Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, Bashkimi Evropian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar në Samitin e Sofjes përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen evropiane të rajonit. Pas strategjisë së zgjerimit të BE-së për Ballkanin të publikuar sivjet, deklarata e Sofjes ka nxjerrë si përfundim edhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e stabilitetit në rajon, si parakusht për integrimin e kësaj pjese të Evropës në kuadër të Bashkimit Evropian. Në deklaratë, veç tjerash është thënë se “BE-ja mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”. Në njërën nga 17 pikat e kësaj deklarate, është theksuar po ashtu se shtimi i angazhimeve “në forcimin e rendit dhe ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në respektimin e të drejtave të minoritarëve dhe të njëri-tjetrit, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit”. Përkushtimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor, theksohet në deklaratë, është edhe dhe kërkesë e Bashkimit Evropian. Kurse në pikën e 11-të të kësaj deklarate është kërkuar bashkëpunim i shtuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Në Samitin e Sofjes po marrin pjesë liderët nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Nikoqir i takimit, është kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili aktualisht mbanë edhe Presidencën e Këshillit të BE-së. Kurse nga Bashkimi Evropian po marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kryesues i këtij samiti, pastaj presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerimin, Johannes Hahn. Pjesë e këtij samiti është edhe Kosova, që po përfaqësohet nga kryetari Thaçi. Ai nëpërmjet disa postimeve në rrjete sociale ka konfirmuar se në margjina të këtij samiti ka zhvilluar takime me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin francez, Emmanuel Macron, komisionarin e BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe personalitete të shumta, qoftë nga Bashkimi Evropian apo shtetet e Ballkanit.