Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia të sqarojë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, duke shprehur shqetësim për situatën. Zëdhënësja për zgjerim e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha se kjo çështje po monitorohet në kuadër të angazhimeve që Serbia ka marrë për të drejtat e pakicave kombëtare.
“Autoritetet serbe duhet të shpjegojnë se si kryhen kontrollet që po çojnë në pasivizimin e adresave dhe nëse shqiptarët janë në shënjestër specifike,” tha Pisonero.
Së fundi, Gjykata Kushtetuese e Serbisë refuzoi një ankesë nga një banor shqiptar i Medvegjës për rikthimin e adresës, duke nxitur reagime në Kosovën Lindore dhe më gjerë. Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, akuzoi Beogradin për spastrim etnik përmes këtij procesi dhe paralajmëroi ndjekje të çështjes në institucione ndërkombëtare.
Shqiptarët, pakica e katërt më e madhe në Serbi, kanë organizuar protesta të përsëritura kundër diskriminimit.