Në njëvjetorin e vdekjes, përkujtohet veprimtari Bajram Mehmetaj

Në njëvjetorin e vdekjes, përkujtohet veprimtari Bajram Mehmetaj

Baram Mehmetaj u lind më 1935 në fshatin Pozhar të komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike dhe luftarake. Të parët e kësaj familje më shumë se dyqind vjet rrjesht luftuan kundër pushtuesve të ndryshëm. Nga kjo familje dolën mbi 30 dëshmorë, disa prej tyre me tituj heronjësh e luftëtar të përmasave gjithëkombëtare. Kullat e kësaj familje dogjen katër herë nga pushtuesit e ndryshëm. Në këto kulla u bënë dy beslidhje të njohura historikisht. Familja e Ali Mehmetit të Pozharit kishte lidhje të forta me Sadik Ramën e Gjyrgjevikut e Hasan Prishtinën, ideolog të lëvizjes kombëtre. Ali Mehmeti ishte ndër të parët luftëtarë besnik i idealeve kombëtare që u ngrit kundër synimeve okupuese të Malit të Zi dhe Serbisë. Gjyshi i Ali Mehmetit, Ali Rexha, u vra me 1876, diku në rrethinat e Prekuples në mbrojtje të shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, ndërsa i ati, Mehmet Alia, i cili ishte edhe kreu i fisit të Berishës u vra me 6 shtator të vitit 1878 në Gjakovë në luftimet që u zhvilluan kundër Mehmet Ali Pashë Maxharrit i cili kishte ardhur për të bërë pazare me tokat shqiptare. Familja jonë e mbanë mbiemrin Mehmetaj në bazë të Mehmet Alisë së Pozharit, i cili është kapitull në vete i historisë sonë kombëtare. Familja e Bajram Mehmetajt dhe rrethi i tij familjarë ishin vatër e rezistencës më shumë se dy shekullore. Ata qëndruan në ballë të shumë luftërave që i zhvilluan kundër Malit të Zi e Serbisë. Për këto shkaqe edhe Bajram Mehmetaj, që nga fëmiria, kaloi nëpër shumë krajata, rreptica e presekutime të vazhdueshme nga organet e pushtetit okupues. Në moshën 7 vjeçare bashk me gjithë familjën e tij qëndron në burgun famëkeq të Gjakovës, në Rrugën e Shkive në Gjakovë. Tërë jetën familja e Bajram Mehmetajt por edhe ai vet, ka qenë i presekutuar nga regjimi i kohës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, atë të mesmen në Gjakovë e Prishtinë e Fakultetin –dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Prishtinë në vitin 1968. Aty më vonë i kreu edhe studimet pasuniversitare ku dhe mbrojti punimin e magjistraturës: “Morfologjia dhe fjalëformimi në të folmën e Deçanit më rrethinë”. Pas përfundimit të studimeve pasuniversitare, angazhohet në tezën e doktoraturës: “Lidhzat në shkrimet e vjetra shqipe shek.XV-XVIII”. Mirpo pasi që ishte larguar nga procesi mësimor në vitin 1981 bashkë me të vëllanë Ahmetin për shkak se i kishte përkrahur demonstratat e vitit 1981 dhe nuk ishte distancuar nga drejtuesit e këtyre demonstratave, për këtë arsyje tema e doktoraturës nuk i lejohet për ta vazhduar. Tërë jetën ia kushtoj arsimimit dhe shkollimit të brezave. Që nga mosha 17 vjeçare punësohet në arsim. Ka shërbyer fillimisht në Brodosanë-Dragash, në Lumbardh e pastaj ka vazhduar si arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore në Irzniq deri sa është larguar nga procesi mësimor për shkaqe politike, sepse fëmijët e tij kishin marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe organizimet ilegale të kohës. Për shkak të largimit nga puna dhe të përndjekjeve të vazhdueshme në vitin 1983 shkon për të punuar në Slloveni, si punëtor krahu në rrethin e Celjes. Edhe në Slloveni pas një kohe të shkurtër bjen në kontakt me shumë veprimtar dhe aktivistë që merreshin me organizimin dhe senzibilizimin e opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar mbi shkeljen e lirive dhe të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Slloveni, Mr.Bajram Mehmetaj ka organizuar disa herë protesta, peticione e shkresa të ndryshme më qëllim që ti tregohet opinionit të jashtëm për represaljet dhe dhunën e pushtetit serb ndaj popullatës në Kosovë. Bajram Mehmetaj ka qenë i angazhuar dhe ka punuar tërë jetën për rrëzimin e sistemit komunist në Jugosllavi, sepse ka pasë shumë të këqija ai dhe familja e tij nga ky sistem. Në gusht të vitit 1986, për shkak të veprimtarisë së lartpërmendur kundër Jugosllavisë, arrestohet nga Sigurimi Ushtarak i Armatës Jugosllave, bashkë me të birin Fatonin. Pas nëntë muajsh hetime, tortura e malltretime, Bajram Mehmetaj është liruar, kurse Faton Mehmetaj është dënuar më burgim të lartë nga Gjykata Ushtarake në Lubljanë, me akuzën për spiunazh kundër Jugosllavisë, për mbledhje të të dhënave për rrënimin e ushtrisë jugosllave, për bashkëpunim me diplomatë të shteteve kapitaliste, për propagandë dhe agjitacion të rrejshëm kundër Jugosllavisë tek shtetet kapitaliste etj., sipas neneve 133 dhe 138 të Ligjit Penal të Jugosllavisë. Pasi lirohet nga burgu hetues i gjykatës ushtarake në Lubjanë, detyrohet të largohet nga Sllovenia dhe të kalon në shtetet e Evropës për të shkuar më pas në SHBA. Në shtetet e Evropës ka qendruar nga viti 1989 deri në vitin 1996, tek kusherinjët e tij, sidomos tek Sadik Berisha e Riza Berisha të fshatit Pozhar të cilët ishin më punë në Zvicer. Gjatë kësaj kohe Bajram Mehmetaj është marrë me organizimin e aktiviteteve në shërbim të vendit. Ka mbajtë lidhje të forta më krerët e emigracionit në shtetet e Evropës, shtetet Skandinave e në SHBA. Prej vitit 1996 shkon tek fëmijët në SHBA ku qëndron deri në vitin 1998. Gjatë kësaj kohe është marrë më aktivitete të organizatës së “Lidhjes së Prizrenit” në SHBA. Atje ka organizuar dy tri konferenca për shtyp lidhur me problemet e Kosovës duke kërkuar edhe mbështetjen ndërkombëtare. Në gusht të vitit 1998, vjen nga SHBA-të dhe i bashkohet UÇK-së. Është ndër të rrallët intelektual që e ka lënë punën në përendim dhe iu ka bashkuar UÇK-së. Që nga viti 1975 e deri në fund të jetës së tij është marrë më shkrime. Botoi artikuj nga lëmenj të ndyshëm të gjuhës shqipe, por ka botuar edhe një varg fejtonesh, ndër to edhe fejtonet: Aksioni i UDB-së për mbledhjen e armëve në vitin 1956, Përbaltosja e Revolucionit nga OZN-a, Rrezistenca Shqiptare në vitet e 50-ta, Prinë Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti dijetar i madh i popullit shqiptar, Lufta e Botushës “Ngujimi i Junikut” (16 tetor- 8 nëntor 1944) e shumë artikuj tjerë. Ka shkruar dhjetra shkrime biografike për luftëtarët e rezistencës sidomos të Deçanit më rrethinë. Ka shkruar shumë kritika e recensione. Ka shkruar tri libra, “Dyzet vjet me çetat kaçake”, “E folmja e Deçanit me rrethinë-morfologjia dhe fjalëformimi”, “Fjalor dialektor i së folmës së Deçanit”. Bajram Mehmetaj ka qenë prodhimtar i madh, ka lënë shumë shkrime dhe punime të shumta që u shërbejnë brezave si një pasuri e madhe shkencore. Ka ndërruar jetë më 7.11.2019, pas një sëmundjeje të shkurtër.

 

Halit Mehmetaj New York 7.11.2020

Kontrolloni gjithashtu

Sot, ishin vizitë në Radion Kosova e Lirë, Tefta Cami, Izmina Haxhiaj, Dhurata Fida Bardoniqi dhe Zirako Sela

Sot, vizituan Radion Kosova e Lirë, Tefta Cami, Izmina Haxhiaj, Dhurata Fida-Bardoniqi dhe Zirako Sela

Sot, në një vizitë të veçantë në Radion Kosova e Lirë,” ishin të pranishme ish-ministrja …