Bedri Halimi

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B”  XIII 

 Përsëritjet e qëllimshme 

  

Dhe këto xhevahire të tij i përsërit herë pas here duke i potencuar se UÇK-ja po kërkuaka zgjidhje ideologjike për Kosovën, të ngjashme me atë të pas Luftës së Dytë Botërore kur Kosova u aneksua nga Serbia. Këso krahasimesh të paqëndrueshme e antihistorike, të llojit të veçantë, bën disa herë gjatë librit, ndonëse Buxhovi sado që paraqitet si ‘historian i gjithëdijshëm’ ose nuk e njeh ose nuk don ta njoh zhvillimin real të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore.  

 

Shumë alergji ka Buxhovi ndaj Shqipërisë 

 

Shumë alergji ka Buxhovi ndaj Shqipërisë. Tepër alergji. Sa që nuk mund të merret me mend. Por nuk e dimë këtë alergji e ka për periudhën e LNÇ-së më shumë apo për periudhën e UÇK-së. Por kësi ‘partizani’ të vendosur për të mohuar qoftë LNÇ-në qoftë UÇK-në, është e vështirë për të njohur madje edhe në mesin e serbëve.  

Dhe sërish, Buxhovi klith në faqen 222, duke i mveshur një personazhi të caktuar “Pra, ne kërkojmë liri, demokraci e aq më pak komunizëm…”  

 

Çka thonë të huajtë për UÇK-në: Xhejmi Shia për UÇK-në 

 

Ditën e 24-të të operacioneve të NATO-s mbi RFJ-në, më 16 prill 1999, në konferencën e rregullt për gazetarët, Xhejmi Shia deklaron: “Edhe përkundër barbarizmit të egër të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë dhe ndaj njësiteve të UÇK-së, rezistenca e UÇK-së është e fortë. UÇK-ja është në gjendje të bëjë sulme mjaft efikase ndaj forcave serbe. Edhe tani numri i regrutëve të UÇK-së është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Sulmet e egra serbe, megjithatë nuk e kanë mposhtur rezistencën dhe organizimin e UÇK-së.  

Vullnetarë të shumtë nga të gjitha anët e botës, më shumë vullnetarë se të ftuar për mobilizim, po iu bashkëngjiten njësiteve në Kosovë. Çdo operacion i forcave serbe në Kosovë, ka rezultat shtimin e regrutëve të rinj shqiptarë në UÇK”. 

Ndërkaq, më 17 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel, zëdhënësi i saj, Xhejmi Shia thotë: “Forcat e UÇK-së, iu kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme policisë speciale, paramilitarëve dhe ushtrisë jugosllavo-serbe, madje, UÇK-ja ka arritur që dje të hapë me sukses një korridor të konsiderueshëm në kufirin Shqipëri-Kosovë, Tropojë-Junik”. 

 

 

Bill Klinton për UÇK-në 

 

Kurse, kryetari amerikan, Bill Klinton në klasën e vitit 1999 të Akademisë së Aviacionit Luftarak Amerikan, në Kolorado Springs, i cili duke folur për ushtarët amerikanë që po luftojnë kundër akteve jonjerëzore të Millosheviqit dhe ushtrisë serbe në Kosovë deklaron: “Po ashtu, e vetmja forcë sot në tokë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo që nuk u shkatërrua nga Millosheviqi, por dita-ditës po arrin suksese. Pra, Millosheviqi nuk e eliminoi UÇK-në, përkundrazi ajo po reziston me të madhe“. 

 

Medlin Ollbrajt për UÇK-në 

 

Më 8 qershor në Köln, sekretarja e shtetit amerikan znj. Ollbrajt shprehu simpatinë e saj për rezistencën e UÇK-së, duke theksuar se: “Ishte ajo e cila sensibilizoi opinionin demokratik ndërkombëtar, opinion i cili u vu i tëri në shërbim të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe për mbrojtje të vlerave të civilizimit demokratik në Kosovë e më gjerë”. 

 

Çka thotë Ukshin Hoti për UÇK-në?  

 

Nga burgu Ukshin Hoti për UÇK-në, ndër të tjera i shkruan Kadaresë: “E besoj se nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit. Jam plotësisht i vetëdijshëm se ajo, UÇK-ja, solli me vete jo vetëm ndikimin rrënjësor në realitetin politik shqiptar dhe jashtëshqiptar”…  

 

Edhe disa të huaj për UÇK-në 

 

Misha Glenny në librin e tij “Historia e Ballkanit (1804-1999)” shkruan: “Politika e vetëpërmbajtjes e ndjekur nga Rugova, bëri që Kosova të mbetej në paqe gjatë gjithë kohës së luftërave në Kroaci e Bosnjë. Mirëpo, kjo paqe u shoqërua nga një gjendje stanjacioni politik dhe nga vazhdimi i shtypjes sistematike mbi shqiptarët”… (Misha Glenny: Historia e Ballkanit 1804-1999 – nacionalizmi, lufta dhe fuqitë e mëdha, Toena, Tiranë 2007, f. 653). Më pas autori vazhdon: “Mësymja serbe në Drenicë pati tri pasoja, që Millosheviqi thuajse me siguri i kishte parashikuar. Së pari, UÇK-ja erdhi duke u bërë dita-ditës më e fuqishme, sepse mijëra të rinj shqiptarë mbushën radhët e saj. Së dyti, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë më shumë në çështjet e këtij konflikti. Së treti, stabiliteti rajonal u turbullua nga polarizimi i shoqërisë malazeze dhe nga ngritja e tensionit në vendet fqinje, sidomos në Shqipëri e në Maqedoni. ”(Po aty, f. 655).  

Serge Metais, në librin “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës” shkruan: “Sigurisht, opinioni publik perëndimor ishte i ndjeshëm ndaj padrejtësisë që po u bëhej shqiptarëve, mirëpo për të ky nuk ishte veçse një nga rastet e panumërta të padrejtësive në këtë botë. Dhe, për sa kohë që nuk kishte përleshje të përgjakshme, Kosova nuk kishte as se si të zinte faqet e para të gazetave, as se si të mallëngjente me të vërtetë ndokënd. U deshtë të shpërthente një luftë e re në ish-Jugosllavi (dhe pamjet e saj të përhapura përmes telëvizionit), në mënyrë që udhëheqësit perëndimorë të bindeshin se kësaj radhe nevojitej të ndërhyhej ushtarakisht. Kjo luftë u nis nga UÇK-ja në pranverën e vitit 1998”. (Serge Metais: “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Botimet 55, Tiranë 2006, f. 394).  

Për Noel Malcolm-in, “meritat” për formimin e UÇK-së i përkisnin politikës shtypëse të Millosheviqit. Ai në parathënien e librit të cituar “Kosova – një histori e shkurtër”, shkruan: “Politika serbe nxiti shtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekzistimi i së cilës atëbotë, u mor si pretekst i fushatës serbe të shkatërrimit të fshatrave të Kosovës në verën e vitit 1998. Së këndejmi, përpjekjet e qeverive të Perëndimit për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, bazë e së cilës ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës, dolën të pasuksesshme. ” (Noel Malcolm, “Kosova – një histori e shkurtër”, “Koha”, Prishtinë 2001, f. xxiii).  

John G. Stoessinnger, i cili në librin e tij “Përse kombet shkojnë në luftë”, shkruan: “Nuk është për t’u çuditur që pas çdo barbarie radhët e UÇK-së shtoheshin në numër dhe me vrull. Nga pikëpamja historike Millosheviqi mund të dukej fare mirë si shef rekrutimi pa dashje i UÇK-së”. (John G. Stoessinnger: “Përse kombet shkojnë në luftë”, ISN, Tiranë, 2007, f. 153).  

James Pettifer: “UÇK-ja është popullsia e Kosovës, as më shumë e as më pak. Ajo përbëhej prej idealistësh, cinikësh, burrash, grash, pleqsh, të rinjsh, të dëshpëruarish dhe shpresë-mëdhenjsh. Të tilla janë të gjitha lëvizjet e rezistencës [. . . ] Shekspiri na tregon se hakmarrja disa herë mund të jetë e vetmja formë e drejtësisë”. (J. Pettifer: Vepër e cituar, f. 281). Kurse, për gatishmërinë e njerëzve të UÇK-së shkruan: “Gatishmëria e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e njerëzve që punonin me ta për të dhënë jetën kishte arritur brenda dy vjetësh më tepër sesa Lidhja Demokratike në dhjetë vjet”. (Po aty, f. 303).  

Presidenti Bill Clinton në librin e tij “Jeta ime”, thotë: “Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë-hije, ishte një njeri fjalëbutë, që kishte zakonin të vinte një shall rreth qafës. Isha i bindur se mund të arrinim një marrëveshje paqeje me të, por nuk isha aq i sigurt për fraksionin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. (Bill Clinton: Jeta ime; Dudaj, Tiranë, 2005, f. 713).  

Sikur të ishte ashtu si thotë Buxhovi, as këta nuk do të shkruanin kështu, e as vendet përbërëse të NATO-s, në krye me SHBA-të, nuk do ta mbështesnin aq fuqishëm luftën e drejtë të popullit shqiptar të Kosovës.  

Pra asnjëri nga këta, nuk ka dhënë asnjëherë të vetme, asnjë konstatim të tillë, prandaj Buxhovit i duhet thënë: “Medice cura te ibsum” (mjek shëro më parë veten). 

 

(Vazhdon…) 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …