Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bajrush Xhemaili përmes një postimi ka kërkuar që institucionet shtetërore që të bëjnë më shumë për të gjykuar dhe sjell para drejtësisë ata që kanë bërë masakrën e Dubravës 21 vite më parë. “Tani më, përmasat e llahtarshme të Masakrës së Dubravës, i dinë të gjithë ata të cilët kanë dashur t’i dinë, e shumëkush është mërzitur e pikëlluar! Por ka pak nga ata në institucione shtetërore, të cilët kanë bërë për t’u ndriçuar e për të ngritur në instanca ndërkombëtare për tu gjykuar kriminelët, të cilët shëtisin lirshëm nëpër Serbi! Aq më keq, që padia të cilën e kemi ngritur ne, të cilët mbijetuam nga kjo masakër morbide, ka hasur në vesh të shurdhër, që në fillim, nga organet shtetërore të Republikës sonë!!! Uroj të kthjellemi, e të kryejmë obligimin shtetëror ndaj të gjithë atyre të vrarëve, të plagosurve dhe ne ve që mbijetuam këtë tmerr, për të nxjerrë para gjyqit, të gjithë ata të cilët kryejtën këtë krim makabër”, ka shkruar ai.
