Në këtë kohë transformimi, historia do të dijë të dallojë patriotin nga tradhtari dhe do t’i caktojë secilit vendin e vet… se ç’vend do të kem unë në histori këtë nuk e di. Sa për Ju, Emri juaj i Shkëlqyer si patriot, do të mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë.
Biçakçinjtë takohen për herë të parë në fillimet e shek. XV. Veprimtaria e kësaj familjeje të pasur dhe të madhe, është plot kontribut dhe vëmendje qysh në krye të herës. Ajo ka qenë e përfshirë në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore prej lindjes së saj dhe deri në çerekun e parë të shekullit të shkuar.
Biçakçinjtë, kjo familje fisnike shqiptare , ka qenë shumë e dalluar dhe e spikatur për gjatë sundimit të tejzgjatur të Perandorisë Osmane. Familja e biçakçinjve, pinjollët e saj, falë veprimtarisë së tyre, fituan, gëzuan me plot meritë, shumë tituj, grada dhe ndere. Pesha e angazhimeve të saj, si dhe kontributi i elementeve njerëzore, dalë nga gjiri i tyre, ka qenë i pranishëm në forma e rrugë të ndryshme edhe në historinë tonë jo të largët. Pa mëdyshje, ajo familje ndër familjet çifligare më të pasura jo vetëm për trevën e Elbasanit, por dhe mbarë Shqipërisë, aq sa edhe sot e gjithë ditën, nuk janë të përcaktuar kufijtë, nuk ngurroi ta jepte pasurinë, të shkrinte atë për qëllimin e madh!
Në këto treva të buta, të ngrohta e shumë të begata lindën dhe u rritën shekull pas shekulli, dekada pas dekadash e vite mbas vitesh biçakçinjtë e famshëm të Elbasanit dhe kudo ku shkuan, ku mësuan, punuan e luftuan u dalluan për trimëri e mençuri, gjithnjë -është e dokumentuar – mbartën me vete mallin për qytetin, për njerëzit e racës së tyre, për Elbasanin, për Shqipërinë.
Ata, si racë e fortë shqiptare mbajtën mbi shpatulla, mbi supe, shumë halle, shumë drama! Në rrugë gjenealogjike përafërsisht mund të përcjellim; Sinan pashë Biçakun-1400-1470; Sinan bej Biçakun, mësues, profesor i vetë Sulltanit; Ahmet aga Biçakun, komandant në betejat e perandorisë për pushtimin e Arabisë dhe Egjiptit, Sedefqar, kryearkitekt i perandorisë; Ibrahim pashë Biçaku 1587-1632, vezir në Bursa; Halit pashë Biçaku 1690-1775, ushtarak i lartë i vëllai i tij arriti deri prefekt i Stambollit; Ibrahim pashë Biçaku 1715-1770 disa herë vezir i perandorisë si në Manastir, Hungari, poet, muzikant; Muhamet Biçaku, arkitekt i ujësjellësit të parë në Elbasan; Ibrahim pashë Biçaku, vezir, më tej dhjetëra e dhjetëra ofiqarë deri tek ai më afër nesh, Sefedin bej Biçaku, ushtarak i lartë. Ndërtoi dy kisha të krishtera në qytet, ndonëse paguhej e trajtohej prej vetë perandorisë. Një biçakçi i madh gjendet komandant i lartë ushtarak që bashkë me Mustaf pashë Bushatin komandoi forcat e mëdha në luftën ruso-turke. Një tjetër pinjoll i këtij fisi dhe familjeje, Dervish bej Biçaku1820-1885, drejtoi dhe sundoi në ato vite në Elbasan njëherazi Dervish beu është i ati i pashait të ardhshëm Aqifit. Elbasanit, 1860-1926.
Aqifi lindi në qytetin e Elbasanit, mbaroi arsimin e mesëm në vendlindje, studimet e larta për drejtësi i kreu në Stamboll, ku u lidh herët me qarqet patriotike shqiptare. Pas fitores së Revolucionit xhonturk, ai u bë kryetar i klubit “Bashkimi”. Ky moment shënon jo vetëm kurorëzimin e veprimtarisë shoqërore e patriotike, gjatë studimeve, por dhe themelon patriotin konseguent. Ai nga sot e në vazhdim do të jetë në të gjitha tubimet, kongreset ku luhen e vendosen fatet e atdheut..Është pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës, në atë të Elbasanit, 1909, si dhe kontribuues aktiv në çeljen e Normales në vitin 1909.
Qe ndër njerëzit më të shquar, me më merita në organizimin e kryengritjes së përgjithshme për shpalljen e Pavarësisë dhe u vu pa hezitim në krah të Ismail Qemalit, jo pa shkak e qëllim , vjen për të ajo konsideratë e përmendur dhe e pashoqe prej plakut të Vlorës, kryetarit të parë të shqiptarëve. Aq sa qe e çmuar vepra e tij në organizimin dhe drejtimin e kryengritjes së përgjithshme , po aq e çmuar dhe e lavdëruar qe nisja e punës e detyrave të shumta të shtetit më të ri në Europë, ku aftësitë e tij, aftësitë e Aqif Pashës në lëmin e shkencës së drejtësisë dhe jurispudencës do të ishin për Shqipërinë e Mëvetme si ujë, si drita, si dielli!. ..Në nëntor 25-11-1912, në harmoni me patriotët e tjerë e të lavdishëm të qytetit, ngriti flamurin e pavarësisë në Elbasanin e zemrës, duke u treguar pushtuesve serbë, që patën marrë revan si qen të tërbuar, se do të quheshin, thjesht armiq, pasi po shkelnin një vend sovran dhe të pavarur.
I njohur si besnik i Qeverisë së Vlorës u ngarkua me shumë detyra, të cilat i kreu me përgjegjësi e përkushtim atdhetar. Dha një kontribut të shënuar në vendosjen e drejtësisë shqiptare, e cila nuk kishte kurrfarë baze shkencore. Hartoi dhe zbatoi në praktikë punën për të drejtën penale e civile, duke vendosur për herë të parë në vend jurinë në gjykatoren e noterisë. Po në këtë kohë kemi përkujdesjen e tij të madhe ndaj përpjekjeve që vinin nga të gjitha anët për copëtim të Shqipërisë, për gllabërimin e trojeve etnike. E përjetoi me dhimbje këtë mallkim dhe do t’i mbështeste me armë e para luftëtarët dibranë të Elez Isufit .
Në protestat e qytetit të Elbasanit realizuar në 1913 kundër copëtimit të trojeve etnike, Aqif Pasha ishte figurë qendrore. Ngjarjet rridhnin më shpejt se ujërat e Shkumbinit, Qeveria e Vlorës dha dorëheqjen nën trysninë e Fuqive të Mëdha dhe po këto “gatuan” princ Vidin. Aqif Pasha, sikundër dhe shumë patriotë të tjerë, duke mbajtur edhe këshillën e ish-kryetarit të tyre, e mbështetën princin. Në këtë kohë, Ai, së bashku me Gurakuqin, Hilë Mosin krijuan Komitetin Kombëtar që do t’u shërbente në mënyrë të organizuar dhe me platformë të qartë Çështjes Kombëtare.
Nuk pranoi dhe refuzoi prerë të merrte pjesë në të ashtuquajturën qeveri të Durrësit. Nuk pati dhe kurrë nuk qe në një mendje me Esat Pashë Toptanin, madje shumë shpesh u ndesh me forcat regresive të atij krahu, pas pati zbuluar qysh herët qëllimet e errëta nga ku buronte edhe ajo urrejtje karshi Princit të sjellë nga Europa.
Për hir të çështjes pranoi dhe kreu me zell detyrën e ministrit të Brendshëm. Kohë të vështira dhe pa stabilitet Aqif Pasha, një jetë e tërë në luftë e përpjekje! Së bashku edhe me Ahmet Zogun, atëherë fare i ri, u përpoq që të organizonte një kongres në Elbasan , por forcat austro-hungareze që ishin të mirinformuara për qëllimin e atij kongresi nuk e lejuan, megjithatë përpjekjet nuk reshtën.
Në vitin 1918 i dërgon me kurajë atdhetare, ndonëse nuk mori pjesë në të, por me pjekuri të lartë i dërgoi një letër kryetarit të Kongresit të mbajtur në Durrës më 1918 ku i kërkonte votimin e ideve dhe mendimeve të tij e më pas votimi të gjykonte për to. Platforma e paraqitur ishte një platformë e shenjtë e largpamësi, qe një platformë për veprim të mëtejmë të Çështjes Kombëtare, për mënyrën dhe mjetet e duhura në kundërvënie të qëllimeve shoviniste të fqinjëve e më gjerë.
Gjatë kësaj kohe vlen të përmendet lidhja e tij e ngushtë me Hoxhë Kadrinë dhe Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Kjo veprimtari e zjarrtë e me vizion tërësisht atdhetar, tërë ky angazhim i shquar në organizimin, ruajtjen, fuqizimin e shtetit e çon në mbledhjen e Kongresit të Lushnjës, kongres që e nxori në krye të Asamblesë. Njihet mirë prej historisë dhe dëshmive të shumta si tregime, gojëdhëna mbi ndihmesën e madhe të qytetarëve të Elbasanit për Luftën e Vlorës, ku pa dyshim roli i këtij patrioti në organizimin dhe drejtimin e ndihmave dhënë luftës qe i pakursyer dhe tepër i veçantë. Le të përmendim kontributet e shumta njerëzore apo pjesëmarrjen e bandës “Afërdita” dhe tepër sinjifikative “aksionin”e grave, nuseve, vajzave në dhurimin me dëshirë të stolive të tyre. Zgjedhja e tij në krye të Asamblesë është një nga pikat e arta të veprimtarisë së Tij të mëtejme. Mund të thuhet me fakte e prova se qe fat për vendin që pikërisht në atë vit të vështirë e të rrezikshëm siç qe ai i luftës heroike të Vlorës, Aqif Pasha, kjo figurë e adhuruar fund e majë, qe jo vetëm krah, por dhe ndihma e parë për finalen fituese të luftës.
Pa dyshim qe pikërisht, edhe këtë radhë kontributi i madh i tij dhe patriotëve të shumtë të Elbasanit, që luftës së Vorës i dhanë frymë kombëtare.
Një jetë e tërë në shërbim të pavarësisë dhe lirisë së Shqipërisë , duke i bërë nder jo vetëm në punët e brendshme, por dhe në stimujt dhe lidhjet e fuqishme me emigracionin. Autoriteti i Aqif Pashës ishte i pranishëm edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, të fqinjëve dhe më gjerë.
Në vitin 1922 jo vetëm për shkaqe shëndetësore, po dhe për shkak të fillimeve të sherreve, me natyrë alla shqiptare, kjo figurë e famshme e historisë sonë, emigron në Baden e më pas në Vjenë, domosdo assesi i tërhequr, assesi i lodhur prej Atdheut.
Edhe këtu ai mban lidhje më shokë e miq atdhetarë aq sa grupi politik i Nolit e kandidoi në zonën e Korçës në vjeshtë të 1923, dhe ku Aqif Pasha do të kurorëzohej me fitore, ashtu siç do të kurorëzohej gjithmonë, kur këtë “dhuratë” do ta kishte në dorë populli, do ta kishte në dorë Shqipëria, prandaj sot, dhe në këtë 100 vjetor të lavdishëm këta “Dy miq” të përhershëm të atij burri të madh, përulen me dashuri e respekt.
Historia e patriotit Aqif Pashë Elbasani që mbështeti edhe ushtarakisht luftën për Pavarësi
Lef Nosi si një ndër emrat më të shquar që mblodhi dhe ruajti një sërë dokumentesh, të cilat nxjerrin në pah kontributin e një prej emrave më të shquar të periudhës së Pavarësisë, Aqif Pashë Elbasani. Në vëllimin “Studime historike” të botuar nga Akademia e Shkencave nëpërmjet korrespondencës del e plotë kjo figurë e pavarësisë e lënë në hije. Në telegramet që mbajnë emrin e Aqif Pashës del në pah mbështjetja e luftës për pavarësi. Në një telegram që ai i dërgonte Esad Pashës, komandant i fuqive të mbledhura ai kërkon informacion për ushtarët e Martaneshit. Ndërkohë në një tjetër telegram dy ditë më parë që ai i dërgon zëvëndësit të nënprefekturës në Krujë e informon për nisjen e një regjimenti të divizionit të Xhavid Pashës drejt Tiranës dhe nisjen e një fuqie tjetër në të ardhmen.
Korrespondenca në muajin e pavarësisë me Vlorën tregon angazhimin e tij që gjithçka të shkojë më së miri dhe flamuri të ngrihet. Në një telegram që ai i drejton Xhemil Beut në Vlorë i shkruan: “Përfaqësuesit u zgjodhën. Nesër do të nisen për në Vlonë. Siguroni punën nëpër qytetet e tjera”.
Aqif Pasha gjithashtu komunikon me qytetet e tjera. Në një telegram drejtuar kryesisë së Bashkisë në Starovë, ai i sugjeron të dërgojnë dy përfaqësues, një të krishterë dhe një mysliman në Vlorë. Madje në këtë korrespondencë del se tre përfaqësuesit e Ohrit dhe të Strugës janë nisur bashkë me ato të Elbasanit.
Gjatë zgjedhjes së delegatëve në një telegram që patriotët elbasanas i dërgojnë Dervish Bej Biçakçiut i komunikojnë zgjedhjen e tij si përfaqësues i Peqinit. “Elbasani emnoi përfaqësues Midhat Bej Frashërin, Shefqet Dainë e Lef Nosin dhe pardje u nisën për Vlonë, pasi zotnia juaj jeni zgjedhë përfaqësues nga Peqini, naturisht, jo Elbasanin, por edhe gjithë prefekturën e përfaqësoni. Pasi po ju zgjedhim edhe n’emën t’elbasanit vepëroni së bashku. Mufti Efendiu, përfaqësuesi i Dibrës, u nis prej këtej për në Vlonë. Mehmet Pashë Dërralla prej Kallkandelje, Isa Buletini dhe Ajdin Beu i vllai i Nexhip Bej Dragës bashkë me shokët e tjerë do të nisen edhe ata prej këtej. Asht nevoja që edhe zotnia juej të niset nesër.
Aqif pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, kryetari i Bashkisë Alush Bej Saraçi, qehajai i Esnafit Sheih Mahmut Guma, zëvendës mitropolit Papa Dhimitër Dhimitruka, Emin Haxhiademi, kryetari i Klubit Bashkimi Rrapush Demeti.
Por ndërkohë Elbasani zgjedh edhe një delegat jetër që do t’i bashkohet tre të tjerëve. Në një telegram drejtuar kryesisë së Kongresit të Pavarësisë në Vlorë, theksohet se edhe Qemal Beu i biri i Shehsyvar Beut qi asht prej Parësiës, u emnue degegat për me bashkëpunue me delegatët e tjerë t’Elbasanit e të Shqipniës.
I firmosur nga paria e Elbasanit duke nisur me Aqif Pashën e në vazhdim Shefqet Verlacin. në vazhdën e telegramve një tjetër që mban datën 14 nëntor dhe që i drejtohet Ismail Qemal Beut Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci dhe Hasan Bej Biçakçiu thkesojnë se shumë territore si Tirana, Durrësi e Kruja sundohen nga shqiptarët.
në 12 Vjeshta e Tretë (25 nëntor) paria e Elbasanit i dërgon një telegram Ismail Qemal Beut në Vlorë: Gjithë populli ynë myslimanë e të krishtenë me nji za kan pranues independencën e Shqipniës. N’emën të të gjithë popullit të Prefekturës s’Elbasanit” firmosur nga paria e Elbasanit.
Në të njëjtën ditë dy emrat e përhershëm të Elbasanit Aqif Pashë Biçakçiu dhe Shefqet Bej Vërlaci do të shkruanin: “Situata e jonë asht vështirsue. Ohri edhe Struga ranë. Komandanti serb i ka telegrafue Qukzakvet se do të vijë atje edhe i ka pytë zyrtarisht në do të dorëzohen apo jo. Nga kjo kuptohet se ka me ardhë këtu. Fuqia qi ndodhet këtu, nesër shkon për Durrës…..”
Në një telegram tjetër pas një korrespondence të vazhdueshme me Ismail Qemalin në një përgjigje Aqif Pasha i thotë se komandantit serb nuk pati kohë t’i shkruajë pasi ai është gati në hyrje të qytetit duke i theksuar se nota e ptotestës duhet ti jepen telegrafikisht nga ana e Ismail Qemalit. Në këtë kohë ishte krijuar edhe një qeveri e përkohëshme kombëtare ku kryetar ishte vetë Aqif Pashë Biçakçiu. Atëherë Ismail Qemali i nis një telegram, i cili lë detyrë t’i kalojë komandantit serb.
Në një telegram që mban datën: Vlonë 18 vjeshtë Tretë drejtuar Ahmed Efendi Daklit, i kërkohet që t’i bashkohet qeverisë së Vlorës për mbajtjen e financave.
“Pasi për organizimin e financave të Qeverriës së Përkohëshme shifet nevoja për një njiri të zotin edhe zotësia juej n’atë degë asht e ditun, upa e pëlqyeshme qi sot t’a merrni ju përsipër edhe po sa të merrni këtë telegrammë të niseni për këtu.
Aqif Pasha u bë një nga këshilltarët e ngushtë të Ismail Qemalit si në politikën e brendëshme e të jashtme ashtu edhe në krijimin e organizimin e administratës shtetërore së bashku me forcat e armatosura. Veç kontributit të tij në çështjet kombëtare, mori masa dhe për organizmin e të drejtës penale, për të drejtën civile dhe krijimin e noterisë në marrëdhëniet tregëtare në Elbasan. Duke vendosur për herë të parë gjykatoren e noterisë ai zgjeroi hapësirën e veprimit të drejtësisë shqiptare.
Biografia e Aqif Pashë Biçakçiut sipas Shyqyri Demirit
Elbasani, një vend i vjetër kulture ka qenë vendlindja e Moisi Golemit, vendi ku ka vepruar Onufri, piktor me famë botërore i shekullit XVI, vendlindja e shkrimtatit të madh Konstandin Kristoforidhi dhe shumë rilindasve të tjerë.
Elbasani ka qenë qendër me rëndësi e Rilindjes Kombëtare. Me lindjen e kushteve të reja ekonomike shoqërore, megjithëse me një proces të ngadalshëm që në gjysmën e parë të shekullit XIX lufta kundër pushtuesve turqit u ngrit në një shkallë më të lartë dhe u shndërrua në një lëvizje të madhe kombëtare, e cila kishte për qëllim kryerjen e revoluzionit kombëtar.
Po nër këto rilindas janë edhe Mahmut Biçaku dhe veçanërisht i biri i tij Aqif Pashë Biçaku. Figurë e shquar rilindas dhe demokrat i shquar.
Që në fund të shekullit XIX dallohet i jati Aqif Biçakut, Mahmut Pashë Biçaku. Familja e Mahmud Biçakut duke pasur kontakt me bektashizmin, ishte zhveshur nga fanatizmi fetar i sunitve muslimanë e kështu qe hapur rruga për një bashkëpunim të frytshmë ndërmjet elementëve të ndryshëm fetarë, myslimanë e ortodoksë dhe të patriotëve të ndryshëm….
Aqifi u caktua kryetar i klubit Bashkimi nga fundi i korrikut 1908 e deri në dy gusht të këtij viti me iniciativën e patriotëve elbasanas me në krye Aqif Biçakun u hap e para shkollë shqipe publike në Elbasan më parë se në Durrës, Tiranë e Vlorë. Klubi “Bashkimi” e kishte selinë e tij në atë vend ku ka qenë më pas agjencia dhe Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore.
“Në gusht të vitit 1910 mbërrin në Elbasan gjenerali gjakatar Shefqet Durgut Pasha për me torturue patriotët elbasanas tue shkel kështu ligje e Kushtetutë. Aqif Pashës iu desh me u arratis për në Itali dhe mas largimit të Durgut Pashës nga Elbasani dhe Shqipëria, Aqif Biçaku kaloi në Stamboll dhe pasi pati aty kontakt me disa patriotë u kthye prap në Elbasan për me vazhdue aktivitetin e tij politik e arsimor në dobi të vendit. Me nxitjen e tij u krijue çeta e Martaneshit me në krye Sheh Hysen Sulovën, i cili konsiderohet edhe paravajtësi i Baba Faje Martaneshin. Kjo çetë do të transferojë qendrën e saj më 1912 në Bushek prej nga ajo në shtator të këtij viti hyn e armatosur triumfalisht në Elbasan nër sytë e ushtrisë e të autoriteteve turke tue ngritë kështu lart moralin politik dhe ndërgjegjen kombëtare të lëvizjes patriotike.
Ishin patriotët elbasanas me në krye Aqif Biçakun të parët që iu bindën thirrjes së Ismail Qemalit tue shpallë Indipendencën që më 25 nëndor 1912 me para se në çdo qytet tjetër, kur ushtria turke e mbante të akupuar Elbasanin, të cilin e zbrazi më 27 nëndor mbas një akupacioni prej 5 shekujsh. Me 29 nëntor 1912 hyni në Elbasan pararoja e ushtrisë serbe. Ushtria serbe qendroi në Elbasan deri në fund të prillit 1913.
Kur në maj 1914 forcat vullnetare u arrestua Esat Toptani, Aqif Biçaku u emnue Ministër i Punëve të Brendëshme në kabinetin e princ Vidit në Durrës. Kur rryma turkomane e lëvizsjes së fshatarëve të Shqipërisë së Mesme me në krye Hasan Beg Pushatin bashkë me Haxhi Qamilin dogjën Teqen e Madhe dhe vranë patriotin Sheh Hysen Sulova, Aqif Biçaku u arratis në Itali e më pas kthehet në Shkodër. Kthehet sërish në Elbasan dhe merr iniciativën e thirrjes së Kongresit të dytë Kombëtar që kishte pas qenë vendos që në Kongresin e parë të Shkollave në Elbasan 1909, por kongresistët në mars 1916 u ndaluan prej autoriteteve austro-hungareze të hyjë në Elbasan me pretekst se në Elbasan kishte shpërhtyer epidemia e kolerës.
Në Elbasan në këtë kohë u formua një komitet i fshehtë për me luftue shovinistët grekë në zonën e Korçës. Në këtë komitet të mshehtë bënin pjesë përveç Aqif Pashës edhe Themistokli Gërmenji, Emin Matrakxhiu me Sali Butkën.
Njerëzit e Zogut dhe Vërlacit u përpoqën ta afrojnë, por konflikti i tyre ishte aq i mprehtë saqë ai jo vetëm që nuk pranoi, por la dhe amanetin që kur të varrosesh, baxhanaku i tij Shefqet Vërlaci mos t’i kapte as tabutin me dorë.
Në 50-vjetorin e lindjes eshtrat e Aqif Pashës janë spostuar nga varrezat e Teqes së Madhe dhe vendosjen në varrezat e patriotëve.
Shënime të Shyqyri Demirit 1976
Largimi në Austri
Situata politike në Shqipëri në kohën kur forcat e djathta konservatore forcuan pozitat e tyre në organet shtetërore, bënë që aqif Pasha të largohej nga Shqipëria ngaqë mendimet e tij përparimtare dhe demokratike nuk përputheshin me qëndrimet konservatore që kishin marrë pushtetin politik e shtetëror duke iu kundërvënë edhe vendimeve të kongresit të Lushnjes. Më 1 mars të vitit 1922 u largua për t’u vendosur fillimisht në Baden dhe më pas në Vjenë. Edhe pse larg vendit asnjëherë nuk i nderpreu lidhjet me atdheun dhe me qarqet përparimtare liberaldemokrate me të cilat mbajti letërkëmbim të rregullt. Gjatë qëndrimit në Austri si emigrant politik Aqif Pasha krijoi në prill të vitit 1923 në Baden, Partinë Kombëtare, programi i së ciliës kishte karakter liberal-demokratik. Në vjeshtën e viti 1923 grupi i Fan Nolit vuri kandidaturën e Aqif Pashës si deputet për në Asamblenë Kushtetuese. Kandidatura e tij u vu në Korçë dhe atje fitoi. Pas zgjedhjes si deputet ai u kthye në atdhe dhe në janar të vitit 1924 duke ndihmuar edhe për bashkimin e elementëve liberal demokrat mori pjesë edhe disa mbledhje të Ansamblesë. Për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore ai u largua nga jeta politike dhe deri më 20 shkurt të vitit 1926 kur edhe ndërroi jetë. Ditët e fundit në qytetin e lindjes.
Lidhjet me Mbretin Zog
Gjenealogjia e familjes tregon se Biçakçinjtë kanë pasur lidhje të ngushta miqësore dhe farefisnore me Mbretin Zog. Josuf Bej Biçakçiu u martua me vajzën e Xhelal Zogut të I, Hedijen, hallën e Ahmet Zogut të I. Jasuf Beu pati 8 fëmijë më të, 5 vajza dhe 3 djem.
Fundi i familjes çifligare
Sot nuk ekzistojnë të dhëna të sakta të shtrirjes së zotërimeve të dikurshme të familjes. Një nga ish rezidencat e tyre sot ndodhet përgjatë rrugës 1 maji në anën perëndimore të Kalasë së Elbasanit. Shteti diktatorial e përdori si muze lufte ndërtesën në fjalë. Shtëpia dallohet për stilin e veçantë të arkitekturës dhe i ka rezistuar mirë kohës edhe pse nuk është rikonstruktuar. Një pjesë e pinjollëve të familjes së madhe çifligare ka jetuar në lagjen “Kala”, por sot është e vështirë të gjesh ndonjërin prej tyre për shkak të largimit nga qyteti. Djali i vetëm i Aqif Pashës nuk la fëmijë për shkak të burgosjes dhe përndjekjes derisa vdiq. Trashëgimtarët e vetëm të Aqif Pashës janë pasardhësit e vajzave të tij që jetojnë në Elbasan.