Rrëfimi i Titos që zbulon antishqiptarizmin e egër të tij
Në bazë të një libri të historianit kroat Vjençesllav Cenqiqit sqarohet shumçka për qëndrimin e Titos ndaj shqiptarëve përmes një fjalimi të Josip Broz Titos mbajtur para ushtarakëve në Karagjorgjevë më 29 dhjetor 1979. Përmes këtij fjalimi, përkatësisht këtij dokumenti flitet për qëndrimin e Titos edhe kundër Kushtetutës së vitit 1974, ku fillimisht duke bërë fjalë se gjendja në Kosovë ishte e keqe dhe se ai personalisht kishte qenë kundër Kushtetutës së vitit 1974, Titoja decidivisht thotë: “Kuadrot shqiptare nga Kosova po mendojnë që nëse me Kushtetutën e vitit 1974 kanë fituar më shumë të drejta e pjesërisht edhe shtetësi, ndërsa unë po e theksoj që kam qenë kundër asaj Kushtetute, mund të kryejnë me vetiniciativë, aktivitete shtetërore. Ashtu është e palejueshme që anash Republikës së Serbisë, por edhe federatës, të zhvillojnë biseda shtetërore me Shqipërinë. Ata me vetiniciativë, pa dijeninë tonë, kanë sjellë profesorë nga Shqipëria në fakultete dhe shkolla që të ligjërojnë historinë me programin shqiptar, që të mësojnë fëmijët tanë dhe studentët që Kosova është pjesë e Shqipërisë së Madhe Skënderbegase, që përkohësisht është nën Jugosllavi”. Këto konkludime Tito i bënte edhe pse e dinte se udhëheqësia shqiptare e Kosovës, e asaj periudhe, nuk ishte aq e fortë sa që edhe sikur të ketë tentuar për të punuar kokë me vete, me vetiniciativë, këto veprime kur të donte Titoja do t’ua ndalonte. Në këtë drejtim, për ta treguar fytyrën e vet antishqiptare, Titoja në fjalën e tij, tërë kohën akuzon Kardelin dhe Bakariqin si arkitektët e asaj kushtetute dhe të atij decentralizimi komplotist, i cili autonominë e Kosovës e konsideron si shkaktarin e krizës së mundshme të shtetit federal, për çka thotë se duhet të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë përkrahur Kushtetutën e vitit 1974. Qëndrimin e prerë të Titos kundër autonomisë së Kosovës, që u ofrua me Kushtetutën e vitit 1974, Titoja në këtë dokument e përforcon edhe me këto fjalë: “Me rastin e miratimit të Kushtetutës i kam thënë Bevcit (Eduard Kardelit) dhe Vlladës (Vlladimir Bakariqit) po edhe tërë komisionit kushtetues, ku më mbivotuan Kardeli dhe bashkëmendimtarët e tij, që për 3 deri në 4 vjet unë do t’i demantoj dhe do të dëshmoj që kam pasur të drejtë. Që kam pasur të drejtë e tregon edhe kjo gjendje në Kosovë por edhe në gjithë vendin.” Gjatë kësaj periudhe kohore, kundër Kosovës, kaq kategorik nuk kanë qenë as drejtuesit politik të Serbisë së asaj kohe, meqë në vitet 70 ishin në fuqi të ashtuquajturit “liberalët serbë” në krye me Marko Nikeziqin dhe me intelektualen e njohur, Llatinka Peroviqin.
Akuzat e Titos për udhëheqësit e Kosovës
Kur është fjala për kuadrot shqiptare, të Kosovës, Tito edhe pse i shfrytëzonte të gjithë kishte mendim negativ për pjesën dërmuese të tyre. Mendimi më denoncues i Titos është për Mahmut Bakallin, po edhe për Fadil Hoxhën: “Kam të dhënën që informatorë dhe oficerë të lartë të “Sigurimit” ligjërojnë marksizmin në Universitetin e Prishtinës, ndërsa kam marrë të dhëna që disa si Bakalli e Hoxha e të tjerë, kanë shërbimin e vet “privat”, jo vetëm në territorin e Serbisë, po edhe në republikat e tjera, e veçmas për shkak të shvercit me drogë nëpër limanet shqiptare. Në fakt, është e fshehtë publike që në marinën shqiptare ekziston një sektor i veçantë për shvercin e drogës”. Kështu ka thënë Titoja në takimin me kreun e armatës jugosllave në Karagjorgjevë më 29 dhjetor 1979, për udhëheqësit e lartë shqiptarë, njëri prej të cilëve, Fadil Hoxha, një kohë ka qenë nënkryetar i tij, ndërsa Mahmut Bakalli në atë kohë, kur Titoja e denonconte si kontrabandist droge, ka qenë kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Natyrisht se realitetin e ka ditur Titoja se edhe sikur të kenë dashur të veprojnë ashtu udhëheqësit e Kosovës siç pretendon Titoja, këtë nuk do të mund ta bënin pa u marrë vesh nga pushteti i tij, por, Tito në këtë drejtim nuk ka zgjedhur mjete për ta quar deri në fund antishqiptarizmin e tij edhe përmes deklarimeve komprometuese për udhëheqësit shqiptarë, për tu bë me dije opinionit se përderisa udhëheqësit edhe nën Jugosllavi kanë kësi mendimesh e pretendimesh, merreni me mend se çka do të bënin shqiptarët tjerë po tu krijohej mundësia dhe tu jepej liria.
Cilat ishin raportet e Titos me Rankoviqin
Më tej në dokumentin e cituar Tito e vajton rënien e Rankoviqit duke u betuar se ka qenë kundër dënimit të tij. Dënimi i Rankoviqit, sipas Titos, erdhi nga komploti i Edvard Kardelit. Ndërsa, ndër shqiptarët e Kosovës ka vepruar miti sipas të cilit Titoja e pati rrëzuar Rankoviqin “për shkak të zullumit ndaj shqiptarëve”. Kjo aspak nuk është e vërtetë. (në stenogranet e Plenumit të IV të Brioneve, të botuara në mediet serbe, askund nuk përmendet zullumi ndaj shqiptarëve dhe as që përmenden fare shqiptarët). Prandaj miti për rolin gjoja proshqiptar të Titos në Plenumin e IV të Brioneve, është vetëm një gënjeshtër e kulluar. Si duket kjo mendësi në formë miti ka qenë i prodhuar nga shërbimet sekrete ushtarake, për ta glorifikuar figurën e Titos ndër shqiptarët e painformuar, i cili mendim fatkeqësisht ka pasur shumë sukses, duke menduar se vërtet Titoja e ka hequr Rankoviqin për shkak të zullumit të tij ndaj shqiptarëve.
Paralajmërimi i provokimit të kryengritjes shqiptare në Kosovë?
Gjithashtu në një pjesë të fjalës së tij para ushtarakëve në Karagjorgjevë Titoja thotë se në Kosovë po ndërtohen objekte luksoze me “pullaze nga argjendi” dhe kërkon të hapen hetime për këtë gjë. Natyrisht as ky pretendim nuk ishte i vërtet, por me këto konstruksione të Titos, dëshmohet se edhe përkundër faktit se Kosova ishte vendi më i pazhvilluar ekonomik në Jugosllavi ai nuk brengoset fare për parollën aq shumë të proklamuar të bashkim vëllazrimit e të barazisë mes kombeve e të kombësive. Duke e ditur realitetin e pabarazisë praktike të shqiptarëve në Jugosllavi, Tito në këtë fjalim paralajmëron edhe për rrezikun e kryengritjes shqiptare. Prandaj thekson: “Ne dimë pak për aktivitetet e emigracionit shqiptar, por shikoni shokë, ai emigracion po mbledhë “taksë” për shkollimin e shqiptarëve, që do të komandojnë atë që paralajmërohet shpesh “kryengritjen popullore” në Kosovë.” Kjo dëshmon se Tito para së gjithash ishte vetëm një kukull në duart e lobit serb të armatës jugosllave të dirigjuar nga Nikolla Lubiqiqi i cili më vonë do të luante rol shumë të fuqishëm edhe në ngritjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet. Për antishqiptarizmin e Titos, dëshmojnë edhe vet bisedat Titos që kishte me Josip Kopiniqin, ku pohon madje se në një rast i kishte kërkuar Rankoviqit që ta likuidonte fizikisht Edvard Kardelin, por se ky i fundit – Rankoviqi, kishte refuzuar ta likuidonte. Shumë historian dhe albanolog në Kosovë gjatë asaj kohe, kanë shkruar himne e ode për Titon, qoftë pa u thelluar shumë në realitetin ekzistues, qoftë me porosi të instrumenteve shterërore, apo edhe nga vetmjaftueshmëria e tyre, duke qenë të privilegjuar në shoqërinë shqiptare brenda shtetit jugosllav. Por historianët e ri nuk do të shkojnë gjurmëve të disa pleqve, të cilët shërbenin si instrumente dekoruese gjatë jugosllavisë moniste. Ata nuk kanë as nevojë e as arsye ta varrosin e as ta instrumentalizojnë karrierën e tyre shkencore për interesa të askujt, e aq ma pak për interesa të përfitimeve të disa pleqve të Kosovës.