Bashkëpunimi kulturor Kosovë-Shqipëri hyn në vitin e gjashtë

Kosova dhe Shqipëria hyjnë në vitin e gjashtë të bashkëpunimit në realizimin e kalendarit të përbashkët kulturor. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, në Tiranë nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor. Përmes këtij bashkëpunimi, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore në një kalendar të përbashkët, i cili është i bazuar në “Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014. Ky kalendar pritet të ketë afër 40 aktivitete e organizime qoftë në Kosovë apo Shqipëri si dhe aktivitete të përbashkëta, përmes shkëmbimit të përvojave dhe artistëve. Aktivitetet dhe bashkëpunimet do të jenë nga fushat e artit aplikativ dhe skenik, në fushën e bibliotekave, në fushën e filmit, të trashëgimisë, aktivitete për fëmijë dhe të rinj si dhe shënimin e 20-vjetorit të luftës së Kosovës. Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme për botën kulturore shqipfolëse. “Është një ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimi i kalendarit vjetor kulturor po hyn në vitin e gjashtë radhazi. Ky akt e mundëson zhvillimin e aktiviteteve për këtë vit, i cili do të sjell bashkëpunime dhe përvoja të reja për Kosovën dhe Shqipërinë”, ka thënë ministri. Po ashtu, ministri Gashi tha se “ Së ne takim diskutuam  edhe për  krijimin e një fondi të përbashkët kulturor. Ideja është që nga mbështetja financiare e aktiviteteve kulturore në institucionet kulturore të kalojmë edhe te pjesa e aktiviteteve të pavarura kulturore\”. Ndërsa ministrja Margariti tha se kultura i ka kapërcyer kufijtë mes këtyre dy shteteve.“Kufijtë, kultura i ka kapërcyer shumë shpejt dhe aktivitetet janë vetëm një pikë, kontakte të vazhdueshme por që jemi të sigurte se do ketë edhe të tjera. Kjo traditë ka dëshmuar se po fton gjithnjë e më tepër të tjerë njerëz. Jam krenare që me homologun tim kam ndarë edhe ide të tjera në vazhdim”. Bashkëpunime do të kenë dy Galeritë Kombëtare të Artit, ku do të realizohen ekspozita arti në Kosovë dhe në Shqipëri. Artisti kosovar Sokol Beqiri do të realizojë ekspozitën ‘As Mik as Armik’ / 22 mars – 2 qershor / Tiranë, ndërsa artisti Driant Zeneli do të realizojë më 20 dhjetor në Prishtinë. Ndërkaq në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – QAFA në Prishtin, do të realizohet në dhjetor ekspozita e pikturës ‘E tashmja e njerëzve të tashëm’ me punimet e tre artistëve nga Shqipëria. Teatri Kombëtar i Operës Baletit dhe Ansamblit Popullor – TKOBAP do të realizojë Koncertin Crescendo musicale, koncert i korit dhe orkestrës me dirigjentin kosovar Rafet Rudi / 3 shkurt / Tiranë; si dhe Koncertin ‘Lidhja e Prizrenit’ e Ansamblit Popullor / 11 qershor / Prizren. Ndërsa Teatri Kombëtar Eksperimental – TKEKS me shfaqjen ‘Kreolët e Ballkanit’ të autorit dhe regjisorit Enver Petrovci do të jetë prezent në qytete të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë. Zyra e administrimit dhe koordinimit të parkut arkeologjik (ZAKPA) Butrint do të organizojë Edicionin e 17-të të festivalit të teatrove \”Butrint Summer Festival\”, ku do të ketë pjesëmarrje të shfaqjes nga Kosova / 6-15 Korrik / Butrint. Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të organizojnë ngjarjet: Java e Bibliotekës në Kosovë – Edicioni 17 / 7 – 13 prill / Prishtinë dhe 120 Vjetori i lindjes së Lasgush Poradecit – ekspozitë dhe konferencë shkencore / Dhjetor / Prishtinë dhe Tiranë. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit AQSHF do të organizojë një program të kuruar filmash në kuadër të ciklit ‘Jeta pas Enverit” në Kino Lumbardhi Prizren ku do të shfaqen programe filmash dhe filma të animuar. Ndërsa, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Qendra Kinematografike e Kosovës do të realizojnë ngjarjet si vijon: Pjesëmarrje të përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, Gjermani; Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, Francë; Pjesëmarrje në Balkan Film Market, Tiranë; Premiera të filmave të financuar nga Qendrat e Filmit Shqipëri dhe Kosovë. Në kuadër të aktiviteteve për fëmijë dhe të rinj, Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, Tiranë do të realizojë Festivalin Ndërkombëtar i Teatrit të Kukullave Tiranë, me pjesëmarrjen e  trupës profesioniste të Teatrit të Dodona Prishtinë / Maj / Tiranë; Festivalin e 53-të i Këngës për Fëmijë organizuar nga QKKF të ftuar dhe interpretues nga Kosova / Qershor / Tiranë; Pjesëmarrjen e ansamblit të valleve të fëmijëve të qendrës sonë në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë “Ylberi i Prishtinës” / Shtator / Prishtinë. Shfaqjen e Teatrit të Kukullave për fëmijët e qytetit të Prishtinës / Shtator / Prishtinë. Festat e Nëntorit. Me pjesëmarrjen e Ansamblit të valleve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Prishtinë / Nëntor / Tiranë. Në bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë do të realizohet vizita dhe njohja me praktiken e punës në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçe dhe Qendrës së Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Shkëmbim i njohurive, eksperiencave në punë, vizitë të objekteve të trashëgimi kulturore dhe vendosje e ekspozitave: ”Ekspozite me grafika te objekteve Monument Kulture te qarkut te Korçës’ / 18 Prill / Prizren; “Tipologjia e objekteve kulturore” / 17 Maj / Korçë. Në kuadër të fushës së arkeologjisë, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK) do të organizojnë Konferencën “Arkeologjia e shpëtimit dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore”. Muzeu Historik Kombëtarë Tiranë do të realizojë ekspozitën “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite” në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës / Maj / Prishtinë. Muzeu Kombëtar \”Gjethi\” do të realizojë ekspozitë fotografike \”Kosovarë të persekutuar gjatë regjimit komunist\” / dhjetor / Prishtinë dhe Tiranë. Qendra Kombëtare për Veprimtari Folklorike do të realizojë aktivitetet: Pjesëmarrje e ansamblit nga Gjilani në Festivalin Folklorik Popullor të Shoqatave Kulturore në Kavajë / 18-19 prill / Kavajë; Pjesëmarrje e ansamblit nga Kosova në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore në Lushnje / Maj / Lushnje.; Pjesëmarrje e ansamblit nga Kosova në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar i  Iso-Polifonisë në Vlorë / nëntor / Vlorë; Ndërkaq në Butrint do të organizohet Panairi i Artizanëve të Kosovës  / Gusht / Butrint. Në shënimin e 20 vjetorit të luftës së Kosovës do të realizohet ekspozita e fotografit Sulejman Dida – gazetar nga Kukësi  ‘Eksodi ‘99 – nga eksodi i kosovareve ne vitet 1998- 1999’ / Maj – qershor / Kukës. Teatri Kombëtar i Operës Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Ansambli SHOTA do të realizojnë koncertin e përbashkët Dita përkujtimore e 20 vjetorit të eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës / 16 prill / Kukës. Gjithashtu, sivjet kalendari parasheh organizimin e aktiviteteve të operatorëve të pavarur të cilët ka mbështetur Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …