Me shkas nga një emision në RTK-Në vazhdën e mohimit të vlerave kulurore nga qëllimi dhe mosdija
Gjatë periudhës së monizmit, pushteti jugosllav bënte vazhdimisht përpjekje për të bërë jo vetëm ndikim por edhe indoktrinim te rinia dhe masat e gjëra popullore, në forma të ndryshme dhe në lëmi të ndryshme të artit e kulturës jugosllave. Ky indoktrinim madje bëhej edhe te fëmijët, pra te nxënësit e shkollave fillore, anë e kënd ish-Jugosllavisë. E rrjedhimisht edhe në shkollat e Kosovës. Shumë kush e mban mend se nëpër shkolla fillore organizohej kuizi i diturisë në lëmin e historisë me titullin “Tito-Revolucioni-Paqja”. Gjithashtu nëpër shkolla fillore shfaqnin herë pas here filmat jugosllav me karakter lufte si “Sutjeska”, “Neretva”, “Kozara”, “Majat e Zelengorës”, “Republika e Uzhicës”, “Desanti në Dërvar”, “Skuadrilja partizane”, “Kadinjaqa” etj.
Është i madh numri i filmave të prodhuar nga produksione të ndryshme filmike në Jugosllavi që për temë kishin luftën nacional-çlirimtare. Për realizimin e të gjithë këtyre filmave janë derdhur mjete të mëdha materiale, nga buxheti i shtetit. Dhe të gjithë këta filma janë gjiruar për të bërë ndikimin ideologjik te masat e gjëra popullore. Madje në disa nga këta filma kanë luajtur edhe aktor nga Kosova si: Bekim Fehmiu, Abdurrahman Shala, Faruk Begolli e ndonjë tjetër.
Natyrisht se ata filma edhe sot mund të gjenden edhe në Youtube, e ndoshta mund të shfaqen herë pas here edhe nga ndonjë televizion i caktuar (Pavarësisht se Jugosllavia më nuk ekziston). Si ngjarje historike, të gjitha temat e luftës që janë bërë filma, natyrisht se kanë ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por se si janë realizuar artistikisht dhe ideologjikisht, sa janë zmadhuar e zbukuruar është çështje e kritikës së filmit. Por megjithatë askush s’mund të thotë se nuk ka ndodhur beteja e Sutjeskes, e Neretves e kështu me radhë. Prandaj nuk shoh gjë të keqe edhe nëse ndonjë jugo-nostalgjik, edhe sot, ka dëshirë ta shoh ndonjërin nga këta filma. Sigurisht se gjërat janë zmadhuar, duke i paraqitur ushtarët gjerman vazhdimisht më pak të aftë ndërsa partizanët gjithkund më të zotët. Por në fund dihet: partizanët fituan. Ndonëse motivi i partizanëve për tu çliruar, gjithkund në botë, gjithsesi ka qenë më i madh, se sa motivi i pushtueseve që ka pasur karakter robërues-okupues.
Të gjitha këto për rininë e Kosovës, gjatë kohës së monizmit kanë qenë njëra anë e medaljes sepse edhe në lëmi të tjera të artit e kulturës janë botuar libra që kanë pasur këtë ideologji, nga shkrimtarë të të gjitha republikave, e madje edhe nga Kosova.
Ana tjetër e medaljes për rininë shqiptare ishte nevoja e informimit për faktin e të qenit shqiptar, përmes literaturës historike, kulturore e artistike, që vinte nga Shqipëria. Këtu hyjnë edhe pikturat e piktorëve shqiptar, edhe skulpturat e personaliteteve të ndryshme si psh. Isa Boletinit etj., ku përmasat e skulpturave janë gjigante ashtu siç në fakt nuk ishte përmasa trupore e asnjërit në realitet, por siç ishte në realitet gjigante veprimtaria konkrete e secilit prej tyre.
Edhe në sferën e historisë nga Shqipëria jemi furnizuar me materiale si: Shote e Azem Galica, Qemal Stafa etj. Të cilat libra jo vetëm që nuk janë shitur në Kosovë, por këta libra kanë qenë të ndaluar dhe kujtdo që i janë zënë, kanë përfunduar në burgje, me akuzën e përhapjes së propagandës armiqësore kundër sistemit socialist jugosllav.
Edhe në lëmin e muzikës kujtdo që i janë zënë audio kaseta me këngë të ndaluara nga Shqipëria, si të Dervish Shaqës, Fatime Sokolit, etj., me automatizëm kanë përfunduar dy muaj në burg, e nëse gjatë hetuesisë është vërtetuar se ato audio-kaseta janë shpërndarë te të tjerët, atëherë ka vlejtur neni 133 për përhapje të propagandës armiqësore ku dënimi bëhej sipas Kodit Penal. Rrjedhimisht edhe në lëminë e kinematografisë, të dramës dhe filmit rinia shqiptare i ka përcjellur përmes RTVSH-së, të gjithë filmat që shfaqeshin përmes këtij televizioni. Edhe këtë rast, kujtdo që i janë zënë filmat e Kinostudios Shqipëria e Re, të inqizuar në kaseta, madje edhe kushdo që është zbuluar që po e shikon televizionin e Tiranës, ku kryesisht kjo gjë është bërë për filmat, dramat dhe emisionet historike, pra dokumentarët e ndryshëm, nëse pushteti jugosllav përmes mekanizmave të vetë i ka zbuluar, me automatizëm i ka dënuar me burg për propagandë armiqësore.
Për të gjitha këto që u thanë, nuk është i vogël numri i njerëzve që kanë pësuar me burgje. Por të gjitha këto gjithsesi se kanë ndikuar në mbajtjen gjallë të frymës kombëtare, në ndezjen e shkëndijave të patriotizmit shqiptarë, apo siç do të kishte qejf ta quaj ndonjë jugonostalgjik nga qëllimi, apo ndonjë sylidhur nga mosdija, indoktrinim nacionalist (Nacionalist, iridentist…).
Pra, për të gjithë filmat është marrë një syzhe real për realizimin e tij. Nëse p.sh paraqitet ushtria shqiptare në ndonjë film siç ndodh me filmin “Ballë për ballë”, kjo është një ngjarje që ka ndodhur, siç është realitet që ka ekzistuar ushtria e shtetit shqiptar.
Pas rënies së monizmit ka pasur mendime tek-tuk për mohimin e kësaj pjese të kulturës. Ka pasur edhe diskutime, madje deri në nivel të Parlamentit, ku ka pasur zëra për ndalimin e emitimit të këtyre filmave. Por një gjë e tillë nuk është aprovuar, sepse është parë, se vetë ndalimi do të nënkuptonte censurë të re, e cila është në kundërshtim me parimet e lirisë dhe demokracisë. Nëse do të duhej të ndaleshin filmat e Kinostudios Shqipëria e Re, pse nuk duhet të ndalen atëherë sipas kësaj logjike edhe romanet e Kadaresë si: “Nëntor i një kryeqyteti”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Dimri” etj., pastaj “Komisari Memo” i Dritëro Agollit, poema “Nënë Shqipëri” e Dritëro Agollit, pastaj disa nga romanet e autorëve të ndryshëm si: Shefqet Musaraj, Vedat Kokona, Jakov Xoxa, Ali Abdihoxha, Sterio Spasse, e shumë e shumë të tjerë.
Pastaj të ndaleshin këngët e ndryshme ku përmenden akoma fjalët “parti etj.”.
Prandaj edhe debati në RTK ku ishin të ftuar tre vetë nga Kosova dhe një nga Shqipëria, me gjërat që u thanë dhe si u thanë, ishte de fakto (qoftë edhe pa dashje), debat për t’i bërë gjyq kinematografisë shqiptare të periudhës dyzet vjeçare. Sepse asgjë nuk u fol për art, por u fol vetëm për ideologji, ku madje guximi i ndonjërit si Fadil Hysaj shkoi deri atje sa personalitetin e Enver Hoxhës ta barazoj me Pol Potin, apo me Millosheviqin, guxim ky i një njeriu që mund t’i fantazoj edhe ngjarjet e karakterit kombëtar si periudha e Skenderbeut, e Lidhjes së Prizrenit duke u dhënë, epitete nga më të ndryshmet, siç mund të imagjinoj vetëm imagjinata e sëmurë e ndonjë njeriu gjeloz, dashakeq dhe qëllimkeq. Sa për Gani Mehmetajn është i njohur qëndrimi i tij pro jugosllav dhe madje guximi i tij për ta quajtur Adem Demaçin si spiun… Prandaj ai është në linjën e vet ideologjike. Ndërkaq artistja të cilës aktori, regjisori dhe profesori i nderuar Mevlan Shanaj nuk ia zuri emrin në gojë, ishte për keqardhje.
Natyrisht se në Kosovë mund të flitet edhe për kinematografinë shqiptare, por në radhë të parë cili ishte roli dhe ndikimi i kësaj kinematografie në brumosjen e të rinjve shqiptarë me ndjenjën kombëtare, gjatë periudhës së monizmit jugosllav.