Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Si na u bënë patriotë sot të moderuarit e së djeshmes?

Frikacaku ka frikë nga hija e tij. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore, e cila mendoj që më së miri u adresohet një grupi politikanësh apo opinionistëve, shoqatave e klubeve të ndryshme politike, të cilët po mundohen të ngrehin një shqetësim në opinion duke ndjellur frikën se do të ndodh kështu e ashtu, po qe se fillojnë bisedimet politike apo ato të nivelit më të lartë përfaqësues Kosovë-Serbi nga shtatori i këtij viti, siç edhe po kërkohet nga faktori ndërkombëtar. Mendimet dhe thirrjet sugjestive se veriu i Kosovës do të shitet në këto bisedime të paralajmëruara ka si bazë konceptin mbi mendimin politik jo pozitiv të bazuar në elementin e frikës së pa argumentuar. Frika bazohet në fajësi, e unë nuk e kam të qartë se cili është faji i Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht për të pasur frikë nga këto bisedime, përveç frikës nga përfaqësimi. Pse të frikohet politika e Kosovës për t’i paraqitur qëndrimet e saja në këto bisedimet karshi Serbisë me plot faje për të gjitha ndodhitë jo të mira në Ballkan, e aq më tepër ato qëndrime t’i paraqesë para atyre burrshtetasve serbë që janë të involvuar direkt në këtë të kaluar dhe në prani të faktorit e opinionit ndërkombëtar. Një gjë është e qartë, që Kosova dhe Serbia kanë probleme të pazgjedhura dhe rruga e zgjedhjes së tyre është biseda apo konfliktet dhe luftërat.

Rrugë tjetër nuk ka. Status quo-ja mendoj të jetë shumëfish më e keqe se sa vet fillimi i këtyre bisedimeve. Kosova dhe Serbia në ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar patën biseduar edhe para fillimit të bombardimit të caqeve serbe nga NATO, madje ato i kanë shërbyer ndërhyrjes së tillë ushtarake. Pse gjithë kjo zhurmë, pse gjithë kjo frikë, pse gjithë kjo thirrje për lënçime politike dhe nga kush se?- Nga ata që deri dje me një këmbë rrinin të gatshëm për bisedime të tilla, duke i shndërruar në profesion, jetonin politikisht nga to, gjersa sot pasi ka mbetur me fajin e tyre jashtë procesit vendimmarrës në proceset politike trumbetojnë e bëjnë lojëra të tilla, të cilat mendojnë t’u shërbejnë për përfitime elektorale.

Tani frikacakët e dikurshëm, të ashtuquajtur të moderuar na u bënë guximtarë e patriotë, duke mos u kursyer nga lloj-lloj thirrjesh patriotike, madje duke kundërshtuar me zhurmë edhe disa koncensione të bëra më parë serbëve në Kosovë nga njerëzit e tyre në bisedimet paraprake. Trumbetojnë mundësinë e rikthimit të 6 pikëshit të Ban Ki Munit, duke harruar se në atë kohë ata tërë kohës rrinin nëpër zyrat e politikanëve ndërkombëtar duke përqafuar gjithçka që arrinte e edhe atë plan si bazë të fillimit të dialogimit dhe hartimit të dokumentit gjithëpërfshirës të planit të presidentit Ahtisari. Asaj kohe të pakët ishin ata që kundërshtonin plane e propozime të tilla gjithmonë me dëshirën për të zënë kohën dhe nxjerrë më të mirën për Kosovën, gjersa ideatorët e “patriotëve të sotëm”, atyre që flisnin atëherë dhe mbanin qëndrimin në interes të vendit i quanin patriotë të folklorit, pasi vet ishin pjesë e këtij procesi dialogues.

Sot politika në Kosovë nuk e ka luksin të udhëhiqet nga veprimet inatqore, nga mendimi negativ mbi politikën. Ajo duhet t’i kthehet racionalitetit dhe mendimit pozitiv. Ajo duhet të ketë më shumë përgjegjshmëri dhe ndjeshmëri ndaj problemeve, duke ofruar zgjedhje dhe jo ikur nga to. Politikanët që punojnë për lirinë e vendit dhe qytetarëve të tyre nuk ikin nga problemet, por janë të gatshëm për t’u ballafaquar me to, duke ofruar zgjedhje. Gjithmonë në interes të qytetarëve. Politikanët batakçinjë e i kanë hak në momente të caktuara e madje edhe të rëndësishme për qytetarët, të cilët mendojnë t’i përfaqësojnë, braktisin këto procese, jo pse kanë qëndrime programore por vetëm se vet nuk janë të krye të këtyre proceseve dhe ndoshta mendojnë se nga qëndrimi i këtillë mund të përfitojnë diçka. Thonë që gjuha që nuk është ndëshkuar në mëngjes do të ndëshkohet në mbrëmje, pasi ka bërë të këqija. Gjuha politike, e cila po përdoret këtyre ditëve nga i gjithë ky kor i politikanëve e opinionistëve të ndryshëm, të cilët tani na u bënë patriotë, gjithsesi duhet të korrigjohet duke pasur për bazë mendimin pozitiv për të ndihmuar Kosovën që në proceset që do të kaloj të nxjerrë maksimumin. Këtë edhe ua kanë borxh qytetarëve.

Qëndrimet egoiste, inatqore, politike duhet të flaken, pasi përfundimet mund t’i ngjasojnë anekdotës së elefantit të mbretit: Një mbret i një nahije i kishte në qejf elefantët dhe nga Afrika e largët e kishte sjellur atë duke e lënë të lirë të lëvizë kah të do e të bëjë çfarë të do. Elefanti u sillte shumë telashe qytetarëve pasi u bënte dëme të mëdha, qoftë në kopshtet e tyre apo edhe shtëpitë. Dhe një ditë ata mblidhen dhe vendosin që të shkojnë e bisedojnë me mbretin për të gjetur mundësinë për ta hjekur elefantin. Qytetarët vendosin që t’i udhëheq në këtë proces bisedimi Nastradin Hoxha, i cili pranon dëshirën e tyre duke u thënë që mos ta braktisin kur të shkojnë për të biseduar me mbretin. Vije dita dhe grupi i qytetarëve të prirë nga Nastradini niset rrugës për në sarajet e mbretit. Në rrugë e sipër ata nga frika por dhe papërgjegjshmëria e lënë Nastradinin vetëm dhe ai duke parë këtë gjendje në bisedë me mbretin i thotë “Elefanti juaj është shumë i mirë banorët janë të kënaqur me sjelljet e tij, por jemi të brengosur që ai është i vetëm dhe po mërzitet, andaj duhet t’ja sillni edhe një elefant femër…”

Kosova ka një “elefant” dhe braktisja e ikja politike nga proceset nëpër të cilat po pritet të kaloj Kosova mund t’ia sjellë edhe një “elefant” tjetër. Përgjegjshmëria politike, organizimi i qëndrushëm dhe ndjeshmëria politike karshi këtyre proceseve që pritet të ndodhin në Kosovë mund të përgatisë kushte për ta larguar “elefantin” apo të paktën t’ia kufizoj lirinë e tij, ndryshe mund të ndodhë sikur në anekdotën me Nastradinin.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …