Është unifikuar spektri politik në Kosovë në kundërpërgjigjen dhënë ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian për ta bërë “Trepçën” temë në dialogun me Serbinë. Zotimi i dhënë në Prishtinë është se për gjigantin ekonomik nuk do të negociohet me kurrkënd. Në fundjavë, me më shumë se dy të tretat e votave, Kuvendi ka miratuar Statutin, me të cilin është hapur rruga që njësitë thelbësore të ndërmarrjes, që ishte nën menaxhimin e AKP-së, të regjistrohen si pjesë të shoqërisë aksionare “Trepça”. Aksionar kryesor i ndërmarrjes së re është Qeveria, ndërkaq 20 për qind të aksioneve u takojnë punëtorëve. Dhe, shkaku që një pjesë e njësive ndodhen në veriun e banuar me serbë, Beogradi zyrtar ka reaguar dhe ka paralajmëruar se nuk do të kthehet në dialogun e sponsorizuar nga Brukseli pa shfuqizimin e Statutit, sikurse edhe pa e hequr Kosova taksën ndaj produkteve me origjinë serbe. Serbia kërkon që për statusin e “Trepçës” të vendoset në marrëveshjen finale që synohet ta prodhojë ky proces dialogu. Të martën Maja Kociançiq, zëdhënëse e komisioneres Federica Mogherini, e cila e lehtëson dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet në Bruksel.
Kontrolloni gjithashtu
Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut
Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …