Bashkimi Evropian shpreson se gjatë kësaj jave do të ketë edhe një takim mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve. Pas dështimit javën e kaluar që të arrihet marrëveshja për targat, një burim i bllokut evropian u ka thënë të hënën, 25 prill, gazetarëve se palëve u është përcjellë ftesa që të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje dhe tema tjera. Ky burim ka thënë se në takimet e fundit pala kosovare ishte e interesuar që të arrihet zgjidhje e përhershme për targat, ndërsa pala serbe ishte më shumë e interesuar për të ruajtur status quonë. Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.
