Bedri Halimi: Lojërat me akuza mistike kundër krerëve të UÇK-së

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B”  VIII 

Sërish rreth Titos e Rankoviqit 

 

Pas luftës, në emër të çlirimit, Kosova u rrethua nga veprimtaria banditeske e njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos, Aleksandër Rankoviqit, ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Ai jo vetëm i ndërsyer dhe i bekuar nga Titoja, menjëherë pas luftës, deri në vitet e gjashtëdhjeta, organizoi aksionin famëkeq “aksioni për mbledhjen e armëve” në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, në emër të këtij aksioni, bëri kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare në përgjithësi dhe sidomos ndaj atyre individëve e familjeve me vetëdije më të zgjuar kombëtare e që kishin autoritet në popull.  

Jugosllavët e dinin se përderisa po bënin padrejtësi ndaj shqiptarëve, një ditë ata mund të çoheshin në kryengritje. Prandaj për ta pamundësuar këtë dëshironin edhe çarmatosjen e tyre, edhe detyrimin për shpëngulje, edhe futjen e përçarjes përmes përfitimit të elementëve të luhatshme si dhe futjen e frikës në popull. Por qëllimi nuk mbaronte vetëm me kaq. Në pyetje ishte detyrimi i shqiptarëve që ta lëshonin Kosovën dhe viset tjera të banuara me shqiptarë, sepse jugosllavët e dinin, se ky popull një ditë do të vetëdijesohet dhe do të kërkojë llogari.  

Kështu Rankoviqi dhe Tito, përmes pastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi, synonin prishjen e raporteve ndëretnike në dobi të popullatës serbe në Kosovë, në mënyrë që duke mbetur shqiptarët minoritet, Kosova edhe de facto të mbetej provincë serbe. Kështu qindra mijëra shqiptarë u detyruan të vendosën në Republikën e Turqisë, të Shqipërisë e gjetkë ku gjenden edhe sot e kësaj dite. Në këtë drejtim është e njohur edhe shpërngulja e familjeve shqiptare me vetëdije të lartë kombëtare nga Kosova në Vojvodinë, duke i vendosur ato familje në ato vise të Vojvodinës prej nga ndiqej dhunshëm popullata gjermane atje.  

Nga ana tjetër, në bazë të seleksionimit titisto-rankoviqist, zgjedheshin ca shqiptarë të cilët ishin të gatshëm për kompromise dhe lojalitet ndaj pushtetit serbo-jugosllav. Detyra kryesore e njerëzve të tillë që ishin nëpër institucione shtetërore e joshtetërore të kohës, qe ruajtja e “Vëllazërim-Bashkimit”, që për shqiptarët u dëshmua se ishte ruajtje e robërisë në emër të lirisë e barazisë. 

Serbia dhe Jugosllavia vazhdimisht dhe pandërprerë kanë rekrutuar një rrjet shqiptarësh në kuadër të shërbimeve të tyre të fshehta shtetërore e ushtarake, duke filluar nga OZNA, Sigurimi i Shtetit jugosllav i njohur si UDB, e deri te shërbimi i fshehtë kundërinformativ ushtarak jugosllav i njohur si KOS. Qëllimi i këtyre shërbimeve ka qenë dhe është, që të luftohen shqiptarët nëpërmjet shqiptarëve, që ata të përçaheshin e të viheshin në dyshim të njëri-tjetrit dhe eventualisht të luftonin midis tyre. Duke i vënë shqiptarët në luftë të brendshme, të mos kenë mundësi asnjëherë t’ia kthejnë pushkën Serbisë e Jugosllavisë për çlirim kombëtar shqiptar.  

Gjatë 50 viteve të administrimit jugosllav në trojet shqiptare, si rrjedhojë e trysnive, shqiptarët, pos shtypjes etnike, u përballën edhe me varfërinë sociale si dhe me pengesat e vazhdueshme për arsimimin. Megjithatë nuk ndejtën duarkryq, dhe me rrugë ilegale, gjysmëlegale e legale, rezistuan. Që nga 1945 burgjet serbo-jugosllave qëndrojnë gjithnjë të mbushura me ajkën e djalërisë e të burrërisë shqiptare.  

 

Burgosjet, ilegalja, … Rilindja 

 

Fillimisht në burgjet serbo-jugosllave u dergjën veprimtarët e Partisë Nacional Demokratike dhe “informbyroistët” shqiptarë të cilët s’ishin pajtuar me fatin e Kosovës dhe viseve të saj. Pastaj, po ashtu u dergjën burgjeve që nga vitet e 50 e deri më 1990, kur u lirua Adem Demaçi me veprimtarët e Organizatës për Bashkim Kombëtar, që e kishte themeluar ai.  

Fryt i punës ilegale dhe gjysmë ilegale ishin Demonstratat e vitit 1968, në të cilat u kërkua përdorimi i lirshëm i flamurit kombëtar, të drejtat e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare në shkallën universitare, dhe statusi i Kosovës republikë. Pushtuesi jugosllav, demonstratën e 68-ës e shtypi me reprezalje. Shumë njerëz u plagosën, pati edhe vrasje. Për shkak të këtyre ngjarjeve qindra të rinjë pjesëmarrës të demonstratave u dënuan me dënime kapitale deri në pesëmbëdhjetë vjet burg.  

Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme, të vetëdijshme se vetëm me forma unitariste e fashisoide të veprimit nuk do të mund t’ia dalin me shqiptarët, pas përdorimit të kërbaqit u detyruan të bëjnë edhe lëshime: kësisoj e lejuan përdorimin e flamurit kombëtar për shqiptarët, lejuan shkollimin e lartë në gjuhën shqipe, si dhe lejuan që në amandamentet e Kushtetutës së vitit 1974, e cila ishte në shqyrtim e sipër, pozicioni i Kosovës të avancohej juridikisht, duke u konsideruar edhe pjesë e Serbisë e edhe njësi konstituive e federatës jugosllave, gjë që vlente edhe për Vojvodinën.  

Faktorët e vërtetë që kryetarin e atëhershëm jugosllav – Titon dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Kardelin, Bakariqin e të tjerë, i detyruan që në kuadër të kushtetutës së 1974-tës, Kosovës t’i japin karakter politiko-juridik më të avancuar ishin të shumtë:  

E para, Titoja kishte zbuluar komplotin serb të ministrit të tij të brendshëm Aleksandër Rankoviq, i cili duke u lidhur me Rusinë kishte mundësi t’ia hajë kokën atij. Për këtë arsye, në mbledhjen e mbajtur në ishujt Brione me 1966, nën kërcënim e rrethim të ushtrisë dhe sigurimit të fshehtë personal që kishte, e eliminoi Rankoviqin. Këtë gjë nuk e bëri për t’i shpëtuar shqiptarët, por për ta shpëtuar kokën e tij.  

Me largimin e Rankoviqit u fuqizua klani Kroato-Slloven brenda federatës. Kështu, ai po stabilizonte krijesën e tij jugosllave, me qëllimin e vetëm për t’ia zgjatur jetën federatës. 

Me largimin e Rakoviqit, Titoja e goditi klanin Serbo-Rus, me qëllim të përfitimit dhe afrimit ndaj Perëndimit, nga do të merrte miliarda dollarë hua. 

Duke e goditur Rankoviqin, ai dëshironte ndër të tjera që edhe t’i “shpëlajë” duart e veta (para opinionit shqiptar dhe para botës), të futura në krim ndaj shqiptarëve, si dhe për të krijuar përshtypjen si “shpëtimtar” i tyre. Kësisoj të gjitha fajet mbi krimet në Kosovë për t’ju hudhur Rankoviqit, edhe pse dihej botërisht, se po ky Titë (pa Rankoviqin) më 1953 në kuadër të marrëveshjes “xhentëlmene” me ministrin e jashtëm turk, kishte hartuar planin lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, kreator i të cilit ishte ai vetë. 

Pason periudha e jugosllavizimit të shqiptarëve në Kosovë dhe vise të saj. Kjo synohej të arrihej përmes kulturës jugosllave, që për shqiptarët ishte një frymë kozmopolite, e cila kishte për qëllim zhveshjen e identitetit kombëtar të individit. Duhet përmendur në këtë rast edhe lirinë e kufizuar të krijimtarisë në çdo sferë të artit, shkencës e kulturës shqiptare. 

Nga mesi i viteve 70-ta, ideja serbomadhe përmbysi idenë e jugosllavizimit. Më 1976 doli “Libri i Bardhë” me të cilin sanksionohej e ardhmja e Kosovës në përbërje e shkrirje të Serbisë së Madhe. 

Si rrjedhojë, kemi ringjalljen e aktivitetit ilegal të rinisë shqiptare. Organizatat PKMSHLJ, OMLK, LNQKVSHJ, LPRK…; rezultuan me ngjarjet madhështore të vitit 1981, të cilat ishin artikulim më i qartë i zërit shqiptar për liri, vetëvendosje e barazi. Këto ngjarje përfundimisht e ndërprenë procesin e jugosllavizimit të popullit shqiptar. 

 

Dhuna në “shtetin paralel” 

 

Gjatë kohës që po zhvilloheshin luftime të ashpra në Slloveni, Kroaci e Bosnje; në Kosovë ndodhnin vazhdimisht: thirrjet në biseda informative, ndjekjet e të rinjve gjoja për shërbim ushtarak, thirrjet që u bëheshin të rinjve për rekrutim ushtarak, në kohën pra, që zhvilloheshin luftime në Bosnje e Koraci, rrënimi i bazës ekonomike të shqiptarëve, largimi nga puna i punëtorëve shqiptarë, shkatërrimi i atij sistemi politik, kulturor, arsimor, shkencor e ekonomik që ekzistonte, marrja e Kushtetutës së vitit 1974 me dhunë më 1989, burgosjet dhe ndjekjet masive të veprimtarëve shqiptarë etj… 

 

Lufta si domosdoshmëri 

 

Me rastin e shpërthimit të luftës në Kosovë, kemi përsëritjen e Bosnjës, vrasjet masive, dhunimet masive, likuidimet, rrëmbimet, burgosjet, djegiet, shkatërrimet, minimet e terrenit, shpërnguljet masive…  

Meqenëse dhuna e egër serbe vazhdimisht vinte duke u shtuar, kjo gjë natyrshëm ngjalli reaksion te shqiptarët, prej nga do të integrohet rezistenca e armatosur. Së këndejmi, UÇK-ja lindi për shkak të dhunës sistematike që ka përdorur Serbia ndaj shqiptarëve, por edhe shterpësia e politikës pacifiste, për ta zgjidhur çeshtjen e Kosovës (sidomos pas Dejtonit), si dhe indolenca e opinionit politik ndërkombëtar. Të gjithë këta faktorë, detyruan lindjen e UÇK-së si ndërgjegje ekzistenciale dhe çlirimtare shqiptare. 

 

(Vazhdon…) 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …