Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 - 1945

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 – 1945

Familja Bajraktari e Drenasit, (ish-Gllogovc) i takon fisit të Elshanëve, njëri ndër fiset antike të Dardanisë, i shënuar  në kohën e Bizantit si Eleuisian. Duke qenë se ky fis është shumë i përhapur sidomos në disa vende e lokalitete të Kosovës, me të drejtë mund të konstatohet se emri i përket shekullit të Katërt para epokës, kur pjesëtarët e këtij  fisi ishin shpërndarë nga Athina në viset e Ballkanit, në Iliri e më gjerë. Antroponimet si Elshan, Alushan, Helshan janë të përhapura ndër shqiptarë dhe pa dyshin se i përkasin periudhës antike të dyndjes së popujve. Baza e emrit të këtij fisi pretendojmë  se i takon fjalës së gjuhës antike ilire- greke Eleusian, shih në Wikipedia te misteret Eleusian (në greqisht e lashtë: (Ἐλευσίνια Μυστήρια, latinisht, I misteri degli eleusini )

 

Familjet tradicionale atdhetare në Kosovë e më gjerë nëpër shekuj kanë trashëguar besën, qëndresën dhe mobilizimin popullor  për ta ruajtur qenien në raste të rrezikut nga të huajt. Ndër familjet e njohura të Drenicës, e cila njihet për rezistencë nga brezi në brez është edhe familja Bajraktari, e Drenasit.

I pari i kësaj familje,  Ali Bajraktari, i fisit të njohur antik të Helshanëve ( elusianëve, të kohës së moçme)  thuhet se ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kjo e dhënë është përcjellë nga familjarët, nga brezi në brez.  Aliu ishte djali i Hajrë Ahmet Bajraktarit. Këto të dhëna gojore, të evidentuara nga anëtarët e familjes i ka prezantuar, studiuesi, Islam Dobra në librin e tij:  “Krerë dhe prijës të lëvizjes kombëtare nga Drenica”, botuar në Prishtinë, në vitin  1996.

Mbi bazë të këtyre shënimeve janë botuar edhe shkrime të ndryshme, në të cilat është paraqitur aktiviteti atdhetar i kësaj familjeje, e cila me vetë faktin se mbanë mbiemrin Bajraktari, flet për një familje të njohur, flamurtare të kohës së Perandorisë Osmane. Mbiemri Bajraktari është mjaft i përhapur ndër shqiptarë, por edhe te popujt e tjerë të kohës së Perandorisë osmane. Del mjaft i përhapur  edhe në Kosovë.

Qysh në shekullin XVII, Turqit  i ndanë krahinat malore të Shqipërisë veriore në njësi të vogla administrative territoriale. Këto njësi u quajtën bajraqe (nga turqishtja bajrak=flamur). Në disa vise bajraku përputhej me shtrirjen territoriale të fisit, kurse në disa raste, për shkak të shtegtimeve të malësorëve të ndodhura në shek. XVII, bajraku përfshinte një varg fshatrash të afërta, banorët e të cilave nuk kishin lidhje fisnore midis tyre. Në krye të çdo bajraku u emërua një bajraktar (flamurtar). Ky do të përfaqësonte banorët e bajrakut pranë autoriteteve shtetërore. Bajraktarët u futën nën vartësinë ushtarake të mytesarifëve sikur ata të Shkodrës, Dukagjinit, Pejës ose Dibrës. Vetëm bajraqet e krahinës së Mirditës u bashkuan në një njësi administrative teritoriale më të gjerë, në krye të së cilës u emërua një krye-bajraktar që mori titullin kapedan”.(Alb-forumi, Shqipëria com.)

Bajraku në “Kanunin e Lekë Dukagjinit” përkufizohet si njësi e një  instance ligjore, e cila tubonte  dy apo më shumë fise, lidhur me ndonjë trajtim juridik të nivelit krahinor në shtrirjen horizontale organizative, krerët e fshatit, të fisit dhe në fund. të Bajrakut. (At Shtjefen Gjeçovi: Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër  1933)

Familja Bajraktari e Drenasit ashtu sikur edhe shumë krerë të tjerë të familjeve të mëdha shqiptare, kanë marrë pjesë në luftërat  e Perandorisë Osmane, sidomos deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Duke parë se Perandoria Osmane nuk po arrinte të ruante dominimin në Ballkan, me humbjen e luftës në Plevne të Bullgarisë, në vitin 1877, popujt sllavë të mbështetur fuqishëm sidomos nga rusët por edhe shtetet e mëdha të Evropës filluan sulmin masiv kundër turqve, shqiptarëve, çerkezëve, hebrenjve dhe qytetarëve të tjerë  të Perandorisë.

Pikërisht në këtë kohë, dhjetëra bajraqe shqiptare kishin luftuar prej Prokupjes deri në Nish e më tutje me qëllim për t’ i ruajtur lokalitetet autoktone shqiptare në veri  deri në krahinën e Nishit e të Toplicës. Në ato luftëra kanë rënë bajraktarë të njohur nga Drenica, Anadrini, Gjilani, Kumanova, Prizreni, Llapi. Luma e Dibra etj. Po ashtu disa decenie më parë, po këto e shumë bajraqe të tjerë kishin luftuar edhe kundër grekëve, të cilët pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1821 dhe pas prerjes së kohës së Ali Pashë Tepelenës nga regjimi i Sulltan Mahmudit të Dytë,  kishin filluar të i masakronin shqiptarët e besimit islam.

Edhe këtë pjesë të historisë sonë e ka shënuar historia por edhe këngëtari popullor në këngën për Ibrahim Pashën, djali Mehmet Ai Pashë Misirit. Ai me një ekspeditë ushtarake dhe me ndihmën e bajraqeve nga katër vilajetet shqiptare kishte ndëshkuar grekët të cilët pas shpalljes së pavarësisë, sidomos në vitet 30 të shekullit 19-të  kishin filluar t’ i masakronin e t’ i dëbonin shqiptarët e besimit islam nga viset e tyre.

Këngëtari anonim popullor shqiptar u ka kënduar atyre heroizmave dhe tragjizmit shqiptar të kohës, kur gjaku i shqiptarëve po derdhej rrëke nën Flamurin e Perandorisë, kur luftonte e lahej në gjak shpata e  Dan Zatriqit, por nami i luftës i mbetej Pashë Maliqit. (Maliq Pashë Gjionolli, pasha i njohur shqiptar i shekullit 19-të)

Të dhënat gojore, të interpretuara nga brezi në brez bëjnë të ditur se i pari i kësaj familjeje, Ali Hajrë Bajraktari kishte marrë pjesë në rezistencën popullore të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Ai, thuhet se ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Marinës në Drenicë në vitin 1903.

 Ali Bajraktari ishte një nga prijësit e rezistencës me armë kundër Reformës mbi Tatimin e Maleve në vitin 1887. Aliu ishte pjesëmarrës i Kuvendit të Morinës më 1903.

(Avni Alija, 28 prill 2017, Bota Sot)

Më 26 mars 1903 mori pjesë në fushën e Morinës, në Kuvendin historik të Drenicës, të cilin e udhëhoqi, Ahmet Delia. Në atë Kuvend  u vendos të kundërshtohen reformat turke. Pas tri ditësh, më 29 mars, qindra  luftëtarë të Drenicës  nën drejtimin e Ramë Lutanit e morën Vushtrrinë u nisen për në Mitrovicë për t´u ndihmuar vëllezërve shaljanë, të cilët e kishin sulmuar qytetin dhe kërkonin dëbimin e menjëhershëm të konsullit rus, Shçerbinit, i cili me një anë përfaqësonte diplomacinë ruse në Kosovë e në anën tjetër si oficer i lartë i artilerisë merrte pjesë tinëzisht  në çetat e bandat serbe të cilat i sulmonin shqiptarët. Beteja kishte qenë përgjakshme, me ç rast ishte vrarë edhe konsulli rus Shçerbin. (Portali Njëkomb).  Ky veprim i konsullit rus në Mitrovicë i irritoi nizamët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane e veçmas rreshterin, Ibrahim Halit Popovcin nga fshati Sukë afër Llashticës në kazanë e Gjilanit. Duke qenë i vetëdijshëm se shkaktar i gjakderdhjes ishte konsulli rus, ai shtiu kundër tij dhe e vrau.  Pas këtij atentati, Ibrahim Popovci, edhe pse i plagosur, bëri përpjekje t iu bashkohej radhëve të  kryengritësve  shqiptarë, por ushtarët osmanë e zunë dhe më pas u dënua me burg të përjetshëm. Edhe pse iu kishte ulur dënimi në dy vjet pas një  viti, vdes  në burgun e Shkupit.  (Gjilanasi që vrau konsullin rus në Mitrovicë në vitin 1903. Naim Musliu http:www.albeu.com)

Në luftë kundër depërtimit të forcave serbe e sllave në trojet shqiptare Ali Bajraktari emëron djalin e tij Dërgutin në krye të bajrakut. Mirëpo serbët e likuidojnë  Dërgut Ali Bajraktarin, në bjeshkën e Baicës së Elshanit në Kozmaq, ku vrasin 46 shqiptarë  në vitin … I Dobra???

 Në krye të Familjes së gjerë Bajraktari sipas radhës e traditës, emërohet Brahim Bajraktari i cili qysh i ri iu bashkohet  çetave çlirimtare të Drenicës, të cilat pas rënës së Azem Galicëçs ishin shpërndarë në grupe të vogla dhe vepronin nëpër  malet e Drenicps dhe të Kosovës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Brahim Bajraktari ishte anëtar aktiv në Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve dhe në organizimin e Forcave Vullnetare në mbrojtje të Shqipërisë etnike, e cila ishte krijua me rastin e depërtimit të forcave  shqiptare-italiane në Kosovë në  verë të vitit 1941.  Ata që e njohin historinë e kombit dhe copëtimit të Shqipërisë nga fqinjët me bekimin dhe lejimin e Evropës, ata që e kanë përjetuar mbi kurriz regjimin ultra-fashist jugosllav, ata që kurrë nuk u pajtuan me robërinë dhe copëtimin e trojeve shqiptare, e dinë mirëfilli se sa i përket pushtimin italo-gjerman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni kemi të bëjmë me dy realitete, me dy histori me dy mendësi krejt të kundërta.

  1. Invadimi italian në Shqipëri ishte okupim klasik, meqë Shqipëria ishte vend i pavarur dhe sovran.
  2. Invadimi italo-shqiptar e më vonë gjerman në Kosovë, Maqedoni dhe në viset e pushtuara shqiptare nga Jugosllavia, për shqiptarët nuk ishte pushtim, por çlirim nga një regjim shumë fish më fashist sesa regjimi fashist italian e gjerman. ( Ahmet Qeriqi Luftëtarë të NDSH-së 1945-1950 II, Prishtinë 2016)

Me formimin e Forcave Vullnetare për Mbrojtjen Etnike shuhet edhe Bajram Dërgut Bajraktari. Ai është komandant për sigurimin dhe dërgimin e forcave vullnetare për në Sanxhak, Kolashin e Mal të Zi. Asokohe luftëtarë e Drenicës të Shalës e Artakollit me pak forca kishin mbajtur Fronin në Kollashin në fund të vitit 1943. Në ato beteja të përgjakshme por edhe heroike, por shumë të tjerëve,  bien  në altarin e Atdheut: Hasan Bajraktari dhe Ramadan Bajraktari.

Me rastin e strukturimit të Lëvizjes Nacional Demokratike shqiptare, në krye të së cilës ishte, profesor,  Ymer Berisha, Bajram Bajraktari ishte emëruar komandant i Batalionit të Katërt të Drenicës. Ai asokohe kishte pasur për  detyrë të mobilizonte luftëtarët shqiptarë në mbrojtje të viseve etnike, sidomos në Kollashin, në Sanxhak dhe në vise të tjera ku depërtonin forcat çetnike, partizane dhe forcat okupatore bullgare.

“ Në tetor të vitit 1944, Batalioni i Rakoshit, pas luftës në Plloçicë… vendoset në Novosellë e Divjakë në Drenicës jugore, me disa të plagosur. Rifat Berisha i dërgon një letër Bajram Bajraktarit me kërkesë që ai me Batalionin e tij të depërtojnë në malet e Qyqavicës, por ai nuk pranon, madje e kërcënon se nuk do t i lë vend në Drenicë”… (“Krerë dhe prijës të lëvizjes kombëtare nga Drenica”, botuar në Prishtinë në vitin  1996, faqe 153).

 

Pas thyerjes së rezistencës së Shaban Palluzhës  në Drenicë, në janar shkurt të vitit 1945 ku kishin rënë mijëra luftëtarë, ata që kishin shpëtuar  ishin riorganizuar në radhët e NDSH-së, me qëllim të kundërshtimit me armë të regjimit komunist jugosllav, i cili gjatë Luftës Antifashiste i kishte mashtruar shqiptarët e Kosovës, duke u premtuar Vetëvendosje dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, pas çlirimit nga forcat italiane e gjermane. Në pranverë të vitit 1945….(data) forcat partizane jugosllave të Sava Dërleviqit, i cili kishte komanduar luftën kundër forcave atdhetare të Shaban Palluzhës Mehmet Gradicës e krerëve të tjerë, kishin filluar të arrestonin dhe të dënonin me gjyq e pa gjyq të gjithë ata që kishin marrë, pjesë në mbrojtje të Drenicës. Ndërkohë ishte arrestuar edhe Bajram bajraktari të cilin forcat e OZN-së e kishin likuiduar në Skënderaj më …. ( mundësisht të saktësimet data)

Në Lëvizjen atdhetare të vite 60 e 70 të shekullit XX, udhëhequr nga veprimtari dhe simboli i Rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, nga Familja Bajraktari iu kishte bashkuar atyre radhëve edhe, Dibran Veli Bajraktari. Ai ishte dënua me 13 vjet burg në vitin 1975  prej të cilave i ka mbajtur 7 vjet.

Kjo familje me traditë shekullore atdhetare që në fillim iu kishte bashkuar  edhe radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në luftime ballë për ballë kundër forcave ushtarake e policore serbe kanë rënë: Halim Ramadan Bajraktari në mbrojtje të pozicioneve në Gradinë në malet e Llapushnikut e të Berishës, Halil Mehmet Bajraktari ka rënë gjatë luftimeve në Fronin e luftës në Koshare, ndërsa Rrahim Islam Bajraktari po ashtu një luftëtar ndër më të  përkushtuarit të  ka të në mbrojte të pozicioneve në bjeshkët e Kozmaqit. Gjatë luftës nga kjo familje kanë rënë dhe janë martirizuar edhe Shpend Ali Bajraktari, Bekim Murat Bajraktari, Arben Murat Bajraktari, Muhamet Osman Bajraktari, Hasan Imer Bajraktari dhe Ekrem Sylë Bajraktari.

Rezistenca heroike e kësaj familjeje që nga koha e Perandorisë Osmane e deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999 ka qenë rezistencë tipike shqiptare, që ka dhënë dëshmorë në çdo luftë çlirimtare

Literatura:

Islam Dobra: Krerë dhe prijës të lëvizjes kombëtare nga Drenica, botuar në Prishtinë në vitin  1996

Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së 1945-1950 II, Prishtinë 2016

At Shtjefen Gjeçovi: Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër  1933)

Avni Alija, 28 prill 2017, Bota Sot

Naim Musliu: Gjilanasi që vrau konsullin rus në Mitrovicë në vitin 1903. http:www.albeu

Portali Njëkomb

Alb-forumi, Shqipëria com

I misteri degli eleusini, google internet

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …