Shoqata “Atlantiku”, pjesë e të cilës janë ish-ushtarët shqiptaro-amerikanë të UÇK-së, në përvjetorin e 22 të intervenimit të NATO-s në Kosovë, ia kanë dërguar një letër kyetarit amerikan, Joe Biden. Në letrën e tyre thuhet se çdokush në Ballkan ende e mban mend kur ai në vitin 1993 i kishte thënë Millosheviqit fjalët profetike: “Mendoj që ti je një kriminel i mallkuar lufte dhe do të duhej të gjykoheshe si i tillë!” Por, shqiptaro-amerikanët theksojnë se pasi kishte nisur tri luftëra Millosheviqi nisi një tjetër edhe në Kosovë më 1998. Ish-ushtarët e Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së, ia përmendin edhe djalin Beau Biden, kryetarit amerikan, i cili bashkë me mijëra ushtarë amerikanë u bashkuan në përpjekjen e madhe për restaurimin e Kosovës pas luftës. “Z. President, ju para disa vitesh e keni quajtur Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi “Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”. Sot Thaçi është në një qeli në Hagë bashkë me katër shqiptarë tjerë të cilët rrezikuan jetët e tyre duke luftuar tiraninë jugosllave dhe okupimin e Kosovës. Sot është e pamundshme të paramendohet që dikush do të guxonte të akuzonte apo burgoste Xhorxh Uashingtonin, pse ai luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Amerikës” thuhet ndër të tjera në letër.