Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka pritur në një takim menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e mëtutjeshëm në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (ARDP) të BB-së, përmes të cilit investimet në sektorin e bujqësisë do të arrijnë vlerën prej 20.8 milionë euro. Ministri Rikalo falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen që kanë dhënë deri më tash për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, si dhe angazhimin e tyre në shumë projekte të rëndësishme në këtë sektor. Duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejmë në kuadër të vazhdimit të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të BB-së, ministri Rikalo theksoi nevojën që kjo mbështetje në kuadër të këtij projekti të shtrihet në sektor të ndryshëm të bujqësisë, duke ndikuar kështu zhvillimin e mëtejmë të bujqësisë në vend, rritjen e prodhimit dhe motivimin për t’u marrë me bujqësi.
Nga ana tjetër, menaxheri i BB-së, Marco Mantovanelli, vlerësoi zhvillimet e deritashme në avancimin e sektorit të bujqësisë në vend dhe rikonfirmoi gatishmërinë e BB-së për mbështetjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë përmes projekteve konkrete në kuadër të vazhdimit të projektit për këtë sektor. Ai ka treguar se përmes këtij projekti katërvjeçar, i cili arrin vlerën prej 20.8 milionë euro, synojnë avancimin e një sektori bujqësor konkurrues, produktiv dhe të qëndrueshëm.Të dy u pajtuan se suksesi i deritashëm i projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që zbatohet nga MBPZHR dhe BB, duhet të jetë bazë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Ndryshe, vitin e kaluar Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar marrëveshjen financiare me Bankën Botërore për vazhdimin e Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për katër vitet e ardhshme.