Bashkëpunëtori më i ngushtë i Albin Kurtit, Liburn Aliu, nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë, me të cilën Vetëvendosja do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje priti deri në mesnatë për ta publikuar listën me kandidatët e saj për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të cilën e kishte dorëzuar paraprakisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mungon në këtë listë, ashtu siç nuk ishte përfshirë as në listën e kaluar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021. Mungesa e Liburn Aliut, ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, një bashkëpunëtori besnik të Albin Kurtit për vite e vite me radhë, në fakt, është më e vërejtshmja aty. Në listën prej 110 kandidateve me të cilën kryeministri kërkon edhe një mandat qeverisës nuk u përfshi njeriu qe i qëndroi përkrah gjatë gjithë kohës në opozitë, pa hequr dorë as nga elemente të dhunës në përpjekjen relativisht të gjatë që e patën së bashku për ta rritur lëvizjen deri në një forcë drejtuese të vendit që do të lundronte në një det goxha të trazuar kur ata erdhën në pushtet.
