin mbyllur. Remziu e donte veprimin politik aktiv jo për poste a pozitë a pushtete morale institucionale. Ai përmes atyre veprimeve synonte mobilizimin qytetar në realizim të interesit kombëtar.
Me këtë shkrim nuk pretendoj për të mbyll shpjegimin e veprimtarisë kombëtare pasi ajo është shumë e madhe. Qëndrimi i institucioneve të shtetit shqiptar, por edhe atij në Kosovë e edhe në Maqedoni është fare i pakuptim, për të parin bizar e të tjerët të përgjumur e qyqarë, e Remziu veproi që shqiptarët në këto treva të kenë institucione të lira e demokratike.
Vijon