Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje të “gjitha shteteve t’i bashkohen vendimit të SHBA-së për bartje të ambasadave në Jerusalem”. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas e ka përshkruar vendimin e Trumpit si “shuplakë të shekullit”. Kryetari amerikan, Donald Trump ka njoftuar më herët se Shtetet e Bashkuara e njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen. Izraeli ka aneksuar pjesën lindore dhe ka deklaruar të gjithë qytetin si kryeqytet, ndonëse një vendim i tillë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Vendimi i Trumpit ka nxitur protesta të përgjakshme ndërkohë që 128 shtete e kanë dënuar hapin e tij në një votim në Asamblenë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara.
Konsullata momentale do të shërbejë si lokacion i ambasadës pasi planet janë në realizim e sipër për krijimin e një ndërtese të përhershme në një pjesë tjetër të Jerusalemit. Ngjarja përkon me festimet e Ditës së Jerusalemit, një festim vjetor që shënon “ribashkimin” e qytetit pas luftës gjashtëditore më 1967.
Statusi i Jerusalemit përbën zemrën e konfliktit në mes të Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.
Sovraniteti i Izraelit për Jerusalemin nuk njihet ndërkombëtarisht dhe sipas marrëveshjeve të paqes në mes të izraelitëve dhe palestinezëve më 1993, statusi i këtij qyteti duhet të diskutohet në fazat e ardhshme të paqes. Një ditë pasi Izraeli shënon përvjetorin e shtetësisë, palestinezët përkujtojnë atë që e quajnë Nakba ose Katastrofa, duke iu referuar largimit të qindra mijëra personave nga shtëpitë e tyre nga territori që sot administrohet nga Izraeli. (REL)