Bardhyl Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Nuk vritet njeriu edhe në rastin kur shpërndan gënjeshtra

Në muajin korrik të këtij viti gazetari Enver Robelli kishte publikuar një shkrim përmes të cilit njoftonte për hetimet që drejtësia zvicerane zhvillonte kundër Jeton Lleshit, i dyshuar për vendosjen e një pakoje-bombë në redaksinë e gazetës « Bota Sot ». Ajo që më bëri të reagoj  ndaj këtij shkrimi lidhej me mënyrën se si ky gazetar kishte « gjuajtur » në stilin e paparacëve foto nëpër profilet e Facebook-ut për të „dëshmuar“ se Jeton Lleshi paska pasur kontakte me personalitete të ndryshme të skenës politike shqiptare. Në mesin e fotove të publikuara ishte edhe fotoja ku kam dalë me Jeton Lleshin.

Dihet se në përgjithësi kjo mënyrë e veprimit nuk është neutrale. Por, seleksionimi dhe publikimi në media i fotografive të tilla  përderisa zhvillohet një proces hetimor lë çështje të nënkuptueshme dhe ka prapavijë të caktuar.

Në reagimin tim të 25 korrikut 2017  deklarova publikisht se kisha bindjen e plotë që drejtësi zvicerane do të hidhte dritë mbi këtë rast dhe ndriçimi i plotë i kësaj çështjeje do të zhvishte edhe manipulimin që Enver Robelli u bëri fotove dhe emrave që përmendeshin në shkrimin e tij.

Duke qenë i preokupuar me çështje tjera nuk kam pasur mundësitë të përcjell rrjedhat e procesit gjyqësor kundër Jeton Lleshit. Dje, përmes një shkrese private, gazetarja e mirënjohur Elida Buçpapaj më njoftoi se « Gjykata Federale e Zvicrës kishte dënuar Jeton Lleshin me 10 vjet heqje lirie dhe gjobë 15 mijë franga dhe mbetej e habitur pse asnjë shqiptar nuk kishte dalë të solidarizohet me drejtësinë zvicerane ». Tani kur gjërat qenkan ndriçuar nga drejtësia zvicerane Zonja Buçpapaj më shkruan se  « Fotoja juaj me Jeton Lleshin nuk përben as krim as faj, papërgjegjësi intelektuale dhe morale përbën reagimi juaj duke anashkaluar dy fakte kryesore: I pari, se bomba do te shkaktonte kasaphanë dhe i dyti se me këtë hetim deri ne verdikt u mor drejtësia zvicerane ». Në shkresën e saj Zonja Buçpapaj shpreh revoltën që gazeta « Bota Sot » emërtohet nga disa si të ishte gazeta beogradase « Borba » dhe më drejtohet me kërkesën: « ju ftoj të reagoni sepse i keni dalë në mbrojtje Jeton Lleshit, por keni shtuar se keni besim tek drejtësia zvicerane ».

Të gjithë ata që më njohin dhe me të cilët kam bashkëvepruar që nga qershori i vitit 1978 e dinë fare mirë tolerancën time ndaj mendimeve ndryshe.

Të gjithë ata që kanë përcjellë veprimtarinë time gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, kur përfaqësoja diplomacinë e UÇK-së, e dinë fare mirë se në asnjë rast nuk kam mbështetur aksione për të cilat kam qenë plotësisht i vetëdijshëm se jo vetëm që nuk zgjidhin probleme por, përkundrazi, mund të dëmtojnë rëndë imazhin e luftës sonë çlirimtare.

Jo vetëm kundër gazetarëve shqiptarë por edhe sikur gazeta beogradase «Borba» të kishte zyrat e saja në cilin do vend të botës nuk do të mbështesja aksione kundër gazetarëve të saj. Edhe sikur dikush të kishte mundësi t’u shkonte gazetarëve të gazetës « Borba » në Beograd unë nuk do të mbështesja « kasaphanën e gazetarëve ». E drejta për jetë është fondamenti i vlerave demokratike dhe kam bindjen e plotë se nuk vritet njeriu edhe në rastin kur shpërndan gënjeshtra e lere më për mendimet ndryshe.

Në reagimin tim të 25 korrikut 2017 deklarova publikisht « se pa marrë parasysh që janë duke u zhvilluar hetime kundër Jeton Lleshit dhe se për dyshimet e ngritura drejtësia zvicerane do të jep vendimin e vet, Jeton Lleshin e konsideroj si një luftëtarë të lirisë që ka dhënë kontributin e vet në luftën e Kosovës, atë të Luginës së Preshevës dhe të luftës në Maqedoni. Sido që të jetë e vërteta lidhur me ndalimin e tij në Zvicër ajo që mund të them pa fije ngurrimi ka të bëjë me parimin që më udhëheq në jetë dhe që konsiston në faktin se asnjë gabim eventual që cilido nga luftëtarët e lirisë ta ketë bërë pas përfundimit të luftës nuk mund të na bëjë që ta mohojmë rolin dhe kontributin e tij. Foton me Jetonin e ruaj si kujtim me një veprimtar të çështjes kombëtare dhe pikë ».

Falënderoj zonjën Buçpapaj që deklaron se « fotoja me Jeton Lleshin nuk përben as krim as faj ». Por, secili gazetarë duhet ta dijë se në kohën kur Enver Robelli publikoi shkrimin e tij gjatë procesit hetimor kundër Jeton Lleshit këto foto nënkuptonin « krimin dhe fajësinë ». Tani kur drejtësia zvicerane ka dhënë fjalën e vet për një vepër të kryer 15 vite më parë nuk na mbetet gjë tjetër pos të respektojmë verdiktin e drejtësisë.

Ajo që më duket e rëndësishme në këtë  çështje ka të bëjë me faktin se veprimtaria atdhetare e cilitdo qoftë nuk e ulë përgjegjësinë e tij për veprat e pasluftës, në të njëjtën masë siç nuk mund ta zbehin veprat e këqija të kujtdo qoftë kontributin e tij atdhetar gjete luftës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …