Vizita e parë në Bruksel e delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, prej kur ky delegacion ishte zyrtarizuar në Kuvendin e Kosovës, ka kaluar duke prezantuar rolin e këtij dialogu dhe qëndrimet siç i shohin vetë pjesëtarët e tij, ndërsa nga ana e BE-së duke rikujtuar rolin dhe qëllimet e BE-së si lehtësuese dhe përsëritjen e kërkesave për krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut, sidomos heqjen urgjente të taksës që Kosova ka vendosur për importin e mallrave nga Serbia. Delegacioni i Kosovës ka pasur takim me ekipin e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe i ka takuar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini. Bashkëkryesuesit e Delegacionit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, që kësaj radhe ishin në krye të një delegacioni shumë të madh, insistuan pas takimit se ky delegacion shtetëror është tash adresa e vetme për dialog, e madje edhe ftesat për kryetarin duhet të shkojnë përmes këtij delegacioni. Në BE vazhdojnë të pohojnë se “nuk i takon BE-së të thotë se kush duhet e kush jo ta përfaqësojë Kosovën në dialog”. Por ajo që kërkon BE-ja edhe pas këtij takim i është heqja urgjente e taksës për mallrat nga Serbia.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …