Akuzat e Titos për udhëheqësit e Kosovës
Kur është fjala për kuadrot shqiptare të Kosovës, Tito edhe pse i shfrytëzonte të gjithë, kishte mendim negativ për pjesën dërrmuese të tyre. Mendimi më denoncues i Titos, është për Mahmut Bakallin, po edhe për Fadil Hoxhën: “Kam të dhënën që informatorë dhe oficerë të lartë të ‘Sigurimit’, ligjërojnë marksizmin në Universitetin e Prishtinës, ndërsa kam marrë të dhëna që disa si Bakalli e Hoxha dhe të tjerë, kanë shërbimin e vet ‘privat’, jo vetëm në territorin e Serbisë, po edhe në republikat e tjera, e veçmas për shkak të kontrabandës me drogë nëpër limanet shqiptare. Në fakt, është e fshehtë publike që në marinën shqiptare ekziston një sektor i veçantë për kontrabandën e drogës”.
Kështu ka thënë Titoja në takimin me kreun e armatës jugosllave në Karagjorgjevë, më 29 dhjetor 1979, për udhëheqësit e lartë shqiptarë, njëri prej të cilëve, Fadil Hoxha, një kohë ka qenë nënkryetar i tij, ndërsa Mahmut Bakalli në atë kohë kur Titoja e denonconte si kontrabandist droge, ka qenë kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Natyrisht se realitetin e ka ditur Titoja, se edhe sikur të kenë dashur të veprojnë ashtu udhëheqësit e Kosovës, siç pretendon Titoja, këtë nuk do të mund ta bënin pa u marrë vesh nga pushteti i tij, por, Tito në këtë drejtim nuk ka zgjedhë mjete për ta çuar deri në fund antishqiptarizmin e tij edhe përmes deklarimeve komprometuese për udhëheqësit shqiptarë, për t’ia bërë me dije opinionit se, përderisa udhëheqësit edhe nën Jugosllavi kanë kësi mendimesh e pretendimesh, merreni me mend se çka do të bënin shqiptarët tjerë po t’u krijohej mundësia dhe t’u jepej liria.
Cilat ishin raportet e Titos me Rankoviqin?
Më tej në dokumentin e cituar, Tito e vajton rënien e Rankoviqit duke u betuar se ka qenë kundër dënimit të tij. Dënimi i Rankoviqit, sipas Titos, erdhi nga komploti i Edvard Kardelit. Ndërsa, ndër shqiptarët e Kosovës ka vepruar miti sipas të cilit, Titoja e pat rrëzuar Rankoviqin “për shkak të zullumit ndaj shqiptarëve”. Kjo aspak nuk është e vërtetë (në stenogramet e Plenumit të IV të Brioneve, të botuara në mediet serbe, askund nuk përmendet zullumi ndaj shqiptarëve dhe as që përmenden fare shqiptarët.). Prandaj, miti për rolin gjoja proshqiptar të Titos në Plenumin e IV të Brioneve, është vetëm një gënjeshtër e kulluar. Si duket kjo mendësi në formë miti ka qenë e prodhuar nga shërbimet sekrete ushtarake, për ta glorifikuar figurën e Titos ndër shqiptarët e painformuar, i cili mendim fatkeqësisht ka pasur shumë sukses, duke menduar se vërtet Titoja e ka hequr Rankoviqin për shkak të zullumit të tij ndaj shqiptarëve.
Paralajmërimi i provokimit të kryengritjes shqiptare në Kosovë
Gjithashtu, në një pjesë të fjalës së tij para ushtarakëve në Karagjorgjevë, Titoja thotë se në Kosovë po ndërtohen objekte luksoze me “pullaze nga argjendi” dhe, kërkon të hapen hetime për këtë gjë. Natyrisht as ky pretendim nuk ishte i vërtetë, por me këto konstruksione të Titos, dëshmohet se edhe përkundër faktit që Kosova ishte vendi më i pazhvilluar ekonomik në Jugosllavi, ai nuk brengoset fare për parullën aq shumë të proklamuar të bashkim-vëllazërimit e të barazisë mes kombeve e të kombësive. Duke e ditur realitetin e pabarazisë praktike të shqiptarëve në Jugosllavi, Tito në këtë fjalim paralajmëron edhe për rrezikun e kryengritjes shqiptare. Prandaj, thekson: “Ne dimë pak për aktivitetet e emigracionit shqiptar, por shikoni shokë, ai emigracion po mbledh ‘taksë’ për shkollimin e shqiptarëve, që do të komandojnë atë që paralajmërohet shpesh: ‘kryengritjen popullore’ në Kosovë”. Kjo dëshmon se Tito, para së gjithash ishte vetëm një kukull në duart e lobit serb të armatës jugosllave të dirigjuar nga Nikolla Lubiqiqi, i cili më vonë do të luante rol shumë të fuqishëm edhe në ngritjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet.
Për antishqiptarizmin e Titos, dëshmojnë edhe vetë bisedat e Titos që kishte me Josip Kopiniqin, ku pohon madje se në një rast i kishte kërkuar Rankoviqit që ta likuidonte fizikisht Edvard Kardelin, por se ky i fundit – Rankoviqi, kishte refuzuar ta likuidonte.
Shumë historianë dhe albanologë në Kosovë, gjatë asaj kohe kanë shkruar himne e ode për Titon, qoftë pa u thelluar shumë në realitetin ekzistues, qoftë me porosi të instrumenteve shtetërore, apo edhe nga vetmjaftueshmëria e tyre, duke qenë të privilegjuar në shoqërinë shqiptare brenda shtetit jugosllav. Por historianët e ri nuk do të shkojnë gjurmëve të disa pleqve, të cilët shërbenin si instrumente dekoruese gjatë Jugosllavisë moniste. Ata nuk kanë as nevojë e as arsye ta varrosin e as ta instrumentalizojnë karrierën e tyre shkencore për interesa të askujt, e aq më pak për interesa të përfitimeve të disa pleqve të Kosovës.
Ngjarjet e vitit ‘81 dhe vazhdimësia e mohimit
Ngjarjet e vitit 1981, përpos që ishin vazhdimësi e rezistencës shqiptare, ato paraqitën në mënyrë më të artikuar kërkesat e shqiptarëve për liri e barazi, duke e vënë në pah si para opinionit vendor ashtu edhe para atij ndërkombëtar, pabarazinë e shqiptarëve në Kosovë. Që nga koha kur ndodhen ngjarjet, ato u mohuan, u mistifikuan, e u dënuan në të gjitha format e mundshme. Vazhdimësia e logjikës së mohimit të këtyre ngjarjeve vazhdoi madje edhe pas rënies së monizmit më të fortë në Ballkan – titizmit. Kësaj radhe, do t’i paraqesim disa nga akterët e mohimit të këtyre ngjarjeve, logjikën e mohimit dhe mënyrën e veprimit.
Tashmë dihet se si nga pushteti jugosllav, po ashtu edhe nga klika titiste e atëhershme kosovare, ngjarjet e vitit 1981, cilësoheshin si “nacionaliste, iridentiste, kundërrevolucionare, për minimin e pushtetit politik të klasës punëtore, të sistemit socialist vetqeverisës jugosllav, për prishjen e bashkim-vëllazërimit e minimit të pushtetit politik të klasës punëtore”.
Për kë ishin të panevojshme ngjarjet e vitit 1981
Pas rënies së komunizmit dhe pas largimit të oligarkisë politike të Kosovës nga skena politike, madje edhe pas burgosjes së ndonjërit prej tyre, këta edhe më tej, nuk e ndërruan qëndrimin për ngjarjet e vitit 1981, por i ndërruan arsyetimet e qëndrimeve të tyre. Kështu, derisa ishin në pushtet, ngjarjet e ’81-shit për ta, doemos se ishin “kundërrevolucionare e armiqësore…”, kurse pas rënies nga pushteti, ato ngjarje për ta, na ishin të panevojshme, sepse vetë ata, me politikën e tyre, e paskan pasur mendjen që ta realizojnë çeshtjen e republikës!
Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe politikanët e Kosovës
Kurse sa i përket asaj që mund t’i ketë organizuar ndonjë shërbim i huaj (siç pretendohet nga Buxhovi, në Sigurimin e Shqipërisë) apo të jetë involvuar në to, Mustafë Sefedini, ish-Ministër i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Kosovës, që ishte pikërisht atë kohë në këtë detyrë, thotë se, “as Shqipëria dhe as ndonjë shërbim tjetër informativ nuk kanë pasur dorë në këto ngjarje. Revista “KOHA”, nr. 99, 13 mars 1996, f .9.
Ndërkaq, dihen qëndrimet e Azem Vllasit për demostratat e vitit 1981, gjatë kohës sa ishte në pushtet. Por edhe pas rënjes së komunizmit, madje edhe pas burgosjes që i bëri Millosheviqi, në një shkrim të tij me titull: “’81-shi shumëdimensional”, Azem Vllasi e jep edhe këtë gjykim: “Konkretisht, për demostratat e vitit ’81, udhëheqja politike e Kosovës (shqiptarët) dhe tërë politika zyrtare, ishte unike në mendimin se ato, as si mënyrë e veprimit e as sipas rrethanave politike të atëhershme dhe kohës kur ndodhen, nuk ishin fare të qëlluara…”. Revista “KOHA” nr. 102, 3 prill 1996, f. 22. A nuk e kishte thënë të njëjtën gjë edhe Mihallo Markoviq madje në vitin 1995 po në revistën “KOHA”?
Po në këtë vazhdë është edhe teoria e supozimeve të Mahmut Bakallit…, i cili në Kosovë ndonëse njihej si më i afti në hierarkinë politike komuniste, (ndër përfaqësuesit shqiptarë) megjithatë nuk arriti të jap as arsyetmin më të vogël për pozitën e shqiptarëve në sferën e arsimit në kohën e Millosheviqit, (me rastin e dëshmisë së tij në gjyq kundër Millosheviqit).
Atëherë, përderisa njeriu kyç i asaj kohe, në pozitën kyçe, (Mustafa Sefedini), thotë se nuk ka pasur informacione çfarë tash i mbllaqit Buxhovi, rrjedhimisht shtrohet pyetja: kush ka pasur informacione më shumë atëbotë: ata që kanë qenë në pozitat kyçe apo analistët e sotëm? Nëse ndonjë analist apo edhe historian sklerotik ka informacione tjera: atëherë lind pyetja nga i siguruan ato informacione, përpos nëse këta njerëz, e kanë pasur benificionin e të qenit në laboratorin e prodhimit të informatave të tilla, përderisa ata të “laboratorit” të grumbullimit të informatave, thonë qartë, se nuk kanë pasur informata të tilla.
Prandaj, logjikës së tillë, do t’ua rikujtonim, se vërtet vezët e qyqeve mund t’i lëshojë edhe ndonjë shpend tjetër, por assesi nuk i lëshon shqiponja.
(Vazhdon…)