Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se për momentin nuk është koha për zgjedhje parlamentare të parakohshme në Maqedoni, me të cilat, sipas kësaj partie, do të rrënohet dinamika e implementimit të Marrëveshjes së Prespës. E kjo, sipas BDI-së, mund të sjellë deri tek një bllokadë serioze të proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“BDI konkludoi: Në referendum dolën 650 mijë qytetarë, prej të cilëve mbi 90%, ose 610 mijë qytetarë janë deklaruar pozitivisht, me çka qartë pasqyrohet vullneti i popullit për anëtarësim të vendit në BE dhe NATO dhe për pranim të Marrëveshjes së Prespës. BDI vlerëson se Marrëveshja e nënshkruar dhe e ratifikuar paraqet obligim ndërkombëtar për vendin, dhe në këtë drejtim i përshëndet mesazhet e dërguara nga miqtë ndërkombëtarë, para së gjithash të SHBA-së, Bashkimit Evropian, vendeve anëtare të Unionit etj, në të cilat qartë dhe pa hamendje thirret Parlamenti i Republikës së Maqedonisë të merr obligimin për zbatim dhe implementim të Marrëveshjes së Prespës”, thuhet në njoftimin për media të kësaj partie.
“Duke pas parasysh këto konkluza, kryesia qendrore e BDI-së, vendosi që për momentin prioritet i vendit është gjetja e zgjidhjes me të cilën do të implementohet Marrëveshja e Prespës në Kuvend, dhe thërret të gjitha partitë politike që të punojnë në drejtim të krijimit të kushteve për implementim të Marrëveshjes. BDI vlerëson se për momentin nuk është koha për zgjedhje parlamentare të parakohshme, me të cilat do të rrënohet dinamika e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, gjë që mund të sjell deri tek një bllokadë serioze të proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet më tej në njoftim.