Në muajin shkurt të vitit 2015 lexuesit shqiptar iu ofrua libri që zhvesh propagandën serbe kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe luftës çlirimtare të Kosovës në veçanti. Siç e kam theksuar në faqen e parë të librit «Mashtrimi i Madh», ky studim u realizua me ndihmën dhe kontributin e një numri të konsiderueshëm të miqve të mi. Falë mbështetjes dhe kontributit të tyre, argumentet shkencore për gjenocidin serb në Kosovë dolën në dritë. Por, publiciteti ishte i domosdoshëm që përmbajtja e librit të njihej sa më shumë nga lexuesi shqiptar. Shfrytëzoj rastin në këtë fundviti t’i falënderoj përgjegjësit e mediumeve të ndryshme në gjuhën shqipe të cilat i dhanë një vend të rëndësishëm publicitetit lidhur me botimin e librit tim apo duke më dhënë hapësirën e nevojshme që ta shpalos përmbajtjen e librit në intervistat televizive. Një falënderim i veçantë u takon edhe bartësve të institucioneve të arsimit të lartë që më mundësuan të bëj promovimin e librit në Universitete të shumta publike dhe private dhe në manifestime të ndryshme kulturore në nivel komunal (në Kosovë dhe në Maqedoni) apo të karakterit ndërkombëtar siç ishte rasti kur albanologu tetovar ua shpërndau librin seminaristëve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë. Meqenëse propaganda antishqiptare ishte e përmasave ndërkombëtare kufizimi vetëm në botimin e argumenteve në gjuhën shqipe nuk mjaftonte. Me qëllim që kjo vepër t’i ofrohet opinionit publik ndërkombëtare një numër gjithnjë e më i madh i miqve u mobilizuan rreth këtij projekti. Në mesin e tyre edhe bashkëveprimtarë të moçëm, aktualisht bartës të institucioneve të Kosovës. Angazhimi gjithnjë e më i madh i miqve bëri që të përfundojë përkthimi i librit në gjuhën angleze dhe atë frënge. Madje, në fillim të dhjetorit, ndërmarrja “Dukagjini” nga Peja shtypi 1500 ekzemplar falas të cilat kanë filluar të shpërndahen falas në qarqet diplomatike dhe njerëz me influencë në fusha të ndryshme. Lufta politike vazhdon. Serbia kreu gjenocidin në Kosovë dhe ende nuk është dënuar për krimin më të rëndë që njeh njerëzimi. Faktet nuk flasin vet! Ato duhet t’i bëjmë “të flasin” për të nxjerrë në shesh të vërtetën e plotë për atë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. Por, mbështetja ndërkombëtare në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia është jetike. Për të rritur gjasat e mbështetjes ndërkombëtare zhveshja e mashtrimit të madh që është bërë me opinionin publik ndërkombëtar lidhur me luftën e Kosovës është e domosdoshme. Madje, kusht paraprak. Në kontekstin e kësaj lufte politike shpërndarja e librit në sa më shumë gjuhë botërore është i domosdoshëm. Ky projekt është bërë projekt i përbashkët i shumë miqve të mi, të cilët rreth çështjeve tjera shquhen për divergjenca të shumta në mes veti. Uroj që në Vitin e Ri 2016 të realizojmë suksese të reja në luftën tonë politike për ngadhënjimin e të vërtetës lidhur me gjenocidin serb në Kosovë. Me respekt të thellë dhe mirënjohje të veçantë për secilin nga miqtë e mi. Uroj për të gjithë shqiptarët, kudo qofshin në botë, një Vit të Ri plot suksese individuale dhe kolektive.
Bardhyl Mahmuti: Arrestimet në Serbi dhe kalemxhinjtë në Kosovë
Publiciteti që iu kushtua arrestimeve të ish zyrtarëve serbë për korrupsion gjeti një vend të rëndësishëm në mediet që problemet e Serbisë i paraqesin si të ishin probleme që në mënyrë të pashmangshme lidhen edhe me Kosovën. “Analistë” dhe “kolumnistë” të ndryshëm, të pjellës së proveniencës së ish nomenklaturës komuniste në Kosovës, nuk ngurruan të duartrokasin dhe të tërheqin paralele me Kosovën. Madje ta cilësojnë si fitore “indirekte” të Serbisë ndaj Kosovës!
Në të njëjtën mënyrë si baballarët e tyre më parë, të cilët përçonin propagandën e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë (politikën e zyrtarëve që ishin në pushtet e jo të atyre që largoheshin nga pushteti në qërimin e hesapeve ndërpartiake), sot “analistë”, “kolumnistë” dhe “drejtorë” të ndryshëm përçojnë në mediet shqipe të Kosovës propagandën e zyrtarëve të Beogradit. Jo të zyrtarëve të djeshëm por të Vuçiqit me kompani.
Në të njëjtën mënyrë si baballarët e tyre kur shanin Rankoviqin e larguar nga partia dhe lavdëronin komunistët tjerë të Serbisë sot pjella e tyre lavdëron Vuçiqin për arrestimin e ish ministrave dhe ish funksionarëve për “kriminalitet të organizuar”
Arrestimi i 76 ish zyrtarëve brenda një dite dhe akuza për krim të organizuar merret si fakt se gjoja “Serbia është duke ecur drejtë Evropës” e Kosova po mbetet mbrapa sepse për 16 vjet Kosova nuk ka bërë sa Serbia brenda një dite”!
Më hidhet t’u them këtyre “analistëve”, “kolumnistëve” dhe “drejtorëve” se janë faqja e zezë që përçojnë në mediet shqipe propagandën zyrtarëve të Beogradit. Rruga për integrimin në institucionet e Bashkimit Evropia është rrugë gjatë të cilës duhet të përmbushen normat dhe standardet mbi të cilat bazohet funksionimi i këtyre institucioneve.
Qërimi i hesapeve që grupi i interesave kriminale të Aleksandar Vuçiqit bën me grupet tjera kriminale në Serbi nuk janë kriter që mund ta përafronin Serbinë dhe Bashkimin Evropian. Për askënd në strukturat e Bashkimit Evropian nuk është e panjohur se grupi kriminal që kontrollon energjetikën, telekomunikacionin dhe infrastrukturën në Serbi është grupi që udhëhiqet nga Andrej Vuçiqi, vëllai i Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit. Arrestimet në Serbi janë për t’i hedhur hi syve të gjithë atyre që dëshirojnë të verbohen. Kriminaliteti i organizuar në Serbi dhe lufta kundër saj është problem i Serbisë dhe strukturave regjionale që janë të interesuara t’i përcjellin zhvillimet rreth kësaj çështje. Por, kjo luftë dhe plotësimi i kritereve që lidhen me vlerat dhe standardet euroatlantike janë dy gjëra që në rastin e Serbisë duhet të shihen të ndara.
Në krye të shtetit serb janë ish komunistë të edukuar dhe ngritur në funksione të larta pikërisht nga Sllobodan Millosheviqi. Mjafton të shihen shtyllat kryesore të shtetit dhe secili që njeh zhvillimet politike në Serbi e sheh qartë se kuadrot janë ricikluar: Si Kryetar shteti kemi Tomisllav Nikoliqin, krahu i djathtë i Vojisllav Sheshelit, i cili personalisht ka qenë i implikuar në krime monstruoze në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë; si Kryeministër të Qeverisë dhe ministër të Punëve të Jashtme kemi të përkëdhelurit e Millosheviqit: Aleksandar Vuçiqin dhe Ivica Tadiqi, nxitës të krimeve serbe në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë; Në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbë është Lubisha Dikoviqi, i cili u shpall hero nga ana e Millosheviqit për të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Në polici dhe në Shërbimet Sekretet njerëzit e Millosheviqit, që kanë kryer krime monstruoze… Në gjykata dhe në prokurori e njëjta gjë…
Rruga e Serbisë për integrimet në Bashkimin Evropian duhet të kalojë në mënyrë të pashmangshme me procesin e ndarjes së këtij shteti nga e kaluara e saj. Kjo mund të bëhet vetëm duke pranuar se në Kosovë është kryer gjenocid, të ndëshkohen të gjithë të implikuari në këtë krim të rëndë dhe të bartin përgjegjësinë për riparimin e dëmeve të shkaktuara. Ndërsa, fshehja e gjurmëve të gjenocidit, pritja e kriminelëve të liruar nga burgu për krimet e kryera gjatë luftës si të ishin heronj kombëtar dhe diskriminimi racial që aplikojnë kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës Serbinë e mbajnë në logjikën e funksionimit që është në kundërshtim të plotë me vlerat, normat dhe standardet që qëndrojnë në themelet e institucioneve evropiane. Gjenocidi është krim që nuk harrohet! Heshtja e këtij krimi i bën bashkëpërgjegjës të gjithë ata që për interesa që nuk lidhen me vlerat dhe standardet euroatlantike e imagjinojnë integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë, si dukuri që rëndojnë jashtëzakonisht shumë jetën në vend tonë, janë probleme që u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe vetëm mobilizimi i gjithanshëm mund t’i ulë përmasat e çfarëdo forme të kriminalitetit. Por, lufta kundër këtyre fenomeneve nuk duhet të krahasohet me të njëjtat fenomene në vendet tjera e aq më pak me shtetin e kriminalizuar serb. Ata që me arrestimet e fundit në Serbi shohin fitore të Serbisë ndaj Kosovës dhe lavdërojnë zyrtarët e Beogradit në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane fryjnë rëndë ndjenjat e popullit shqiptar të Kosovës, që përjetoi gjenocidin serb dhe në këtë fundviti, 16 vjet pas përfundimit të luftës, mbi një mijë familje shqiptare ende nuk dinë për fatin e të afërmve të cilët u zhdukën në funksion të humbjes së gjurmëve të këtij gjenocidi.
Bardhyl Mahmuti: Kush është Milovan Drecuni?
Nga serbët e parë që reaguan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe, reagimi i Milovan Drecun-it zuri vend të rëndësishëm në mediet e Kosovës. Fatkeqësisht të gjitha publikimet që iu bënë reagimit të Milovan Drecun-it u shoqëruan me sqarime vetëm për funksionin e tij si Kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë.
Funksioni që ushtron aktualisht Milovan Drecun-i është domethënës për të kuptuar vazhdimësinë strukturore të regjimit të Millosheviqit. Këtë temë e kam trajtuar më gjerësisht në librin tim «Mashtrimi i Madh». Në këtë reagim të shkurtër po sjell vetëm disa fakte që do t’u ndihmonin atyre që nuk e dinë se kush është ky person për të kuptuar se Milovan Drecun-i nuk mund të dilte me qëndrim tjetër. Për më tepër, faktet që do t’i sjell janë tejet bindëse për të potencuar se gjithmonë kur përmendet ky person Portalet dhe mediet në gjuhën shqipe duhet ta shoqërojnë lajmin më RIKUJTIMIN se vendi i këtij krimineli është në burg!
Po rikujtoj se gjatë agresionit ushtarak serb mbi Kosovën Milovan Drecun-i ishte gazetari për çështje ushtarake i Radio Televizionit të Serbisë. Në këtë cilësi a volli pareshtur vrer dhe nxiti në maksimum urrejtjen kundër shqiptarëve. Në veçanti u shqua për “intervistën ekskluzive” me Bekim Mazrekun, të riun që e kishin torturuar tmerrësisht derisa e kishin detyruar të pranonte se gjoja kishte marrë pjesë në ekzekutimin e civilëve serbë në Kleçkë. Akuza për gjoja djegien e kufomave të civilëve serbë në «Krematorin e Kleçës» është akuzë e shpërndarë në përmasa shumë të mëdha te gazetarët e huaj që vinin në Media Centarin e krijuar nga regjimi i Millosheviqit, pikërisht nga Milovan Drecun.
Krahas shpërndarjes së gënjeshtrës për «Krematorin e Kleçës» një rol të rëndësishëm luajti në shpërndarjen e gënjeshtrës se gjoja në fshatin Reçak nuk ishin vrarë civilë shqiptarë por “ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve, me udhëzime të instruktorëve amerikan dhe britanik, ua kishin hequr uniformat, i kishin veshur me tesha civilësh dhe i kishin gjymtuar për të krijuar përshtypjen se kishte ndodhur një masakër”.
Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tërheqjes së forcave serbe Bekim dhe Luan Mazreku, pasi ishin dënuar në procesin e montuar gjyqësor nga 20 vjet burg, u liruan nga Gjykata Supreme e Serbisë si të pafajshëm.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë u ndriçua në tërësi akti i gjenocid i kryer në fshatin Reçak.
Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.
Po rikujtoj se më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të «Radio Televizionit të Beogradit», të «Radio Televizionit të Novi Sadit» si dhe kundër gazetarëve të gazetave «Politika», «Večernje Novosti» dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.
Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.
Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë negative për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli i cili i cilëson Kushtetutën e Kosovës dhe Qeverinë e saj si “të ashtuquajtura” dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës për t’ia mundësuar Serbisë kthimin në Kosovë!