Bastisja e forcave të KFOR-it suedez në Shtëpinë Muze të Radios-Kosova e lirë, një sulm i ri kundër vlerave të luftës së UÇK-së

Në vigjilje të 8-vjetorit të themelimit dhe fillimit të emetimit të programit në valët e Radios- Kosova e lirë, më 3 janar 2006, forca të shumta të KFOR-it suedez, rrethuan, e më pas bastisën brendinë e lokalit “Muze” të radios, ndërsa në oborrin e këtij objekti, hapën gropa dhe bënë shpime të shumta. Gjatë kohë së kontrollimit në çdo skutë, ata konfiskuan vetëm “fletoren e përshtypjeve” të vizitorëve të Muzeut.
Në dukje të parë ky veprim nuk do të kishte edhe aq rëndësi, sepse në fshatrat e Drenicës, po thuajse nuk ka mbetur asnjë shtëpi pa u bastisur nga këto dhe forca të tjera, “paqeruajtëse”, ndërkombëtare. Por e keqja e këtij veprimi të pamatur, të këtij segmenti të forcave të KFOR-it, qëndron në faktin se kjo bastisje u bë me virulencë, me rrethim të hekurt, me pjesëmarrje të dhjetëra mjeteve të motorizuara dhe të shumë ushtarëve e eprorëve, dhe me veprime jo edhe aq të matura të ushtarëve të huaj.
Dhe jo vetëm kaq.
Veprimi i tillë i forcave të KFOR-it suedez, do të mbetet një damkë e zezë në misionin e tyre, për faktin se edhe pas kontrollimit të çdo metri katrorë, të sipërfaqes së Shtëpisë –Muze të Radios-Kosova e Lirë, edhe pas hapjes së dhjetëra gropave edhe vrimave, ata nuk zbuluan asgjë të dyshimtë, nuk gjeten rastësisht as një fishek, as një teneqe, asnjë koc të ndonjë derri të egër, asnjë gjësend të dyshimtë.
Ata, mbase edhe të dëshpëruar nga dështimi i aksionit, pas 10 orë bastisjeje, u mjaftuan ta konfiskojnë një “fletore” të thjeshtë shkrimi, ku kohë pas kohe kanë shkruar përshtypjet e tyre vizitorët e Muzeut.
Megjithatë, ne konsiderojmë se bastisja nuk ishte e rastësishme.
Segmente të caktuara në kuadër të KFOR-it nuk e kanë harruar Radion-Kosova e lirë dhe Muzeun e saj të vogël, por simbolik, as 8 vjet pas luftës.
Është i vetmi medium informativ në Kosovë, të cilin KFOR-i e ka bastisur me qëllim për të gjetur mjete e gjësende të palejueshme, me qëllim komprometimi, apo me qëllim për të na bërë me dije ne drejtuesve dhe gazetarëve të Radios se “ata” nuk na kanë harruar, se na kanë në shënjestër po ashtu sikur na pati dikur edhe policia dhe ushtria okupatore serbe.
Ky fakt na shqetëson, por nuk na thyen. Përkundrazi, na jep forcë dhe vërteton qëndrueshmërinë e idealeve tona, të punës dhe të aktivitetit tonë, që buron nga amaneti i të rënëve për lirinë e Kosovës, atyre idealeve që burojnë nga aspirata e vegjëlisë së robëruar dhe të keqtrajtuar të popullit tonë nëpër shekuj.
“Kosova e lirë” nuk ka bërë tregti me idealet e lirisë.
Nuk ka pranuar kulturën e “multietnicitetit” dhe modernitetit të rrejshëm kozmopolit.
Nuk ka pranuar të bëhet pjesë e mashtrimeve të politikanëve të vendit tonë.
. Nuk ka pranuar as kurrë nuk do të pranojë, që për hir të përfitimit të favoreve të ndërrojë konceptin e pastër kombëtar dhe ta zëvendësojë atë me konceptin multietnik “të moderuar” në formë, por anacional dhe të shpërfytyruar në përmbajtje dhe në brendi.
Pikërisht sepse Radio-Kosova e lirë ka qenë dhe ka mbetur zëdhënëse e idealeve më të pastra kombëtare, trashëgimtare e denjë e luftës së legjendarit Adem Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zëdhënëse e vlerave më të fisnikëruara të historisë dhe të traditës sonë kulturore, në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni, pikërisht për këto dhe veçori të tjera, të cilat e karakterizojnë këtë koncept autentik, ajo ka mbetur në shënjestër të atyre, të cilët nuk e kanë pranuar karakterin çlirimtar të luftës sonë të drejtë dhe të cilët këtë luftë po bëjnë përpjekje ta trajtojnë si një konflikt, mes një pakice shqiptare dhe ish-regjimit të Beogradit.
Kjo është arsyeja pse nga segmente të caktuara politike injorohet dhe shantazhohet kjo Radio, madje edhe Muzeu i saj, i ngritur në vendin ku nuk artriti dot të pinte kafenë e mëngjesit, krimineli Sheshel, ashtu sikur iu kishte premtuar çetnikëve të tij gjatë luftës, as nuk arriti ta ndërtonte një “fushë futbolli” krimineli tjetër serb, Pavkoviq.
Kjo është arsyeja përse lajmin për bastisjen e Radios nuk e dha madje as “Kosovapressi” i tanishëm, shpërfytyruar i katër, pesë e gjashtë gjuhëve multietnike dhe asnjë nga radiocivilitetet e piliherdhitë emetuese të Kosovës. Por, këtë lajm e priten me indinjatë qindra intelektualë shqiptarë, të cilët edhe e afishuan informatën nëpër faqet e tyre të internetit.
Kjo është arsyeja përse edhe drejtuesit e politizuar të shoqatave të luftës nuk reaguan kundër bastisjes dhe denigrimit, që iu bë fotove të dëshmorëve dhe fotos së legjendarit, Adem Jashari, në enterierin e Shtëpisë-Muze të Radios në Berishë nga disa ushtarë të KFOR-it suedez.
Ne nuk kemi pritur që për raste të tilla të reagojë: Hashim Thaçi, as Veton Surroi, as Eqrem Kryeziu madje as Gjergj Dedja, sepse ata nuk merren me punë të tillë “të vockëla”, por është turp për disa drejtues të medieve, që nuk kanë pranuar ta japin vetëm informacionin si të tillë, thjesht si informacion me dy fjali, edhe pse këtu në Kosovë kemi dofarë asociacionesh të gazetarëve madje edhe të vetëquajtur “profesionistë”.
Bastisja, që bëri një segment i forcave të KFOR-it në Shtëpinë-Muze të Radios-Kosova e lirë në Berishë, nuk është e njëjtë me bombardimin e dy aeroplanëve serbë, kundër po kësaj selie, më 27 mars të vitit 1999, po në këtë vend të shenjtë të lirisë së Kosovës. Por, edhe kjo bastisje do të ngelë në analet e kësaj Radioje, e cila po rritet e pastër mbi therrat e multietnicitetit dhe po forcohet së bashku me idealin e pavarësisë së vendit tonë.
“Ju flet Kosova e lirë”, për lirinë e Kosovës ju flet, edhe sot, shtatë vjet e gjysmë pas dëbimit të barbarisë dhe anti historisë nga trojet tona! Flet për ata që kanë vesh dhe të cilët dëgjojnë zërin e ngulfatur të vegjëlisë shqiptare. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …