Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: A MUND TË RREZIKOHET SHOQËRIA SHQIPTARE NGA FUNDAMENTALIZMI “ISLAMIK”?

Forma parciale e komentimit të Kuranit, nëse dikush mendon se është e drejtë, është në kundërshtim me vetë Kuranin: “. . . nëse dikush mbyt dikë, i cili nuk ka mbytur askë ose nuk ka bërë në tokë turbullira, është sikur të ketë mbytur tërë njerëzinë, e kush bëhet shkaktar për të jetuar dikush është sikur t’i kishte ngjallur (shpëtuar gjithë njerëzinë…)”. (Kaptina “Maide”, ajeti 32).

 Disa fjalë për levizjen vehabiste

Vehabizmi si lëvizje radikale, është paraqitur në shek. XVIII nga udhëheqësi Muhammed bin Adulvehhab. Si lëvizje islamike radikale, ka sulmuar dhe vazhdon të sulmojë islamin tradicional – burimor shpirtëror që dominon në: Turqi, Azinë Qëndrore, Indi, Malajzi, Indonezi, gjegjësisht në shumicën absolute të myslimanëve të botës islame. Prandaj vehabizmi dhe neovehabizmi, që rrjedh nga Egjipti dhe Pakistani, shihet se janë baza më e madhe e ekstremistëve të dhunshëm islamik në botë, për të cilët thuhet se këta përfaqësojnë formën ultra radikale të “Islamit”, sponzorimi i së cilës mendohet se bëhet nga qarqe të dyshimta antiislame. Gjithashtu, ndikimi vehabist shtrihet edhe në: Katar, Jemen, në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët sulmojnë me dhunë jo vetëm  përfaqësuesit e feve të tjera, por edhe myslimanët sunit dhe shiit.

Studiuesit vlerësojnë se kjo dukuri, shprehet përmes vehabizmit, të cilën e cilësojnë si një lëvizje ekstremiste, rrjedhimisht dhe të dhunshme që vepron në emër të synimit te reformimit të Islamit. Për realizimin e këtij synimi, kjo lëvizje, synon të zhvillohet si një lëvizje me përmasa globale, duke përdorur si strategji veprimi edhe vetvrasjen, duke pësuar kështu njerëz të pafajshëm që mund të ndodhin në vendin e caktuar. Madje logjika e kësaj lëvizje ekstreme, pra, vehabizmit, shkon deri atje sa që edhe myslimanët shiit, i trajton si jo myslimanë, të cilët sipas logjikës së tyre, as ata nuk  meritojnë të jetojnë, nëse nuk përqafojnë pikëpamjet e tyre; pikëpamje këto që janë në kundërshtim me mësimet kuranore dhe hadithet e profetit Muhamed a. s..

 Disa raste të sulmeve terroriste, të bëra në emër të islamizmit

 Terrorizmi i ashtuquajtur islamik, deri tani ka bërë një numër të madh të akteve vetëvrasëse, rrëmbime të aeroplanëve, përdorim të sasive të mëdha të mjeteve shpërthyese, montim të autobombave, etj.. Për shkak të hapësirës së gazetës, po sjellim vetëm disa shembuj konkret:

Më: 1984 u rrëmbye një aeroplan francez që fluturonte nga Frankfurti për në Paris.

Në dhjetor të vitit 1984 u  rrëmbye një aeroplan Kuvajtian.

Më: 1985 u rrëmbye një aeroplan me 150 udhëtarë që fluturonte nga Athina për në Paris gjatë fluturimit mbi Romë.

Më: 15. 08. 1983 u kidnapua një aeroplan Holandez  Boing 737.

Më: 24. 12. 1999 u rrëmbye një airbus Indian.

Në shtator 2001 u rrëmbyen katër aeroplanë amerikanë, duke bërë sulme vetëvrasëse kundër vlerave më vitale të ShBA-së. Në të gjitha rastet pat edhe viktima, ku viktima kryesore ishin udhëtarët amerikanë që kishin qëlluar në aeroplanë.

Gjithashtu, pos këtyre shembujve të rrëmbimit të aeroplanëve, po sjellim edhe disa shembuj të sulmeve vetëvrasëse:

Më: 1983, gjatë një sulmi vetëvrasës kundër ambasadës amerikane në Bejrut, ishte përdorur makina e mbushur me rreth 1000 kg eksploziv.

Po në vitin 1983, dy muaj më vonë, u bë një sulm tjetër vetëvrasës kundër ambasadës amerikane në Kuvajt, me ç’rast u përdor makina e mbushur me rreth 2000 kg eksploziv.

Në mars 1993, gjatë një sulmi vetëvrasës në Bombej, nga pasojat e një shpërthimi vetëvrasës, vdiqën rreth 300 dhe u plagosën 1200 njerëz.

Në gusht 1998, u bënë dy sulme vetëvrasëse kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, me ç’rast vdiqën 257 dhe u plagosën mbi 5000 të tjerë.

Natyrisht, kjo nuk është e tëra.  Këtu sollëm vetëm ca shembuj ilustrativ për lexuesit shqiptarë, për të parë se çfarë qëndrimi kanë fundamentalistët islamik ndaj mikes dhe aleatës më të madhe të shqipëtarëve në botë – ShBA-së.

Këtu nuk po ndalemi shumë të sjellim edhe luftërat dhe pasojat e tyre që janë bërë brenda vetë sekteve fetare islame. P. sh. Gazeta “Al-Ahbar” e Kajros, më: 24. 02. 1996 boton fetvanë e Sherif Kusamij, emir i vehabistëve në Algjeri, duke thënë se: “lejohet dhunimi i vajzave myslimane”, ku pas kësaj fetvaje dhunohen mbi 3000 vajza, të cilat janë shfaqur në televizione, duke e llogaritur këtë xhihad, ku pastaj ngriten në protesta mbi 100 mijë gra algjeriane kundër këtyre veprimeve neveritëse vehabiste. Pastaj luftërat kundër myslimanëve, duke filluar nga: Meka, Medineja, Katari, Kuvajti, Omani, Basra, Shami, Hurani, Halebi, Jordani, Iraku, kasaphanja e Qerbelasë, Nexhefi, Nexhrani, Bahreini, Ebu Dabi, Jemeni, etj.; i shënuam këto të dhëna, për të parë më qartë, se kush është kundër Amerikës dhe kush u gëzohet sulmeve ndaj saj, natyrisht përpos fundamentalistëve “islamikë”, sigurisht u gëzohet edhe Serbia…

Prandaj, t’u bashkohesh sulmeve ndaj Amerikës apo Evropës, është e njëjta gjë, sikur t’i bashkohesh për t’i shërbyer UDB-së serbe?

 Tendencat për paraqitje te shqiptarët

 Shqiptarët, ndonëse të përkatësive të tri feve, gjatë periudhave të ndryshme historike kanë pasur tolerancë të përhershme mes vete. Mirëpo, pas demokratizimit të Shqipërisë, në emër të humanizmit, u futën rrjete të ndryshme radikale nga vende të ndryshme arabe dhe evropiane, me ç’rast janë shfaqur disa fenomene negative, të cilat janë në kundërshtim me etnopsikologjinë shqiptare. Aq më tepër kjo, kur shqiptarët gjeografikisht i kanë takuar dhe i takojnë perëndimit dhe qytetërimit të saj. Prandaj, ardhja e organizatave të shumta nën petkun humanitar, si dhe nën petkun fetar, kanë sjellë vehabizmin – një sekt ky fetar islam radikal, i cili në formën e një ideologjie ekstreme, synon t’i luftojë të gjithë ata që mendojnë ndryshe.

Ndër njerëzit që janë futur në emër të bamirësisë në Shqipëri, thuhet se ishte edhe vetë Bin Ladeni, për të cilin thuhet që ka qene në Durrës. Gjithashtu, që nga viti 1991, në Shqipëri ka jetuar dhe vepruar për disa vite rresht fundamentalisti dhe terroristi egjiptian Osama Mustafa Hasan Nasr, i njohur me emrin Abu Omar, duke ‘punuar’ në shoqatën bamirëse “Human Relief and Constyruction Agency”. Ai madje, në vitin 1993 u martua me shqiptaren Marsela Glina. Tashmë për Bin Ladenin dihet shumëçka, por duam të sqarojmë në këtë rast, se Abu Omar ishte anëtar i organizatave terroriste islamike “Jamat al Islamiya” (The Islamic Group), i cili më vonë u bashkua me Al Kaidën. Madje, sipas disa të dhënave, gjatë asaj kohe, në Shqipëri kishte disa terroristë të ardhur nga vende arabe që merreshin edhe me prodhimin e bombave, për t’i dërguar për misione të caktuara terroriste.

Gjithashtu, edhe në Kosovë pas çlirimit, kanë depërtuar një numër i madh i të huajve, në mesin e të cilëve edhe shumë shoqata nga Bota Arabe, disa nga të cilat janë të lidhura tradicionalisht edhe me Serbinë.

Në këtë mënyrë u shfrytëzua varfëria e popullit shqiptar si në Shqipërinë e sapo dalë nga komunizmi, po ashtu edhe në Kosovën e sapo çliruar, siç u shfrytëzua edhe hapësira e lirë e veprimit te shqiptarët në Maqedoni, për shkak se në këtë drejtim as vetë shteti maqedon nuk ishte i interesuar t’u vendoste ndonjë farë gardhi. Lëvizja vehabiste në Maqedoni, ka vepruar lirshëm pa pengesa nga pushteti maqedonas, qysh para luftës së Kosovës, ku ka pasur edhe shtypshkronjën e vet për botimin e propagandës e literaturës vehabiste në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

 Synimet dhe qëllimet e fundamentalizmit “islamik” ndaj shqiptarëve

 Synimi i kësaj ideologjie, është që përmes tyre dhe misionarëve të vet, të arrijë zgjerimin e rrjetit të tyre në shoqërinë shqiptare, dhe pastaj kur të forcohen shumë, të tentojnë të bëjnë edhe luftën ekstreme në emër të “xhihadit” ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë si ata, për ta shndërruar kështu popullin e Kosovës dhe Shqipërisë në popull fundamentalist “islamik”. Pra, nuk është fjala këtu thjesht vetëm për pamjen e jashtme të disa individëve me mjekra të gjata e pantallona të shkurtëra, as për vajzat e mbuluara ekstremisht, por këta “misionarë të paqes së përgjakshme” meqë nuk mund ta bëjnë ndryshimin antropologjik të shqiptarëve për shkaqe gjenetike, atëherë insistojnë të bëjnë ndryshimin fenotipor, për t’iu përngjarë sadopak fytyrave të arabëve, duke tentuar t’ua imponojnë njerëzve edhe ndryshimin e ecjes, të faljes në xhami, të veshjes, por edhe të traditave shqiptare dhe islame. Kësisoj, me kalimin e kohës, kanë sjellë deformime shpirtrore të shoqërisë shqiptare në tërë hapësirën etnike të saj.

Ne, luftën e patëm në Kosovë, përkatësisht patëm tri luftëra në hapësirat shqiptare në Ballkan, dhe që të trija kishin karakter jo fetar, por thjesht human, çlirimtar dhe kombëtar. Prandaj, lind pyetja, se ku ishin këta individë atëherë? Përse nuk shprehen kurrfarë gatishmërie për t’u kyçur në asnjërën – në këto luftëra çlirimtare? Prandaj, në këtë drejtim, çdo njeri, sidomos i ri, para se të vendoste të luhatej në raport me këtë ideologji, (sado të mbuluar me gjuhë mashtrimi) do të duhej të mendonte, se vërtet kush ishin këta njerëz në të kaluarën? Cilat ishin sjelljet e tyre në shoqëri deri në momentin kur e përqafuan këtë lëvizje “fetare”, për t’u orientuar më lehtë pastaj, se, a ia vlen që dikush të shkojë mbrapa tyre.

Edhe te shqiptarët në Maqedoni, shumica e të cilëve janë myslimanë, ekspertët shohin një radikalizim të rritur, madje edhe në disa Këshilla të Bashkësisë Islame. Sipas “Ëashington Postit”, pushteti i radikalizmit islam në Maqedoni vazhdon të rritet, duke shkaktuar përçarje në komunitetin tradicional islam të vendit, duke zhvilluar luftë për pushtet brenda Bashkësisë Fetare Islame zyrtare, mes besimtarëve të zakonshëm dhe atyre që i përkasin lëvizjes vehabiste. Kjo rrymë radikale ka si qëllim që ta marrë në dorë së pari drejtimin e Bashkësisë Fetare Islame – siç shprehet edhe vetë kreu udhëheqës i BFI-së, me ç’rast gjërat do të merrnin karakter edhe më të padëshirueshëm.

 Metodat e veprimit të misionarëve të radikalizmit “islamik”

 Përderisa numri i tyre, është ende i kufizuar, si metodë veprimi dhe ndikimi në opinion në fillim përdorin një gjuhë të butë, njerëzore, joterroriste, për të lënë përshtypje paqedashëse dhe iluministe.

Por në momentin që ky numër të rritet dukshëm, atëherë s’ka dyshim se mund t’u jepen detyra të veçanta, me mundësi të fillimit të vrazhdësisë së veprimit ndaj klientelës dhe komunitetit.

Është e njohur historikisht, se në të gjitha shoqëritë e dala nga lufta, gjendja ekonomike e pas luftës është e rëndë, raporti mes kërkesave dhe mundësive janë në disproporcion të madh. Prandaj, këta misionarë gjejnë terren të përshtatshëm, duke u ofruar ndihma materiale korruptive dhe njëkohësisht, duke bërë propagandë për t’ua ndërruar ndjenjat fetare të atyre që kanë mundësi.

Kjo gjë, zakonisht mund të ketë sukses te individët, të cilët kurrë më parë nuk kanë besuar, te ata që Zotin nuk e njohin për Zot, por në radhë të parë interesin personal. Pastaj, me kalimin e kohës kjo gjë i bëhet adet, duke bërë përpjekje fanatike për t’i mbrojtur me çdo kusht bindjet e tij.

Këta “bamirës religjiozë” synojnë të gjejnë përkrahje edhe te personalitete politike, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Sigurisht, duke i korruptuar me para të majme, duke i shfrytëzuar kështu edhe emrat e tyre në propagandën për zgjerimin e rrjetit dhe simpatzantëve të tyre. Prandaj, nëse ndonjë shkrimtar, doktor, mjek, gazetar apo këngëtar, është kyçur në vallen e vehabizmit, këtë e ka bërë vetëm për interesa, ekskluzivisht personale dhe assesi fetare e kombëtare. Përmes kësaj forme të veprimit, synohet zgjerimi i rrjetit të anëtarësisë, dhe ndikimit të tyre në shoqërinë shqiptare, duke e thirrur në ndihmë propagandistike ndonjë emër të përveçëm.

Kjo sidomos bëhet më lehtë ndaj rinisë së painformuar, të cilët pas joshjes me para, te ata rritet oreksi për t’u pasuruar dhe si rrjedhojë synohet të rritet edhe gatishmëria për të vepruar.

Është për keqardhje se në këtë lojë, me apo pa vetëdije, mund të jetë futur edhe ndonjë individ, që mund të ketë qenë në burg, apo edhe ushtar i UÇK-së!

Vehabistët aktualisht për shkak të numrit të vogël të shtrirjes që kanë, sillen mirë, sidomos me ish të burgosurit dhe me ish-ushtarët e UÇK-së. Dhe kjo bëhët për dy arsye: së pari për shkak se ata kanë autoritet në opinion, prandaj konsiderojnë se konfliktin me ta e kanë të humbur që në start në aspektin moral e kombëtar, dhe së dyti, për shkak të frikës, sepse, po hyjnë në konflikt fizik me ish-ushtarët e UÇK-së. U frikësohen, sepse e dinë që janë mijëra të rinj shqiptarë, të cilët duke marrë pjesë në tri luftëra, e kanë të mësuar sado pak zanatin e luftës. Prandaj, vehabistët aktualisht nuk duan konflikt me ish-UÇK-në as në Kosovë, as në Luginë të Preshevës dhe as në Maqedoni, por bëjnë përpjekje që dikë nga këta edhe ta përvetësojnë. Kështu veprojnë derisa të rritet numri i tyre, në përmasat kur ata e vlerësojnë se janë rritur aq shumë, sa që mund të fitonin në të gjitha betejat ndaj të gjitha shtresave kundërshtare të shoqërisë shqiptare, ku sipas llogarive te tyre mund të dalin fituesë.

 Ndihmat materiale si forma për fitimin e besimit

 Si formë kryesore e veprimtarisë fillestare të tyre thamë se janë ndihmat materiale, sidomos te njerëzit e varfër dhe te rinia. Nga hulumtimet që janë bërë në hapësirën shqiptare, dhe veçmas në Kosovë, paraqiten shumë të dhëna brengosëse  dhe të rrezikshme për këtë lëvizje. Thuhet se janë dhënë para të shumta nga vehabistët e Arabisë Saudite, një pjesë e madhe e të cilave janë shfrytëzuar për sponzorizimin e propagandës fetare të kësaj lëvizjeje përmes literaturës së dyshimtë, kurseve të ndryshme, etj., nga të cilët, 388 kanë qenë misionarë, të cilët kanë pasur misionin që shqiptarët t’i konvertojnë në lëvizjen vehabiste-fundementaliste. Nga këto shoqata sigurisht se janë bërë edhe ndihma që meritojnë respekt e falënderim, por mjerisht jo të gjitha.

Po kështu, edhe ndihmat humanitare nga disa shoqata amerikane dhe evropiane që kanë ardhur në Kosovë, janë dedikuar në ndërtimin e spitaleve, qendrave rehabilituese, shtëpive, shkollave, rrugëve, etj.. Natyrisht, edhe këtu ka përjashtime, se nga numri i tërësishëm i këtyre shoqatave nga perëndimi, ka pasur edhe ndonjë që ka botuar broshura propaganduese për krishterizmin, për të cilat shqiptarët e fesë Islame as nuk kanë pasur dhe as nuk kanë nevojë.

Lidhjet e Serbisë me lëvizjen vehabiste dhe terroristët e ashtuquajtur “islamikë”

 Disa nga terroristët më të njohur arab, që kanë bërë terror në radhë të parë në popullin e vet, janë shkolluar ose kanë pasur miqësi me Serbinë, duke mbetur kështu miq të devotshëm të saj, si Sadami, Gadafi, etj..

Gjithashtu është i njohur edhe fakti se nga Jugosllavia e atëhershme, këto shtete kanë blerë armë luftarake, dhe njerëzit e tyre janë aftësuar në ish-Jugosllavi.

Serbia vazhdimisht është përpjekur që shqiptarët t’i paraqesë para botës me një imazh sa më të keq. Për realizimin e këtij qëllimi, nuk ka lënë gurë pa lëvizur. Këtë gjë është duke e bërë edhe sot e kësaj dite kudo në botën perëndimore, ku i jepet mundësia të depërtojë, duke i paraqitur shqiptarët se si gjoja ata synojnë të luftojnë krishterimin perëndimor, pra Evropën, të cilës i takojnë edhe gjeografikisht. Kësisoj, të gjitha përpjekjeve tona për liri, madje edhe luftës së UÇK-së, janë munduar t’i japin karakter fetar. Në këtë drejtim, edhe gjenocidin që Serbia e ka ushtruar në Kosovë ndaj shqiptarëve, është munduar ta arsyetojë para botës, se ata po e luftonin islamizmin në qendër të Ballkanit, përkatësisht të Evropës. Edhe sot Serbia, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha pjesët e banuara me shqiptarë është duke sponzoruar propaganduesit që ta nxisin radikalizmin islamik, për ta shkatërruar në radhë të parë tolerancën fetare mes vetë shqiptarëve, si dhe pastaj për të ndikuar edhe në nxitjen e urrejtjes mes etniteteve të tjera. Serbia edhe aktualisht është duke vepruar përmes misionarëve të vet në Kosovë, si në Gorë, Sanxhak, të cilëve u jepën detyra konkrete për ta prishur imazhin e Kosovës para botës, për interesa të Serbisë.

Cili është interesimi i Serbisë në këtë drejtim? Gjithsesi, që të ndikojë në të gjitha format e mundshme në zgjerimin e radikalizmit “islamik”, në radhë të parë në Kosovë, dhe në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare. Serbia ka vazhduar marrëdhëniet e mira diplomatike dhe kulturore me vende arabe, të cilat i ka trashëguar që nga shoku Tito, në kohën e komunizmit, i cili i pat themeluar bashkë me Naserin të ashtuquajturat Shtetet e Painkuadruara.

