Bajram Curri (1866-1925)

Bajram Curri (1866-1925) tribuni i vegjëlisë shqiptare, Hero i popullit

Bajram Curri (1866-1925) ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Hero i Popullit, shqiptar nga Malësia e Gjakovës. Ishte pajisur me idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që e përjetoi mjaft të afërt si periudhë, me vrasjen e t’atit, Shaqir agës. Shtëpia e Currve të Gjakovës, kanë qenë kullë bujare dhe e besës. Prej qëndresës së babait të tij trupave turke më 1860 në malësitë e Krasniqes, Mahmud Pasha shtrëngohet të tërhiqet në Gjakovë ku rreshtoi disa anëtarë të familjes së tij dhe parinë e vendit për t’i burgosë në Krushën e Madhe, fshat në rrugën Gjakovë-Prizren.

Këtu, gjatë kohës sa nëna e tij dhe tërë familja ishin në burg, lindi më 1862 Bajram Curri. Pas gjashtë muajsh Sulltan Abdyl Azizi vendos t’i lirojë kosovarët. Duke qenë se Bajramit me kohën iu dëgjua zëri në krahinën e tij, si për kundërshtitë ndaj bejlerëve të Kryeziut, një komandant xhandarmërie e zgjodhi kapiten në Prizren, më vonë major në Prishtinë, e së mbrami kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e gjithë Vilajetit të Kosovës. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900. Udhëheqës i lëvizjes antiimperialiste në Kosovë dhe një nga prijësit kryesor të Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës. Ndihmoi në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. Nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908. Ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, u bëri një qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës.

Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Mbresëlënëse në futjen në dorë të Shkupit është besa e përgjithëshme që u vendos për të mos cënuar rendin e rehatinë e qytetarëve.

Pas vitit 1912 punoi në Kosovë për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë, dhe për zhvillimin arsimor.

Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga udhëheqësit e tij kryesore. I ngarkuar nga ky Komitet, i dërgoi një protestë Konferencës së Paqes në Paris (1919) në të cilën kërkonte që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe që popullsisë shqiptare në Kosovë t’i jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratat kombëtare. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm te forcave të armatosura.

Ai udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e lëvizjes esadiste. Me anë të ndikimit të tij bën të mundur që të dërgojë jashtështeti me bursë shtetnore të rinj premtues, si Rexhep Krasniqi, Xhevat Kortsha e Krist Maloki. Ishte kundër forcimit të pozitave të Ahmet Zogut në shtetin shqiptar, iu kundërvu atij qysh në fillim. Në ndihmë të qeverisë së Tiranës bashkëpunon për paqsimin e situatës në Revoltën e Mirditës. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu u vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të çpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me Elez Isuf Ndreun dhe M. Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.

U vra nga forcat zogiste dhe agjentët e shovinistëve serbë në Dragobi të cilat i udhëhoqi personalisht Ceno beg Kryeziu më 29 mars të vitit 1925.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …