Diskutohet për të bërë një referendum për Enver Hoxhën. Dakord. Por debati që është hapur në ‘DITA’ mund të zgjerohet edhe më tej për shumë figura dhe ngjarje të historisë sonë kombëtare. Sepse shqiptarët gjithmonë janë gjetur në shumicën e kohës të ndarë e të përçarë, bile ndonjëherë janë rreshtuar në anën e gabuar, për të arritur synimet e tyre karrieriste ose të luftës për pushtet. Kthimi i kokës prapa është domosdoshmëri.
Sot në Tiranë në vendet më të frekuentuara nga populli dhe turistët janë ekspozuar bustet e tradhtarëve, me të vetmin qëllim të mohohet Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të rehabilitojnë tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e fashizmit! Shikoni: Statuja e Zogut ka zënë Bulevardin kryesor të Tiranës! Ismail Qemali është i fshehur pas një ferre. Enver Hoxha u hoq nga sheshi “Skënderbej” nga ata që sollën shkatërrimin e vendit dhe i kanë bërë njëmijë e një të zeza kombit shqiptar!
Qeveria, Presidenti duhet t’i kthejnë nderin vendit duke shfuqizuar disa dekrete që u bënë për të nderuar gjithë kriminelët, banditët, kolaboracionistet e diversantët! Historia duhet të rishikohet por jo të manipulohet! E vërteta ekziston dhe duhet pohuar!
Xh. Staravecka te libri i tij “Para gjyqit të Historisë” shkruan: “Qazim Koculi që çliroi Vlorën më 1920, në 7 Prill 1939 u bashkua me Italinë fashiste dhe u vra nga një bashkëpunëtor tjetër i Italisë, Halil Alia nga Dibra! Sot Halil Alisë i është ngritur lapidar nga pinjollët e fashizmit!
Zogu injoroi Luftën e Vlorës kur u bë mbret edhe Luftës Nacionalçlirimtare ju kundërvu dhe pas çlirimit e mohoi! Ai edhe pse ne azil nuk rreshti se punuari me organizatat tradhtare për t’i bërë varrin Shqipërisë! Dihet nga të gjithë se kush është Zogu dhe si erdhi në pushtet!
Shqipëria e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut nuk ishte dardha e 7 Prillit 1939 kur “Heroi” i Burgajetit e braktisi dhe ia mbathi jashtë me gjithë oborrtarë e thesarin e vjedhur! Çlirimi i Shqipërisë është epopeja e shkëlqyer e popullit trim shqiptar.
Prandaj le t’i themi gjërat hapur.
Kush është Enver Hoxha ? Enver Hoxha është udhëheqës i madh e i lavdishëm i PPSH-së, shtetit dhe i popullit shqiptar. Themeluesi dhe organizatori i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Prijës legjendar, organizator e strateg i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e i revolucionit popullor. Themelues e Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Krijues e drejtues i pushtetit popullorë, burrë shteti i shquar dhe arkitekt i Shqipërisë Socialiste. Personalitet i shquar i revolucionit ndërkombëtar dhe i luftës çlirimtare të popujve të shtypur. Figura më e madhe historike e kombit shqiptar, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut e popullit shqiptar. Enver Hoxha ngriti kurdoherë lartë zërin e tij të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave kombëtare e demokratike që u takojnë vëllezërve shqiptarë të Kosovës. Nën drejtimin e Tij shtetit shqiptar bëri hapa vigane në të gjitha drejtimet.
Ai zhduku gjakmarrjen dhe hakmarrjen, ngriti një shërbim profilaktik shëndetësor falas dhe zhduku sëmundjet shekullore të popullit shqiptar si tifoja, malaria e sëmundje të tjera ngjitëse. E çoi Shqipërinë nga legjenda e misrit te sigurimi i bukës në vend, nga parmenda te prodhimi i traktorit të markës shqiptare,nga pushka me gjalmë të avionët e raketat,nga 75% analfabet në zhdukjen e analfabetizmit, nga bishtuku e pisha te drita elektrike në çdo shtëpi. Ai zhduku taksat dhe taksidarët që ja merrnin gjakun popullit!
Në vitet e socializmit jetëgjatësia e popullit arriti 71.6 vjet në krahasim me vitin 1964 ku ishte 64.9 vjet ose 38.3 në vitin 1938. Çdo vit futeshin 45-50 mijë forca të reja në punë. Çdo shtetas kishte 0.84 frymë ne ngarkim sot ka familje e fshatra të tëra që nuk marrin asnjë të ardhur. U bëmë vendi i parë në botë për nga numri i digave për fryme, ndërsa sot jemi pa ujë e pa drita, që të paktën këto të dyja sot duhej të ishin pa lekë, pasi janë ngritur nga kontributi i të gjithëve.
Prandaj Shtatorja e Enver Hoxhës e ka vendin te “Sheshi Skënderbej” atje ku e vendosi populli dhe të hiqen bustet e atyre që e shitën dhe i bënë varrin Shqipërisë! Ai e udhëhoqi Shqipërinë për gjysmë shekulli dhe historia jonë pak më shumë se 100-vjeçare e shtetit shqiptar pjesëtohet për dy.