U mbajt takimi i dytë në kuadër të hartimit të Agjendës së Kontratës Sociale për Komunën e Rahovecit, i cili bashkoi përfaqësues të grupeve të qytetarëve dhe zyrtarë të komunës.
Qytetarët pjesëmarrës në këtë aktivitet kanë propozuar një listë të projekteve me interes për qytetarët dhe përmes një procesi të votimit kanë përzgjedhur dy projekte prioritare të cilat do të financohen nga USAID/Kontrata Sociale dhe Komuna e Rahovecit:
Pajisja e kabineteve (TIK, kimi, biologji, fizikë, infermieri, stomatologji) për IAAP dhe shkolla.
Aftësim për prindër/kujdestarë të fëmijëve PAK si dhe vetëdijësimi i tyre dhe shoqërisë për problemet shëndetësore e sociale të këtyre fëmijëve.
Ky proces gjithashtu synon që të identifikojë edhe mekanizmat që mundësojnë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse si dhe të nxisë dialog të strukturuar dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet komunës dhe qytetarëve.
Rezultat përfundimtar i këtij procesi bashkëpunues në mes të zyrtarëve të komunës dhe përfaqësuesve të qytetarëve, do të jetë Plani i Veprimit “Agjenda për Kontratën Sociale për Komunën e Rahovecit”, zbatimi i së cilës do të përkrahet në dy vitet e ardhshme nga Aktiviteti i USAID, Kontrata Sociale.