Jo zyrtarisht bëhet e ditur se BE-ja dhe SHBA-të janë të gatshme të pranojnë këmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë më 12 qershor, në Uashington pritet të nënshkruhet marrëveshja rreth ndryshimit të kufijve, e cila do të hynte në fuqi gjashtë muaj më vonë, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Rundshau”Kjo gazetë në komentin e Adelhajd Velfël, shkruan se po rritet presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë që të nënshkruajnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, por kjo edhe paraqet rrezik për ndryshimet e kufijve në Ballkan. Sipas kësaj gazete, ideja e ndarjes së Kosovës është e vjetër, por për Perëndimin deri kohë më parë ndryshimi i kufijve ka qenë i papranueshëm, pasi kjo do të binte ndesh me kushtetutën e Kosovës, planin e Marti Ahtisarit dhe konkluzionet e Grupit të Kontaktit të arritura para fillimit të bisedimeve në vitin 2006.
Duke vënë në dukje se kjo ndoshta në Bruksel më nuk dëgjohet, në koment thuhet se që nga gushti i vitit 2018, edhe komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-s Federica Mogherini, bien dakord për tërheqjen e kufijve etnikë, dhe se administrata amerikane nën presidentin Donald Trump bëri një kthesë prej 180 gradësh.
“Kohë më parë rrodhi një dokument që përmban një plan të ndarjes së Kosovës. Në 17 pika bëhet fjalë për tërheqjen e kufijve të rinj në mes të shqiptarëve dhe serbëve në veri të Kosovës dhe për bashkim me Kosovën të disa vendbanimeve kryesisht me shqiptarë në Serbi”, shkruan kjo gazetë.