leoni

Banorët e Dragobilit dhe Burimit, kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës për asgjësimin mbeturinave, barnave dhe mbetjeve spitalore

Të enjten në Malishevë, është organizuar një debat publik, lidhur me raportin e vlerësimit për ndikimin në mjedis, për fabrikën për asgjësimin dhe riciklimin e mbeturinave, në Dragobil, Komuna e Malishevës. Ky debat ishte organizuar nga “Princi Company” si investitor dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë. Në këtë debat, banorët e Dragobilit dhe të Burimit, e kundërshtuan ashpër ndërtimin e kësaj fabrike, pasi në raportin e prezantuar, u tha se do asgjësohen barnat e skaduara dhe mbetjet spitalore.

Hartuesi i raportit, Rraif Bytyçi, i cili prezantoi raportin e bërë, megjithatë, nuk dha përgjigje në shumë prej pyetjeve të bëra nga banorët, qoftë për largësinë mes fabrikës dhe vendbanimit, qoftë për filtrin e paraparë që të përdorët, sikur nuk dha përgjigje për gjendjen e ujërave, përkatësisht burimeve të ujit, edhe pse të gjitha këto, sipas banorëve, do të duhej të përfshiheshin në raport.

Mirëpo, ajo që ishte më interesante, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, të cilët kanë miratuar kërkesën e kompanisë në fjalë, për ndarjen e një lokacioni për ushtrimin e veprimtarisë, thanë se nuk kanë qenë të njoftuar lidhur me aktivitetin e kompanisë. Edhe pse zyrtarët e kompanisë deklaruan të kundërtën, anëtarët e Kuvendit të Komunës, prezent në debat, ofruan procesverbalet, përmes së cilave, vërtetohet se kanë votuar diçka tjetër, e jo për ndërtimin e një fabrike për asgjësim të barnave dhe mbetjeve spitalore.

Në raportin e prezantuar, nuk u paraqit as ndonjë plan veprimi për raste emergjente, ku do të mund të shkaktohej ndotje në masë e ambientit.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Shukri Shabani, tha se ministria do ti zbatoj rregullat dhe procedurat e saj, para dhënies ose mosdhënies të pëlqimit për ndërtimin e kësaj fabrike.

Gjatë debatit, banorët e të dy fshatrave, u shprehën kategorik, për mos lejimin e ndërtimin të fabrikës për këtë lloj veprimtarie, dhe për këtë gjë kërkuan nga ministria, por edhe nga organet komunale, që ta ndalojnë, në të kundërtën, për shkak të afërsisë së vendbanimit, banorët do të duhet të reagojnë në të gjitha format e mundshme për mbrojtjen e jetës së tyre nga ndotja që mund të shkaktohet.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …