BDI dënon ashpër presionin e paprecedent që po ushtrohet nga qeveria mbi organet e Drejtësisë, Gjyqësorit dhe Prokurorisë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon ashpër presionin e paprecedent që po ushtrohet nga qeveria mbi organet e Drejtësisë, Gjyqësorit dhe Prokurorisë.  Kjo ndërhyrje flagrante, e shoqëruar me konformizmin e disa aktorëve brenda këtyre institucioneve ndaj ndikimit politik vë në pikëpyetje deklarimin verbal të pushtetit për vendosjen e shtetit të së drejtës.  Situata bëhet edhe më alarmante kur aktivistë partiakë emërohen në pozitat më të larta të sistemit gjyqësor, duke rrezikuar pavarësinë dhe besueshmërinë e tij.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë fjalimit në pritjen tradicionale të fundvitit, rikujtoi disa takime në vitin 2017 me kryeministrin aktual Hristijan Mickosski, deputetë të VMRO-së dhe funksionarë të tjerë të lartë të kësaj partie, të cilët ankoheshin për konformizmin e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve. Mjerisht, sot po përsëritet e njëjta qasje, madje me intensitet më të lartë nga ata që dikur e kritikonin.

Ky cikël vicioz i konformizmit dhe ndërhyrjes politike nuk është vetëm një sulm ndaj pavarësisë së drejtësisë, por një rrezik për vetë themelet e shtetit të së drejtës.

Si I tillë, ai shkatërron besimin e qytetarëve tek institucionet, minon ndarjen e pushteteve dhe krijon precedentë të rrezikshëm që mund të dëmtojnë për një kohë të gjatë demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

BDI-ja bën thirrje për një qasje të përgjegjshme dhe për respektimin e parimeve të pavarësisë së drejtësisë.

Ndërhyrjet politike dhe praktikat klienteliste nuk mund dhe nuk duhet të jenë normë e funksionimit të shtetit tonë.

Në një shoqëri demokratike, drejtësia duhet të jetë mbrojtësja e qytetarëve, jo instrument i presionit politik.

BDI i bën thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që të reagojë me urgjencë ndaj kësaj situate shqetësuese.

Pavarësia e drejtësisë është një nga shtyllat kryesore të proceseve demokratike dhe vlerave evropiane, dhe çdo lloj ndërhyrjeje politike që dëmton këtë pavarësi kërkon vëmendje të menjëhershme.

Reagimi ndërkombëtar është thelbësor për të siguruar që vendi ynë, Republika e Maqedonisë së veriut, të mos devijojë nga rruga e shtetit të së drejtës dhe e integrimeve euroatlantike.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i vendosur në angazhimin për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve dhe për të ruajtur integritetin e sistemit tonë gjyqësor.

Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të reflektojnë për pasojat e këtyre ndërhyrjeve dhe të vendosin interesin e qytetarëve mbi interesat e ngushta partiake.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala; Albin Kurti është në krye të listës për ta thyer rekordin paraprak me fantastikën shkencore, duke kërkuar 500 mijë vota

Në një publikim autorial, veprimtari dhe analisti, Behxhet Shala ka shkruar se Partia Vetëvendosje, Cezari …