leoni

Bardhul Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Mohimi serb dhe gjenocidi në Kosovë

Deklarata e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit se “Kosova do ta padisë Serbinë për krimin e gjenocidit” provokoi reagime të sërishme në Serbi. Nga të gjitha reagimet serbe publiciteti më i madh iu dha ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqit. Në prononcimin e vet Ivica Daçiqi u përqendrua në faktin se “Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se nuk ka të drejtë të bëj padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”. Askush nuk duhet të befasohet nga reagimet e një politikani si Ivica Daçiqi. Përkundrazi, një gjë e tillë duhej pritur. Ajo që është për t’u befasuar ka të bëj më hapësirën që mediet në gjuhën shqipe i dhanë qëndrimeve të tij. Fatkeqësisht askush nuk e përmendi se bëhet fjalë për Ivica Daçiqin i cili që nga viti 1992 e deri në rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti në vitin 2002 ushtroi funksionin e zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai u shqua në propagandën e luftënxitës të Serbisë dhe në fshehjen e krimeve.

Gjatë të gjitha luftërave që Serbia zhvilloi në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë shteti serb aplikoi negacionizmi, nocion që mbulon strategjinë e fshehjes së krimit. Në kuadër të kësaj strategjie u përpiluan qëndrime dhe shpjegime të caktuara që kishin për funksion mohimin e vërtetësisë së gjenocidit. Por, siç e kam trajtuar më hollësisht në librin « Mashtrimi i Madh », mohimi i gjenocidit është pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës dhe organizon gënjeshtrën në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit. Ivica Daçiqi dhe politikanët tjerë serbë që kanë përgjegjësi për krimin e gjenocidit në Kosovë kanë përdorur dhe do të përdorin negacionizmin për t’i ikur edhe përgjegjësisë individuale. Në këtë kontekst duhet të shihen deklaratat e politikanëve, artikujt e gazetarëve, emisionet televizive, konferencat e mbajtura për të fshehur gjurmët e krimit të gjenocidit serb.

Megjithatë vlen të  përmendet se në deklaratën e fundit të Ivica Daçiqit theksi vihet në aspektin procedural: Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nga ky pozicion nuk ka të drejtë të shtrojë padi kundër Serbisë. Çështja e procedurave për ngritjen e padisë për gjenocid është çështje që do ta trajtoj në një shkrim tjetër. Tani për tani po ndalem në faktin se ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqi punën e gjenocidit serb në Kosovë e lë të nënkuptueshme.

Po rikujtoj se ngjashëm si Daçiqi edhe ish ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Goran Svilanović gjatë vizitës së tij në Hagë më 3 tetor 2003 deklaroi se “Serbia nuk do ta dorëzojë arkivin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë sepse nëse Millosheviqi dënohet për gjenocid atëherë edhe Serbia do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim”( Zëdhënësja e Gjykatës së Hagës, Florence Hartmann, Paix et chàtiment, f.118).

Madje, udhëheqësit e Serbisë deklaronin haptazi se “interesi jetësor nacional i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të gjitha informatat dhe dëshmitë që mund ta inkriminonin Serbinë për krimet e gjenocidit”. (Vepra e cituar, f.118).

Gjenocidi serb në Kosovë  është fakt që kontestohet nga negacionistët serbë dhe ata që ishin të inkuadruar në mbrojtjen e Serbisë nga sulmet e NATO-s. Është tragjike kur sheh se nuk kemi bërë atë që duhet për të përhapur në botë të vërtetën për këtë gjenocid. Fatkeqësisht, propaganda serbe për Kosovën ka zënë vend në shumë qarqe politike dhe intelektuale në institucionet me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, të gjitha kërkesat për të përshpejtuar padinë janë të rrezikshme sepse padia e shtruar në kohën kur Kosova është vënë në bankën e akuzës nga Gjykata Speciale do t’i konvenonte vetëm Serbisë.

Padia kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë është çështje që duhet të përgatitet hollësisht dhe nuk duhet të shihet e ndarë nga depërtimi i të vërtetës në të gjitha qarqet me influencë në botë. Na mbetet që të vërtetën për gjenocidin serb në Kosovë ta shpërndajmë anekënd botës si kusht paraprak për ngritjen e padisë penale në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …