leoni

Bashkim Ibish Ferizaj (10.10.1964 – 13.4.1999)

Bashkim Ibish Ferizaj (10.10.1964 – 13.4.1999)

Dëshmori i kombit Bashkim Ferizaj u lind më 10 tetor 1964 në fshatin Kodrali të Deçanit, në një familje të ndershme e bujare. Shkollën fillore e kreu në Irzniq, ndërkaq të mesmen në Irzniq e në Deçan. Deri në dëbimin e dhunshëm të punëtorëve shqiptarë nga puna, punoi në fabrikën e mobilieve “Shipad” në Deçan.

Ishte pjesëmarrës në protestat dhe demonstratat e organizuara kundër regjimit okupues serb gjatë viteve 1988-89 e deri në vitin 1998, në prag të fillimit të luftës frontale në Kosovë.

Në radhët e UÇK-së u mobilizua më 24 prill 1998 në vendlindjen e tij, duke u sistemuar si ushtar pranë Shtabit Lokal të UÇK-së së fshatit Kodrali. Të njëjtën ditë bashkë me 81 bashkëluftëtarë e bëri betimin pranë këtij shtabi. Fillimisht u vendos në pikat e rojeve në Kodrali e në Gerdaja (ndërmjet Carrabregut e Prejlepit), që ishte vijë e parë e frontit, që veç tjerash mbulohej nga luftëtatët e fshatit Irzniq e Kodrali. Ka qenë edhe në Shqipëri për sigurimin e armatimit për nevoja të luftës. Ka marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në Gerdaja, Llukë të Epërme, Carrabreg, Prejlep, etj.

Që nga dhjetori i vitit 1998, është sistemuar në radhët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, në sektorin e logjistikës. Ka bashkëvepruar me Ismet, Bylbyl e Skënder Ferizaj.

Më 13 prill 1999, në Kodrali, Bashkimi së bashku me kushërinjtë, Ismetin, Bylbylin e Skënderin, kapen në befasi nga forcat e pushtuesit serb, policët dhe paramilitarët, ish-kolonë të Lumbardhit, Ratishit e Dashinocit. Po atë ditë arrestohen edhe Shaqë, Njazi, Ramadan e Halit Ferizaj dhe Isë Hasaj, nga i njëjti fshat. Të gjithë ata dërgohen në stacionin policor në Deçan, ku i torturojnë çnjerëzisht dhe pastaj i ekzekutojnë dhe përpiqen t’i zhdukin gjurmët e krimit, duke i shpërndarë kufomat e tyre nëpër vende të ndryshme.

Dëshmori Bashkim Ferizaj është gjetur dhe rivarrosur gjashtë vite më vonë, pikërisht më 10 prill të vitit 2006, me nderime të larta ushtarake e popullore në varrezat e dëshmorëve të kombit në Kodrali. Ka qenë i martuar dhe ka lënë pas vetes tre fëmijë. Familja Ferizaj është nderuar me mirënjohje, si nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Komuna e Deçanit, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …