BE-ja

BE e thërret Kosovën që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë

Bruksel/Prishtinë, 24 Janar 2022, dtt-net.com – Institucioni ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE), Komisioni Evropian (KE), ka kërkuar nga Kosova që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë, për t’iu dhënë konsumatorëve vendor të drejtën e lirë për të zgjedhur furnizuesin e tyre, meqë aktualisht kompania turke KEDS e mbanë monopolin në sektor.

Institucionet e Kosovës tashmë disa vite më parë janë zotuar për të bërë liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, në kuadër të zotimeve që kanë bërë përballë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë – me seli në Lubljanë – e i formuar nga BE për vendet e Evropës Jug-Lindore .

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha për agjencinë e lajmeve dtt-net.com se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të duhej që të zbatojë zotimet e Kosovës dhe të liberalizohet tregu plotësisht, pra edhe për energjinë elektrike me pakicë,

“Liberalizimi i tregjeve të energjisë elektrike me pakicë e rrit konkurrencën dhe inovacionin, e siguron lirinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe i fuqizon ata që të marrin pjesë aktive në tranzicionin e energjisë, përderisa masat zbutëse janë të mundshme për të mbrojtur konsumatorët në vështirësi  dhe për të trajtuar varfërinë energjetike. Prandaj vazhdojmë që të inkurajojmë Zyrën e Rregullatorit për Energji të Kosovës  (ZRRE) që të zbatojë planin për liberalizimin e tregut me pakicë të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me zotimet e Kosovës lidhur me Paketën e Tretë të Energjisë dhe kërkesat e tjera të Komunitetit të Energjisë,” tha Pisonero për dtt-net.com.

Thirrje drejtuar qeverisë së Kosovës për liberalizimin e tregut së fundi ka pasur edhe partitë opozitare, përderisa qeveria e Kosovës dhe ZRRE deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse kjo nuk po bëhet.

Liberalizimi i plotë i tregut me pakicë të energjisë elektrike do t’i jepte fund monopolit të kompanisë KEDS/KESCO, në pronë të grupit nga Turqia, Çalik Holding, në shpërndarjen e energjisë elektrike me pakicë deri tek amvisërisë dhe bizneset në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …