Bardhul Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Gracka e re e Grackës së Vjetër

Dy ditë pas kritikave të shumta për bojkotimin e seancës parlamentare të 1 shtatorit, ku duhej të votohej Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Lista Serbe u lëshua në sulm të ashpër. Pretekst për këtë ofensive propagandistike shërbeu dëmtimi i pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër në Lipjan, pllakë kushtuar civilëve serbëve të vrarë në verë të vitit 1999 që propaganda serbe ua vesh “terrorit shqiptar”.

Akti i përdhosjes së pllakave përkujtimore është akt neveritës. Por, ajo që është thelbësore në këtë  çështje ka të bëjë me pyetjen se kush mund të qëndrojë realisht prapa vrasjes së këtyre civilëve serbë dhe kujt i intereson sot të bëhen akte të shëmtuara mbi pllakat përkujtimore? Pikërisht rreth kësaj çështjeje do të mundohem të jap përgjigje.

Strategjia serbe e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës është një strategji tanimë e njohur dhe e pranuar edhe nga vetë intelektualët serbë. Intelektuali i parë që ngriti zërin kundër kësaj forme të veprimit ishte Mirosllav Filipociqi, gazetar i gazetës beogradase «Danas», i cili, në të njëjtën kohë ishte gazetar i «Agjencisë France-Presse» dhe analist i «Institutit Raportues për Luftën e Paqen». Për akuzat që u visheshin shqiptarëve ky gazetar serb tërhoqi vërejtjen e opinionit publik serbe se “Serbia krijoi eskadronët e përbërë nga serbë që sulmonin serbët dhe pronat e tyre në Kosovë dhe kështu i ngritën tensionet ndëretnike”. Për denoncimet e krimeve serbe në Kosovë që bëri në mediet serbe dhe ato ndërkombëtare, më 26 korrik të vitit 2000 Gjykata Ushtarake në Nish shqiptoi dënimin me 7 vjet burg kundër Mirosllav Filipoviq. Një respekt i veçantë për këtë intelektual serb sepse denoncimet i bëri në kohën kur Millosheviqi ishte ende në pushtet.

Shumë vite më vonë, shkrimtari dhe politikani serb Vuk Drashkoviqi, i cili gjatë periudhës më të vështirë të luftës në Kosovë kishte qenë Zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë dhe i ngarkuar të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë, nxori në shesh të vërtetën që tronditi opinionin publik të Serbisë.

Në intervistën e titulluar «Milosheqi urdhëroi Radetan dhe Legian t’i vrasin fëmijët serbë» (http://www.kurir-info.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359), Vuk Drašković-i foli edhe për mënyrën e organizimit, të funksionimit dhe të sjelljes së vendimeve kriminale në funksion të nxitjes së urrejtjes kundër shqiptarëve dhe stigmatizimit të UÇK-së. Në këtë intervistë ai sqaron se “vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe kundër shqiptarëve, që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin publikisht UÇK-në, e solli Milosheviqi dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, të Njësisë për Operacione Speciale, u caktua Milorad Ulemek-Legija. Ky i merrte urdhrat nga Radomir Markoviqi, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i dënuar sikurse Milorad Ulemek-Legija, me 40 vjet burg për dhënien e urdhrit dhe porosinë e vrasjeve të shumta (…) ” deklaroi, ndër të tjera, Vuk Drašković-i për gazetën beogradase «Kurir».

Krahas publikimit të fakteve se Shtabi strategjik i Milošević-it kishte marrë vendimin për vrasjen e civilëve serbë dhe shqiptarë dhe publikimit të emrave të strukturës komanduese dhe operative të «eskadronit të vdekjes», ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Vuk Drašković-i, bëri publik edhe qëllimin e këtyre akteve kriminale. “Përmes një varg sulmesh terroriste të kryera nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së, do të arriheshin dy qëllime: UÇK-ja do të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dhe vrasja e civilëve të pafajshëm do t’u jepte zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë.” (Intervista e cituar)

Për të ilustruar me shembull konkret këtë strategji të dyfishtë të regjimit të Milosheviqit, Vuk Drashkoviqi theksoi se “në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me në krye Radomir Marković-in, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legija-s, më 14 dhjetor 1998 kreu masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë në kafenenë «Panda» në Pejë.” (Intervista e cituar).

Megjithatë, zbulimi i këtij rasti u bë falë gatishmërisë së ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviqit, që t’i ndriçojë vrasjet e kryera nga ky shërbim me shpresë se do të përfitojë në uljen e dënimit prej 40 vjet burg. Por, refuzimi i autoriteteve serbe që t’ia ulin dënimin Radomir Markoviqit ndikoi që ky kriminel, “në kërkesën për falje të dënimit që ia drejtoi Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolić-it, të kërcënojë se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.” (http://www.kurir-info.rs/rade-markovic-dao-nalog-da-se-ubiju-srpska-deca-u-peci-1998-clanak-1182597).

Radomir Markoviqit u arrestua më 24 shkurt 2001 si organizatorë dhe udhëheqës në vrasje të shumta me motive politike në periudhën janar 1998 – janar 2001. Që nga arrestimi i tij e deri më ditën e sotme të vitit 2016 janë vetëm 10 vrasje që Serbia përpiqet t’ia veshë UÇK-së. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës (në komunën e Zveçanit dhe atë të Leposaviqit) atje ku shqiptarët vështirë se mund të depërtojnë.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës asnjë institucion me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk morri iniciativë që Radomir Markoviqi të transferohet në një vend neutral, të merret në pyetje për të gjitha vrasjet që është në dijeni, që një herë e përgjithmonë të ndriçohen të gjitha vrasjet e civilëve që do ta çlironin Serbinë e shndërruar në “peng të kriminelëve që kanë kryer këto krime” (Intervista e cituar e Vuk Drashkoviqit).

Pa ndriçimin e plotë të asaj që mban të fshehur Shërbimi Sekret Serb lidhur me vrasjen e civilëve në Kosovë, ekziston rreziku që të painformuarit të biem pre e sajesave në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit. Rasti i Grackës së Vjetër hap shtegun e grackave të reja propagandistike.

3 shtator 2016

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …