Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka njoftuar se BE-ja kërkon nga autoritetet e Kosovës që ta shtyjnë për 10 muaj afatin për regjistrimin e automjeteve me targa serbe. Edhe pse ka vlerësuar se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, Stano ka nënvizuar se është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat evropiane. “Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano për “RTK”-në. Kjo shtrirje, sipas tij, do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur.
