Bardhul Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: “Drejtësia” raciste e Shkupit dhe i ashtuquajturi “Rasti i Kumanovës”

Të gjithë ata që i kanë përcjellë zhvillimet politike në Maqedoni, sidomos publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike të bartësve të institucioneve shtetërore, janë bindur plotësisht për faktin se Nikolla Gruevski dhe Sasha Miallkovi me partinë e tyre VMRO e shndërruan Maqedoninë në shtet që aplikonte diskriminimin racial kundër shqiptarëve autokton.

Rikujtojmë se me nocionin “diskriminim racial” me konventat ndërkombëtare nënkuptohet çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferenca që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, gjuhën apo fenë dhe që ka për qëllim pamundësimin e njohjes dhe realizimit të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në politikë, ekonomi, kulturore dhe në çdo fushë tjetër të jetës publike.

Në reagimin tim nuk do të zgjerohem në të gjitha fushat ku është aplikuar diskriminim racial. Këtë çështje e kam trajtuar më gjerësisht në “Platformën anti diskriminim të shqiptarëve”. Po ndalem vetëm në aspektin e zbatimit të kësaj, diskriminimit racial në fushën e drejtësisë. Pas përfundimit të luftës së vitit 2001 dhe sidomos pas realizimit të plotë të marrëveshjes për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare: – Mbi 2000 ish ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë torturuar nëpër hetuesinë e shtetit maqedonas, për të pranuar veprat penale të cilat nuk i kanë kryer; – Qindra ish ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë dënuar me dënime të rënda dhe kohëzgjatje të mëdha “për vepra kriminale” që nuk i kanë kryer dhe që kanë qenë të detyruar t’i pranojnë nën torturat e tmerrshme; -Dhjetëra ish ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë dënuar me burgim të përjetshëm, “për vepra kriminale” që nuk i kanë kryer dhe që kanë qenë të detyruar t’i pranojnë nën torturat e tmerrshme; – Edhe pse Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar më 12 dhjetor 1994 “Konventën kundër torturës, veprimeve dhe dënimeve mizore, trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese” realiteti dëshmon të kundërtën: shqiptarët rrihen, poshtërohen, çnjerëzohen, keqtrajtohen, torturohen, dënohen dhe vriten me bekimin e autoriteteve politike të Shkupit.

Shumë shpesh, opinioni publik kombëtar dhe ai ndërkombëtar, patën mundësi të shihnin pamje të tmerrit dhe torturave të hetuesisë maqedonase ndaj shqiptarëve që ishin kryer në funksion të detyrimit për t’i pranuar veprat që nuk i kanë kryer.

Shumë shpesh, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë dënuar dhunën dhe terrorin fizik e psikologjik, që autoritetet e Shkupit përdorin gjatë hetuesisë.

Në vitin 2010 edhe autoritetet më të larta shtetërore dhe forcat politike të Maqedonisë pranuan publikisht se në Maqedoni gjyqësia ka qenë dhe është nën ndikimin e partive politike. Pranimi publik i këtij ndikimi u dëshmua katërçipërisht pas fillimit të publikimit të përgjimeve të bisedave telefonike të bartësve të institucioneve shtetërore.

Nga publikimi i përgjimit të parë më 15 shkurt 2015, që për opinionin publik njihet si “shpërthim i bombave të Zaevit”, e deri në shpërthimin e bombave të vërteta në Lagjen e Trimave në Kumanovë opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar pati mundësi të dëgjojë disa sekuenca të montimeve të proceseve gjyqësore kundër shqiptarëve. Madje Zaevi pati premtuar se do të zhvishte tërësisht implikimin e strukturave shtetërore të Maqedonisë në montimin e rastit “Monstra”!

Edhe në rastin e shpërthimit të bombave të vërteta në atë që quhet “Rast i Kumanovës” Zoran Zaevi ka deklaruar publikisht se tërë skenari ishte kurdisur nga strukturat shtetërore të Maqedonisë për të imponuar heshtjen e aferave që nxirrnin në shesh përgjimet telefonike.

Të dy palët joshqiptare, Nikolla Gruevski e Sasha Miallkovi nga njëra anë dhe Zoran Zaevi në anën tjetër ia arritën qëllimit. U bë marrëveshje për mospublikimin e mëtejmë të bisedave telefonike dhe u organizuan zgjedhjet e parakohshme.

Gjatë gjithë fushatës parazgjedhore në Maqedoni partitë opozitare të VMRO-së premtuan, ndër të tjera, se do të hiqet ndikimi i partive politike në gjyqësor dhe do të krijohet një gjyqësie e pavarur.

Edhe pas ndryshimeve në udhëheqjen e institucioneve politike tërë procesi i hetuesisë dhe i gjyqësisë në atë që quhet “Rast i Kumanovës” mbeti në duart e hetuesve dhe gjyqtarëve që ishin emëruar në ato pozita nga Nikolla Gruevski dhe Sasha Miallkovi. Të propagandohet vazhdimisht për domosdoshmërinë e heqjes së ndikimeve partiake në drejtësi dhe t’ua lësh në duar rastin më të ndjeshëm xhelatëve partiak të kamufluar me petkun e drejtësisë është krim i llojit të vet.

Dënimi i tetë shqiptarëve me burgim të përjetshëm dhe i 25 shqiptarëve tjerë me 746 vjet burgim nuk mund të kishte epilog tjetër. Këto dënime nxjerrën në shesh faktin se institucionet e drejtësisë në Maqedoni vazhdojnë politikën e diskriminimit racial kundër shqiptarëve.

Por, gjërat nuk përfundojnë me kaq. Populli shqiptar e ka një shprehje të njohur:

“Dardha e ka bishtin pas”! Dënimet e motivuara nga urrejtja dhe të montuara politikisht kanë për qëllim nxitjen e konflikteve të përmasave edhe më të madha. Nikolla Gruevskit, Sasha Miallkovit dhe grupit të tyre kriminal synojnë “të djegin tërë Ballkanin pasi u është djegur bishti i tyre”.

Të gjitha forcat që kundërshtojnë qasjen e Nikolla Gruevskit, Sasha Miallkovit dhe grupit të tyre kriminal duhet të angazhohet fuqimisht për lirimin e menjëhershëm të gjithë atyre që padrejtësisht mbajnë mbi kurrizin e vet pasojat e gjyqësisë së komanduar nga partitë politike dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga ky kontroll partiak i institucioneve të hetuesisë, prokurorisë dhe gjyqësisë në Maqedoni. Është koha që të tregohet vullnet i çeliktë për të dalë nga spiralja e dhunës. Ky vullnet nuk mund të shprehet ndryshe veçse përmes shpalljes së menjëhershme të një amnistie të përgjithshme, që do të krijonte kushtet e nevojshme për një ekspertizë të pavarur të lëndëve gjyqësore të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …