UÇK- çfarë ishte kjo për Surroin?
Surroi duke bërë fjalë për UÇK-në, Rambujenë, Ademin, Hashimin, me synim të mohimit të çdo gjë gjëje në fund pyet: “A ka ekzistuar ndonjëherë Ushtria Çlirimtare e Kosovës?”, duke vazhduar të jap vet përgjigje. Dhe për ta sforcuar të vërtetën e tij, jep jo një, por tri përgjigje.
Së pari thotë, se UÇK nuk ishte ushtri!
Së dyti, thotë se nuk ishte çlirimtare!
Dhe së treti, se nuk ishte e Kosovës!
Vetoni duket se e ka krye shërbimin në APJ (Armatën Popullore të Jugosllavisë), prandaj edhe duket se i di hollë këto punë rreth ushtrisë, përbërjes së saj, veprimeve të saj, organizimit të saj. Prandaj UÇK për Vetonin, vërtet nuk ishte ushtri, sepse nuk kishte kazerma.
UÇK nuk ishte ushtri sepse nuk kishte asnjë epror të APJ-së joshqiptar.
UÇK nuk ishte ushtri, sepse nuk ishte regulare, nuk i kishte thirrur njerëzit në kryerjen e këtij shërbimi në radhë të parë. Që të bëhej kjo, nuk kishte mundësi sepse nuk i plotësonte dy kritere bazë.
Së pari, nuk kishte armatim të sofistikuar si ushtritë regulare
Dhe e dyta, nuk e kishte pëlqimin e Serbisë.
E si mund të ishte ushtri profesionale, regulare në këto rrethana?
Nuk ishte çlirimtare pra, – thotë Surroi! Nese ne ishim të çliruar nga Serbia, vërtet UÇK nuk do të ishte çlirimtare sepse nuk kishte kë të çlironte dhe më kë të luftonte. Nëse nuk ishim të okupuar, atëherë UÇK, nuk do të ishte çlirimtare sepse nuk kishte nevojë fare të formohej.
UÇK nuk ishte, as e Kosovës jo, – sipas Surroit. E kujt ishte nuk ka rëndësi, sepse këtë nuk na e tregon Surroi, por e Kosovës ama, nuk ishte. E Serbisë? E Bangladeshit? Por duket se Surroi ndaj UÇK-së ka averzion të trefishtë:
Averzion ndaj ushtrisë;
Averzion ndaj çlirimit
Dhe pakëz ndaj Kosovës.
Përderisa Surroi thotë kështu, ndoshta edhe ashtu është, sepse Shefi ka gjithmonë të drejtë. Shefi e ka marrë edhe pronësinë mbi të vërtetën. Kur thotë Surroi nuk është e mirë diçka, as topi se luan. Po këtu është një problem i vogël. Te populli. Populli. Ah ky popull, që nuk ka arritur ende që të ngritet në nivelin e të kuptuarit të vërtetës surroiane. Por ç’të bësh, “katundi shpesh, (e Surroin) nuk po e marrin vesh”. Prandaj edhe nuk e votuan. Ah katundarët, që nuk i besojnë Surroit!
Por edhe Vetoni e ka një problem, të vogël. Nuk e din akoma, madje as në demokraci (qoftë edhe pa liri) se djemtë e vajzat që vendosen për të vdekur për lirinë e Kosovës, që i kapën armët në dorë, nuk e kanë pyetur Surroin. Asnjëherë. Fatkeqësi për Surroin ndoshta po, por fatmirësi për Kosovën dhe popullin e saj gjithashtu po. Çka do të ndodhte sikur UÇK të mos formohej? Nga qielli nuk bien kokrra gruri asnjëherë, apo jo. E rrjedhimisht nuk do të pikonte as liria. Surroi luftën e UÇK-së mundohet ta tall, duke i dhënë karakterin e një lufte kaçakësh. Ajo vërtet nuk ka qenë ushtri në kuptimin çfarë ka mësuar për ushtrinë, Surroi nga librat, por ka qenë ushtri si çdo lëvizje çlirimtare gjatë periudhave të historisë së popujve të robëruar. Me specifikat e veta. Me dobësitë e veta. Dhe përparësitë natyrisht.
Po Surroi dhe gatishmëria për sakrificë sublime janë shumë larg. Me vjet drite. Prandaj Surroit ushtarët e UÇK-së i duken jashtëtokësorë. UÇK-ja krijesë fantazmë, dhe Ademi mbinjeri. Se Surroi i mat gjërat me kutin e vet. Çka nuk ja merr mendja Surroit, “nuk shkruan as në çitap”.
E keqja është se Surroi pas luftës, vërtet e ka kuptuar se kush ishte UÇK-ja dhe protagonistët e saj. Dhe kjo i dhemb. Lufta ka përfunduar. Në biografinë e tij mungon angazhimi në çlirimin e Kosovës. Prandaj ka vendosur që të barazohet me ta, me UÇK-në, duke e baltosur atë. Surroi mund të jetë më i aftë se shumë luftëtarë të UÇK-së në kuptimin shkollor, por secili luftarë i UÇK-së njëmijë herë ka qenë në gjendje të sakrifikoj jetën para se Surroi ta sakrifikonte qoftë edhe një qime floku. Prandaj Surroi nga egocentrizmi i tij e ka marrë për detyrë, që të shkruaj, të baltos, të gjej pika të zeza brenda veprimeve dhe organizimit të UÇK-së. Si pikënisje në qëllimin dhe misionin e tij “të shenjt” e “fisnik” thirret në ndonjë veprim a individ të pasluftës, për ti dhënë karakterin univerzal. Pra, Surroi UÇK-në e ka kuptuar si poezi moderne. Nese një personazh ka devijuar duke bërë ndonjë keqpërdorim paslufte, ai do ti jap karakterin e përgjithshëm, se përderisa filani ka bërë keqpërdorime pas lufte, është pasuruar në mënyrë marramendëse pas lufte, atëherë të gjithë duhet të jenë si ai. Të paktën kështu i konvenon të thotë Surroit, sepse dëshiron të ngjitet shkallëve për në qiell.
Pastaj, Surroin e pengon edhe LPK-ja si themeluese e UÇK-së. E pengon se pse ajo ka qenë klandestine, pse nuk ka dalur në kokërr të lëndinës, që pastaj çdo krijesë nga kjo për qëllime çlirimtare, më lehtë do të binte në kokërr të shpinës. Disi ngjashëm si me Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës në vitet 90-ta. Edhe LPK kanë bërë ‘gabim të dyfishtë’:
Së pari, që kanë punuar në mënyrë të fshehtë, e që kjo është në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe transparencës.
Dhe e dyta, që e kanë formuar UÇK-në, që nuk janë pranuar komandantët me konkurs dhe atë pa e pyetur fare Surroin.
Surroi edhe nga perspektiva e të sotmes, mundohet të ngrit probleme e debate rreth fondeve të atëhershme rreth “Fondit Vendlindja thërret” dhe Fondit të 3 përqindëshit, siç mundohet ta ngrit edhe çështjen e Farkut. Sepse Surroi i farkuar vonë, deshiron futjen e debatit pas lufte mes UÇK-së e Farkut si dhe përfaqësueseve të fondeve, duke provuar mos po ndez ndonjë përçarje e re. Por këtyre “plumbave” të Surroit u është lagur baruti. Nuk po ndezin. Ai mund të vazhdoj ta ngushëlloj veten për ta botuar këtë far “libri” edhe 10 herë të tjera po deshi, por realiteti nuk ndryshon. Të vërteten nuk mund ta varros askush. As Surroi natyrisht, qoftë vetëm, qoftë me kompaninë e tij.
Po Surroi në misionin e tij vazhdon gjurmimin. Atë e pengon edhe kierarkia organizative vertikale e vendimmarrjes së UÇK-së. E pengojnë edhe pseudonimet. Ah këto pseudonimet që shpirtin ja patën hëngër edhe Serbisë që nuk mund ti deshifronte të gjitha. As kjo nuk është demokratike, që njerëzit të venë emra kafshësh si pseudonime apo jo? Por a është demokratike për ti luftuar veprimet shtazarake të ushtrisë dhe policisë serbe të cilat madje as kafshët nuk i bëjnë?! Lopa nuk e mbyt viqin e një lope tjetër. As kau jo. As qeni nuk e mbyt këlyshin e një kudre tjetër. As dashi nuk e mbyt qengjin e një deleje tjetër. Te egërsirat ndryshon. Ujku po, i han klysht e ujkonjës tjetër. Por jo të gjitha egërsirat e kanë të zhvilluar ndjenjën e kanibalizmit. Vërtet, nuk ka kuptim: komandant arusha, komandant ujku, etj. . . Por për këto, organizatat e veteranëve duhet ti kërkojnë falje kafshëve, që ua kanë marrë emrat pa i pyetur dy subjekte:
Së pari, nuk i kanë pyetur egërsirat.
Dhe e dyta, nuk e kanë pyetur Surroin.
Por Surroi, si një thes i palidhur nuk ndalet me kaq. Ai në fq. 79 të këtij far “libri” si e quan, për ta mohuar apo edhe minimizuar rolin e UÇK-së thotë: “Çlirimin e Kosovës e kanë bërë trupat e NATO-s. Ushtria serbe është tërhequr nga Kosova në saj të bombardimit të NATO-s dhe e hyrjes së këmbësorisë së KFOR-it, e jo për shkak të veprimeve të UÇK-së”.
Këtu, pa dashur të minimizojmë për asnjë milimetër rolin e NATO-s duhet të theksojmë se Surroi me zhdërvjelltësinë e tij prej kameleoni i ikë qëllimisht një fakti bazik:
Se NATO ndërhyri në Kosovë, pasi UÇK-ja kishte filluar luftën çlirimtare. Si do të ndërhynte NATO nese në Kosovë nuk të kishte luftë? Pastaj asnjë ushtar i NATO-s nuk është vrarë në Kosovë. Dhe mirë që nuk është vrarë, se Surroi num mund të shkruante keq tani as për UÇK-në.
Finacimi, fondi, pushteti…dhe ëndrrat e Surroit
Rreth financimit të UÇK-së, e “Fondit Vendlindja Thërret”, është bërë shumë zhurmë nga ata që nuk e kanë dhënë asnjë cent për çlirimin e Kosovës. E kush e financoj UÇK-në, Surroi nuk e ka vështirë ta dijë, sidomos pas vitit 2007. UÇK-në e kanë financuar të gjithë ata që nuk e kanë votuar Surroin. Dhe për këtë nuk e kanë pyetur askë, pra as Surroin.
Tentimi për ta qitur UÇK-në si formacion të LPK-së, sado në mënyrë të sofistikuar që bëhet, është shumë e trashë. Nuk e ha kush. UÇK-në e ka formuar LPK, sepse nuk mund ta krijonte UJDI. Dhe këtë e ka bërë për çlirim nga Serbia dhe jo për të ra në ujdi me Serbinë.
Sa i përket strukturës komanduese të UÇK-së, që “u lejuan vetëm kuadrot e LPK-së”, këtë e ka bërë për dy arsye:
E para, sepse nuk ka mundur të hap konkurs për komandant e eprorë.
Dhe e dyta, nuk ka mundur ta pyes Veton Surroin.
Por me kalimin e kohës brenda UÇK-së kishte edhe profesionistë që kishin qenë ushtarak të karrierës në ushtrinë jugosllave (APJ) dhe në dejtë e të cilëve rridhte gjak shqiptari. Por për Surroin kjo është një fushë shumë e panjohur. E huaj madje.
Megjithatë Surroi nuk ndalet. Ai shkruan: “ky formacion (UÇK, vër. imja) nuk e ka mbushur me përmbajtje emrin e madh që ka mbajtur. Pra nuk kishte arritur të strukturohej në ushtri. Nuk kishte arritur ta çlironte vendin. Dhe nuk kishte arritur të përfaqësonte tërësinë politike të Kosovës”, për të vazhduar më tej me blofet e tij se “përtej misionit themeltar, për të qenë ushtri, për të qenë çlirimtare dhe për të qenë e Kosovës, raison d’etre e UÇK-së për këtë rast është marrja e drejtpërdrejtë e pushtetit civil/politik”!
Për Surroin, UÇK-ja nuk e paska mbushur me përmbajtje emrin e madh që e ka mbajtur. Me çfarë përmbajtje ka qenë dashur ta mbush? A nuk janë përmbajtje tërë ata djem e vajza (me mijëra sish) që kishin rrokur armët dhe po e luftonin okupatorin, ndonëse në raporte të pabarabarta? A nuk janë përmbajtje e UÇK-së të gjithë ata dëshmorë që dhanë jetën për lirinë e Kosovës mu në lulen e rinisë së tyre? Për Surroin jo natyrisht, sepse ata nuk kanë dashur të jetojnë. Nuk kanë qenë të gatshëm të jetojnë qoftë në robëri, qoftë edhe në autonomi, si Surroi pra.
UÇK nuk paska arritur të strukturohej në ushtri – thotë Surroi. Natyrisht se UÇK nuk ishte ushtri regulare, nuk kishte kazerma e armatim të sofistikuar, dhe për këto Surroi gabimisht e sulmon UÇK-në. Për këtë duhet fajësuar Serbia që nuk e priti profilizimin e UÇK-së. Por për Surroin kjo nuk ka rëndësi, me rëndësi për të është se ajo “nuk arriti të strukturohej në ushtri”.
Së fundi, thotë se nuk arriti të përfaqësonte tërësinë politike të Kosovës. Fillimisht, varësisht nga zhvillimet në terren ishte edhe përfaqësimi politik. Por ky përfaqësim pastaj u shtri në tërë territorin e Kosovës dhe për tërë Kosovën, ku kulmin e arriti në Rambuje.
Kurse te konstatimi i Surroit se qëllimi i UÇK-së paska qenë marrja e pushtetit politik, është prostitucion politik i llojit të veçantë. Për çfarë pushteti flet këtu Surroi? Pushtet në okupim? A ishte ky pushtet? Qëllimi i Surroit në këtë rast është i dyfishtë:
E para, që të minimizohej roli i UÇK-së,
Dhe e dyta, të fus konflikt, edhe nga kjo distancë kohore mes PDK-së e LDK-së.
Por, Surroi nuk ndalet me kaq. Në shërbim të qëllimit të tij e thërret edhe thënien e Rugovës se UÇK-në e ka formuar UDB-ja serbe. Ka harruar ta përmend edhe Gelbardin që fillimisht e quajti terroriste, por që shteti i tij më vonë e quajti ndryshe.
Nëse vërtet Surroi beson se “po mos të ishte paraqitur UÇK-ja me mangësitë e veta nuk do të kishte përshkallëzim të atillë ushtarak dhe diplomatik që do të qonte te ndërhyrja e NATO-s”, atëherë pse kaq shumë e mohon UÇK – në dhe sakrificën e saj?
Surroi në vazhdimësinë e hileve të tij në faqen 91 mundohet t’a ndajë Ramush Haradinajn “i cili mbeti duke luftuar me një duzinë besnikësh”. Për shkak të nostagjisë, natyrisht. (Vazhdon)…