Përderisa feja e serbëve, është e ndryshme me botën arabe, atëherë lind pyetja: Çka e lidhë Serbinë me botën arabe? Praktika tregon se te dyja palët i lidhë antiamerikanizmi dhe antievropianizmi. Gjithashtu është i njohur fakti se, Serbia e ka themeluar fondin special për destabilizmin e Kosovës edhe në sektorin islamik.

Prandaj përmes rrjeteve të saj, Serbia mjerisht ende synon të ndikojë te disa vende islamike për të mos e njohur Pavarësinë e Kosovës, duke propaganduar kundër shqiptarëve të Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi, duke u thënë atyre, se shqiptarët me shumicë myslimane, janë lidhur me Amerikën dhe Evropën, sepse dëshirojnë që të kthehen në krishterizëm, prandaj, edhe Amerika bashkë me Evropën po për këtë qëllim i kanë çliruar, gjoja për t’i kthyer në krishterizëm. Kurse në anën tjetër, po kjo Serbi, iu drejtohet vendeve përendimore, në të gjitha instancat e mundshme, duke propaganduar se gjoja shqiptarët në Kosovë janë përcaktuar për radikalizëm islamik, dhe përderisa qenka kështu, atëherë rreziku kryesor i Evropës do t’u vjen nga shqiptarët islamik. Natyrisht këto gënjeshtra Perëndimi i ka kuptuar mirë, dhe nuk ka pse t’u besojë.

Nuk është e tepërt të themi edhe se, gjatë luftës në Kosovë, nga Rusia kishte vullnetarë që erdhën për të luftuar për Serbinë edhe në Kosovë, kurse nga “bota vehabiste” nuk kishte asnjë, jo pse UÇK-ja kishte nevojë, por për kurtuazi po e themi, se nuk kishte asnjë. Prandaj a nuk është ky edhe një argument shtesë për secilin shqiptar, se si nuk duhet ndjekur rrugën e gabuar? Atëherë, për çfarë interesa një shqiptar do të pranonte që të vepronte, qoftë i organizuar në ndonjë rrjet radikalësh “islamik”, qoftë edhe i vetëm si Uka në Frankfurt?

 Sinjalet e izoluara të terrorizmit islamik te shqiptarët

Është për shqetësim gatishmëria e ndonjë individi injorant te shqiptarët në Maqedoni, që gjithsesi mund të jetë i paguar nga qarqet antishqiptare, për të kënduar këngë lavdëruese për Osama Bin Ladenin ku thuhet pos tjerash: “O Osama, shkatërroje Armatën Amerikane. . . O Osama  në shtator të 2001-shit ti fitove fuqinë”, etj.. Duam të besojmë, se edhe pse kjo gjë është bërë në gjuhën shqipe, kjo mund të jetë bërë nga ndonjë individ, apo edhe nga shërbime të caktuara antishqiptare, të cilat nuk e kanë vështirë që të gjejnë dikë nga rrjeti i bashkëpunëtorëve të vet, për ta paguar, për ta bërë këtë incizim, qoftë në Maqedoni, qoftë në Serbi. Përndryshe, nëse do të ishte ndonjë shqiptar, do të ishte nga soji i atyre që den baba den kanë qenë me Serbinë.

Pastaj, nuk kemi se si mos ta përmendim rastin e tre vllezërve shqiptarë me prejardhje nga Maqedonia, të cilët së bashku me një shqiptar nga Kosova, dhe me disa të tjerë që jetojnë në ShBA, kanë bashkëpunuar në një komplot që ka pasur synim madje edhe sulmin në bazën “Ford Dix” të ushtrisë amerikane në Neë Jersey.

Sipas studiuesve të kësaj fushe, për të qenë shqetësimi edhe më i madh, lëvizja vehabiste në Maqedoni, tani kontrollon pesë xhami në Shkup, edhe përkundër faktit se Bashkësia Fetare Islame e ka pezulluar njeriun të cilin pretendojnë se i përket kreut të këtij sekti në xhaminë “Isa Beg” në Shkup. Kurse shteti maqedon hesht, dhe sigurisht i fërkon duart.

Gjithashtu, nuk mund të mos e përmendim rastin e burgosjes së një grupi të të dyshuarve në Prizren, për ta parë, se deri ku mund të arrijë shkalla e iracionalitetit te njerëzit e painformuar, të varfër, etj..

Së fundi s’ka dyshim se rasti i Ukës në Frankfurt është i izoluar, të cilën gjë e pranoj edhe vet Amerika dhe Gjermania. Por megjithatë, edhe si rast i individual, i tronditi në radhë të parë të gjithë shqiptarët mysliman dhe natyrisht edhe tërë botën demokratike, duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në prishjen e imazhit për shqiptarët në përgjithësi.

Çfarë mendojnë shqiptarët për fundamentalizmin “islamik”?

Shqiptarët myslimanë kudo që ndodhen nuk kanë se si mos ta pyesnin veten: çfarë bëri Osama Bin Ladeni për myslimanët, pos që ndikoi në njollosjen e imazhit të myslimanëve në botë? Në mënyrë të veçantë shqiptarët duhet ta pyesin veten se çfarë bëri Gadafi dhe Sadami për shqiptarët si shumicë myslimane? Në kohën kur Klintoni i krishterë, po e bombardonte Millosheviqin ortodoks, i cili: po vriste, dhunonte, dhe masakronte gra, fëmijë dhe pleq shqiptarë, veçmas ata shqiptarë që i përkisnin fesë Islame në Kosovë, Sadami dhe Gadafi, u quan në protesta për të protestuar kundër bombardimeve të NATO-s! Dhe jo vetëm kaq! Ata asnjëherë, as edhe me një fjalë të vetme, nuk e ngritën zërin e protestës ndaj Millosheviqit, që po ushtronte gjenocid mbi shqiptarët.

Në këtë drejtim, shqiptarët i kanë të qarta të gjitha këto, dhe më shumë se kaq, prandaj të kota janë përpjekjet e kujtdo qoftë, për t’i mashtruar, qoftë edhe duke e keqpërdorur për një moment gjendjen e rëndë socio-ekonomike, sepse shqiptarët përderisa kanë pasur tolerancë mes përfaqësuesve të feve të ndryshme që kanë, si është e mundur të mos kenë tolerancë ndaj vetvetes? Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse nuk ka shqiptar, në dejtë e të cilit rrjedh gjak shqiptari, që do të pranonte të binte pre e ndonjë mashtrimi dhe për çfarëdo çmimi të kujtdo qoftë.

Qëndrimi i shtetit si preventivë ndaj veprimeve të mundshme terroriste

Shqiptarët, historikisht janë treguar popull tolerant civilizues, dhe evropian. Në këtë drejtim, indiferenca e shtetit të Shqipërisë dhe e Kosovës, karshi këtyre dukurive s’do mend se mund t’i kushtojë shtrenjtë në radhë të parë shoqërisë shqiptare. Demokracia nuk nënkupton as ekstremizmin, dhe as anarkinë. Shoqëria shqiptare në tërë hapësirën gjeografike të saj, ka nevojë për mendje racionale, përmes së cilës duhet arritur zhvillimi dhe përparimi i gjithmbarshëm i shqiptarëve të integruar në strukturat perëndimore. Përderisa jemi përcaktuar kështu, atëherë lind pyetja: se a duhet të heshtin institucionet shtetërore ndaj këtyre dukurive, apo duhet të luftohen, për t’i eliminuar këto dukuri negative, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët historikisht me shqiptarizmin, (as me politikën, as me ekonominë dhe as me civilizimin shqiptar, sepse asnjëra nga këto nuk mund të bëhet mbi baza të çfarëdo ideologjie ekstreme). Vetë shoqëria shqiptare, dhe institucionet e saj, duhet të gjejnë forma, që ta ndërprejnë këtë propagandë histerike, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me fenë tradicionale islame të shqiptarëve. Prandaj kush tjetër, nëse jo shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë nuk përgjigjet në pyetjet: si ka ndodhur kjo? çka është duke ndodhur me kulturën tonë aktualisht? Nga do ta dërgojë ky orientim shoqërinë dhe qytetërimin shqiptar? Në këtë rast, shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, për shumçka duhet ta kenë shembull Turqinë, sepse fundamentalistët dhe terroristët “islamikë” të maskuar si studentë, turistë, anëtarë shoqatash bamirësie, etj.; përfitojnë dhe abuzojnë nga parimet e demokracisë, si: liria e lëvizjes, liria e organizimit, liria e fesë, liria e fjalës, liria e shtypit.

Rastet që u përmenden më lartë, janë më shumë se sinjale, se shteti dhe përgjegjësisht shoqëria, duhet të bëjnë më shumë për pengimin e paraqitjes së këtij fenomeni, ku indiferenca e kujtdo qoftë, mund të sjellë jo vetëm akte individuale terroriste, por edhe të organizuara, që mund të kenë pasoja fatale. Aq më tepër, kur sulmet terroriste të fundamentalizmit po ndodhin vazhdmisht në shumë vende të botës, pra edhe në Turqi, përmes aksioneve vetëvrasëse. Kjo duket qartë, se në çdo vend, ku ka sekt vehabist, ky lloj terrorizmi ekziston, prandaj institucionet shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, duhet t’i bashkërendojnë veprimet, në mënyrë që të mos e lejojnë në radhë të parë humbjen e njerëzve të pafajshëm, si dhe prishjen e interesave kombëtare të shqiptarëve në raport me perëndimin.

Shteti i Shqipërisë, por edhe ai i Kosovës, duhet të mësojnë nga gabimet e qeverisjes në Shqipëri gjatë viteve 90-ta, lidhur me indiferencën ndaj fundamentalistëve dhe terroristëve të ardhur nga vendet arabe, sepse ata nuk kanë përfaqësuar dhe nuk përfaqësojnë kulturën dhe qytetërimin e shteteve arabe, disa nga të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ku pritet që këtë ta bëjnë edhe vendet tjera.

Prandaj a duhet lejuar që të bien pre e manipulimeve të individëve vehabistë? Çfarë do të arrinin shqiptarët, sikur numri i vehabistëve të rritet qoftë edhe në progresion gjeometrik? Do të shkaktohej lufta vëllavrasëse në Kosovë dhe në të gjitha hapësirat shqiptare; do të deformohej identiteti kombtar; do të zbehej ardhmëria e shqiptarëve si komb dhe do të futej pasiguria në tërë hapësirat ku kjo do të ndodhte.

Kur themi reagimet e institucioneve shtetërore nuk duhet të mungojnë, këtu nuk mendojmë vetëm në policinë e ushtrinë, e as vetëm në shërbimet informative, por shteti duhet t’i vëjë në lëvizje të gjithë mekanizmat e vet, duke mos i përjashtuar as politikanët, dhe subjektet politike e jopolitike, e veçmas Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila përmes strukturës së vet, t’ua rikujtojnë njëherë e mirë të gjitha shtresave të besimtarëve islam të shoqërisë shqiptare, se kjo rrugë nuk është ardhmëria e kombit shqiptar.

Prandaj, institucionet shtetërore në Kosovë, Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi e më gjerë, duke bashkëpunuar në baza të shëndosha mes vete, duhet t’i koordinojnë veprimet për t’i parandaluar gjërat e këqija që mund të ndodhin, sepse shkëndijat e këtyre acarimeve dhe ashpërsimeve tashmë janë dhënë: siç ishte rasti në një vend në Drenicë, në Prizren, në Shkup, me veprimet individuale të individëve në Amerikë dhe Frankfurt. Ishalla do Zoti që kurrë asnjë shqiptar, që ka gjak shqiptari, të mos ngatërrohet në këtë rrugë të pakrye, pasojat e së cilës do t’i ndjenin jo vetëm ata vetë, dhe familjet e tyre, por edhe njerëz të pafajshëm, si dhe tërë shoqëria shqiptare. Ai që e vret vetveten me dorën e vet, hak nuk mund t’i kërkojë askujt.

Kambana që ra në Amerikë më: 11 shtator 2001, duhet të jetë e mjaftueshme për çdo njeri normal të cilitdo etnitet qoftë dhe i cilësdo fe qoftë. Njeriut jetën ia falë Zoti, dhe askush nuk ka të drejtë t’ia marrë, qoftë edhe duke e keqpërdorur emrin e Zotit. E një fjalë e urtë shqiptare thotë: “Mos ia bën askujt, atë që nuk ke qejf të ta bëjë dikush ty”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Avancimet njëetnike në Arsim dëshmojnë përjashtimin sistematik të shqiptarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për avancimet e fundit në Ministrinë e …