Bashkim Ramadan Jasiqi (8.5.1977 – 9.4.1999)

Bashkim Ramadan Jasiqi (8.5.1977 – 9.4.1999)

Bashkim Jasiqi u lind më 8 maj 1977 në fshatin Jasiq të komunës së Junikut. Ishte vëllai i madh i Maxhunit, Besnikut dhe i Besartës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e kreu në Gjakovë. Si student, në vitin 1997 ishte anëtar i këshillit organizativ të studentëve për organizimin e protestave të 1 Tetorit të atij viti kundër shtypjes kombëtare të shqiptarëve. Studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë–drejtimi Histori-Gjeografi,i ndërpreu duke e parë më të nevojshme luftën për liri.
Bashkimi rrjedh nga një familje me traditë patriotike. Gjyshi i tij, Maxhuni, bashkë me djalin e tij, Mustafën, ishte të përndjekur nga regjimi titist e rankoviqist dhe ishin bastisur disa herë, prandaj si pasojë e torturave kishte ngelur invalid.
Në shtator të vitit 1997, Bashkimi ra në kontakt me lëvizjen ilegale. Më 10 prill 1998 Bashkimi angazhohet zyrtarisht UÇK, së pari në shtabin lokal të fshatit të lindjes, kurse më vonë në Koshare. Ishte i pajisur me pushkomitralez. Në UÇK ishte inkuadruart edhe babai i Bashkimit, Ramadani, si furnizues me armatim.
Stërvitjet ushtarake, Bashkimi i kreu në Babinë, Papaj, Tropojë, Kolsh e Kalimash. Pas rënies së Junikut, Bashkimi u detyrua të kalojë përkohësisht në Malësinë e Tropojës, ku e shfrytëzoi rastin të armatoset dhe të sjell armatim e municion edhe për luftëtarë të tjerë. Shtatë herë kaloi kufirin e robërisë me qëllim të furnizimit me armatim dhe shoqërimit të luftëtarëve që shkonin për këtë qëllim në Shqipëri. Në Junik tashmë ishte formuar një njësit me përgjegjësinë që të bënte ndërlidhjen e grupeve të luftëtarëve nga zonat e tjera të Kosovës, që merrnin rrugën për furnizim me armatim, me grupin e përcjellësve dhe shoqëruesve në zonën kufitare.
Në njësinë e fshatit, Bashkimi ishte komandant i grupit të vëzhguesve të Brigadës 134. Ka marrë pjesë në shumë vendluftime, si në Jasiq, Gjocaj, Junik, e së fundi në Koshare, ku ra dëshmor i lirisë. Pas rënies së tre ushtarëve të njësisë së tij, me rastin e thyerjes së vijës kufitare në Koshare, më 9 prill 1998, Ramiz Krasniqit, Rifat Çelajt dhe Abush Lokut, Bashkimi vazhdon të luftojë kundër barbarëve serbë deri në momentin e rënies te Vrojtoret e Koshares, duke mbetur, së bashku me qindra bashkëluftëtarë të tjerë, simbol i thyerjes së kufirit të mallkuar që ndau atdheun dhe kombin shqiptar për gati një shekull.
Trupin e Bashkimit e varrosën bashkëluftëtarët, në varrezat e qytetit Bajram Curr, ndërsa më 23.8.1999, u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare.Eprorët dhe bashkëluftëtarët e tij ruajnë për të kujtimet më të mira si njeri, patriot dhe luftëtar guximtar.
Familja e Bashkimit ka marrë Mirënjohje nga Brigada 138 e Zonës Operative të Dukagjinit, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe nga Kuvendi Komunal i Junikut. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …