Pas publikimit të reagimit tim të titulluar « Drejtësia » raciste e Shkupit dhe i ashtuquajturi «Rasti i Kumanovës» në profilin tim të Facebook-ut reagoi Ibrahim Kelmendi. Në postimin e tij, që më bëri të reagoj përsëri, ai shkruan:
“ E patën burgos një djalosh para rreth 4 viteve ne Peje. E kisha farefis. Shkova te prindet e tij per vizite e per t’u informuar, perse. Ishin grumbulluar shume veta dhe te hidheruar po garonin sekush te thoshte llafe te medha, se nuk ka bere gje, se po bejne padrejtesi policia, e ngjashem. Gjyshja e te arrestuarit, rreth 80-vjecare, e heshtur, shihte ata qe flisnin, meqe ndihmonte me pamje veshet per te kuptuar me mire. Ne nje moment nderhyri:
“Po te arrestonte policia njerez krejt te pafajshem, do te me arrestonte mua dhe jo nipin…” (parafrazim i lire). Keto lloj qasjesh nuk me duken gjithaq analitike, por sllogane te fryera patriotike. Te shtrojme pyetjen, si do te gjykohej ai grup ne Prishtine ose Tirane, por te vepronin ngjashem? Juristat duhet te bejne analize, nese kodi penal i RM nuk i permban keto masa denimi per veprimtari te ngjashme. Ka bere ndonje jurist analize profesionale (jo atvokatet, sepse ata jane mashtrues ordinere)? Mbaj mend ne Gjermani cfare denimesh drakonike u paten bere pjesetareve te RAF-it, vetem per nje antentat.
Po shohim angazhimin e prokurorise speciale ne Prishtine kunder te ashtuquajturit “syri i popullit” dhe do te shohim cfare denimesh do te shqiptohen, nese Murat J. Jasharit nuk i njihet statusi i te semurit psiqik. Sogurisht, ne RM jane institucione te kapura nga nacionalistet makedone. Por, sa do t’i kishin denuar gjyqtaret profesioniste, edhe te perkatesise shqiptare?”
Ibrahim Kelmendi, mos u bë avokat i dreqit!
Në reagimin tënd lidhur me dënimet që iu shqiptuan të ashtuquajturit “Grup i Kumanovës” ti përdor të gjitha mënyrat e mundshme për të degraduar reagimet e të tjerëve.
Që në fillim të reagimit tënd disa rreshtash ti e banalizon skajshmërish kontekstin e arrestimit të ish luftëtarëve të UÇK-së me arrestimin e një anëtari të farefisnisë tënde, për të cilin gjyshja e tij paska nxjerrë konkluzionin se është fajtor ngaqë policia nuk paska ardhur ta arrestojë këtë plakë rreth 80 vjeçare!!!
Ibrahim, kur kërkon nga tjerët që të bëjnë “vlerësime racionale dhe jo emocionale” duhet së paku të jesh më serioz dhe t’i lësh talljet me një anë!
Pushteti racist në Maqedoni pati burgosur dhe dënuar nënën e Zaim Beqirit që ishte “rreth 80 vjeçare”! Dhe kjo plakë mbajti disa vite burg. Nuk do të flas për arrestimin dhe dënimin e të gjithë vëllezërve të Zaimit që u gjetën në shtëpitë e tyre në Tetovë, sepse kam frikë që mund të duket “vlerësim jo racionale”!
Pushteti racist në Maqedoni pati burgosur dhe dënuar nënën e Rafi Halilit që ishte “rreth 80 vjeçare”! Dhe kjo plakë mbajti disa vite burg. Nuk do të flas për arrestimin dhe dënimin edhe të motrës së Rafiut sepse kam frikë që mund të duket “vlerësim emocional”!
Ibrahim, përdorimi i logjikës së plakës së farefisnisë tënde që mbështetet në postulatin se “po te arrestonte policia njerëz krejt te pafajshëm, do te me arrestonte mua dhe jo nipin…” është logjikë që nuk e ka vendin në një shtet ku aplikohet diskriminimi racial.
Ibrahim, ty mund të duken se “qasjet e të tjerëve nuk janë gjithaq analitike, por sllogane të fryera patriotike”, por, siç të thash, problemin e ke kapur mbrapsht.
Të krahasosh dënimet që Drejtësia Raciste e Shkupit shqiptoi kundër shqiptarëve në procesin gjyqësor të motivuar politikisht me rastin e “dënimeve drakoniane që autoritetet e drejtësisë gjermane kishin shqiptuar kundër pjesëtarëve të organizatës RAF” është e njëjta logjike me logjikën e asaj “plake rreth 80 vjeçare” që arsyetonte arrestimin e nipit të vet dhe implikonte fajësinë e tij duke u nisur nga pafajësia e saj.
Të kërkosh që “juristët të bëjnë një analizë nëse këto dënime janë në përputhje me Kodin Penal të Maqedonisë dhe se të shtrosh çfarë dënimesh do t’u kishin dhënë gjyqtaret profesioniste, qofshin edhe të përkatësisë shqiptare, njerëzve që kanë kryer akte të tilla” është përpjekje që logjikës së “plakës rreth 80 vjeçare” t’i jepet një pamje profesioniste.
Ibrahim, në reagimin tim si politolog jam munduar që të sjell argumentet që dëshmojnë se drejtësia e Maqedonisë zbaton diskriminim racial. Vetëm ky këndvështrim mundëson të dilet nga gracka e logjikës së “plakës rreth 80 vjeçare” sepse nga këndvështrimi politologjik bëhet e parëndësishme të dihet se deri në cilën masë dënimet ishin të përputhje me Kodin Penal të një shteti që aplikon diskriminim racial kundër shqiptarëve.
Nëse veprojmë nga këndvështrimi i “juristëve profesionist” që kërkon ti atëherë mund të sillen “argumente” se më 18 janar 1994 Maqedonia ka nënshkruar Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial dhe Paktin Lidhur me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe u zotua se nuk do të kryejë asnjë veprim apo praktikë të diskriminimit racial kundër personave, grupe personash apo institucionesh dhe se do tё sigurojë që të gjitha autoritetet publike dhe institucionet publike, kombëtare dhe lokale, t’i përmbahen këtij detyrimi dhe të heq diskriminim racial.
Në reagimin tim unë rikujtojmë se me nocionin « diskriminim racial » me konventat ndërkombëtare nënkuptohet çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferenca që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, gjuhën apo fenë dhe që ka për qëllim pamundësimin e njohjes dhe realizimit të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në politikë, ekonomi, kulturore dhe në çdo fushë tjetër të jetës publike.
Përkundër nënshkrimit të kësaj konvente dhe zotimeve që u bënë nga përfaqësuesit e këtij shteti në praktikë diskriminimi racial ndaj shqiptarëve në Maqedoni vazhdoi me intensitet edhe më të madh. Ky diskriminim nxiti shpërthimin e Luftës në vitin 2001.
Nëse veprojmë nga këndvështrimi i “juristëve profesionist” siç kërkon ti Ibrahim atëherë mund të themi se në Maqedoni nuk ka diskriminim racial dhe se Lufta e vitit 2001 ishte e padrejtë!
Nëse veprojmë nga këndvështrimi i “juristëve profesionist” që kërkon ti atëherë mund të sillen “argumente” se Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar me 12 dhjetor 1994 « Konventën kundër torturës, veprimeve dhe dënimeve mizore, trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese » dhe rrjedhimisht ky shtet është shtet i së drejtës!
Të gjithë e dinë se realiteti dëshmon të kundërtën: shqiptarët rrihen, poshtërohen, çnjerëzohen, keqtrajtohen, torturohen, dënohen dhe vriten me bekimin e autoriteteve politike të Shkupit. Ky realitet është tragjik pa marrë parasysh se çka mund të nxjerrin “juristëve profesionist” në analizat e tyre, qofshin edhe shqiptar.
Shpresoj të mos kesh harruar se nesër, më 7 nëntor, bëhen 1o vjet nga “Masakra në Brodec” dhe torturat e tmerrshme që u ushtruan ndaj të burgosurve shqiptarë në vitin 2007.
Shpresoj të mos kesh harruar se në atë kohë “juristi profesionist” Ixhet Memeti, që kishte funksionin e Avokatit të Popullit, deklaroi publikisht se ndaj të burgosurve shqiptar nuk është përdorur tortura. Në atë kohë dhe saktësisht me 18 nëntor 2007 kërkova dorëheqjen e këtij instrumenti politik që kishte hyrë në funksion të fshehjes së dhunës dhe torturave që ushtroheshin kundër shqiptarëve.
Ibrahim, këndvështrimi i politologut duhet të nxjerr në shesh realitetin sado irracional t’i duket dikujt. Në analizën politologjike emocionet mbesin në kuadër të ndjenjave personale dhe nuk mund ta devijojnë aksin e analizës.
Në reagimin tim unë solla vetëm disa fakte që dëshmojnë për aplikimin sistematik të diskriminimit racial në fushën e drejtësisë që ky shtet ka aplikuar vazhdimisht kundër shqiptarëve, edhe pse në të shumtën e rasteve ministri i drejtësisë në koalicionet e njëpasnjëshme të partive politike shqiptare me ato maqedonase ka qenë shqiptar.
Këtë fakt mund ta mohojnë vetëm “juristët profesionist” të tipit të Ixhet Memetit që instumentalizohen nga pushteti dhe që mund të nxjerrin konkluzione nëse dënimet janë tëligjshme apo jo dhe nëse “dhuna e ushtruar ishte konform asaj që është e lejuar për të neutralizuar rezistencën”.
Ibrahim, reagimin tënd ia bashkëngjite prononcimin e Fatmir Reçicës, i dënuar me 40 vjet burg në “Rastin e Kumanovës”. Nuk e di se a e bërë për të ilustruar logjikën e asaj “plake rreth 80 vjeçare” të fisit tënd apo për ndonjë motiv tjetër. Sido që të jetë, edhe deklarata e tij është një konfirmim i dhunës, torturave dhe terrorit që ky shtet ushtron kundër shqiptarëve. Edhe nga prononcimi i Fatmir Reçicës del qartë se pa heqjen e diskriminimit racial dhe realizimit të plotë të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni nuk mund të ketë as paqe e as stabilitet të qëndrueshëm. Ky është konkluzioni i një politologu, duke lënë në brendinë time emocionet dhe urrejtjen kundër atyre që aplikojnë diskriminimin racial kundër shqiptarëve.
Analizat e “juristëve profesionistë” që kërkon ti mund të sjellin vetëm konkluzione analogjike me ato që Ixhet Memeti në cilësinë e Avokatit të Popullit në Maqedoni ka nxjerrë për “Masakrën e Brodecit” apo partitë politike shqiptare për krimet që bëheshin kur ata ishin (dhe janë) në bashkëqeverisje me partitë maqedonase. Ibrahim, leni analizat e “juristëve profesionist” apo logjikën “plakës rreth 80 vjeçare”! Ibrahim, mos u bën argat i dreqit!