Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: PASQYRIMI I LUFTËS SË UÇK-së NË FUSHËN E ARTIT, KULTURËS E SHKENCËS

Lufta e UÇK-së në Kosovë, deri tani është paraqitur përmes përvjetorëve të masakrave të ndryshme, përvjetorëve të dëshmorëve të UÇK-së, organizimit të orëve letrare, shkrimit të poezive, botimit të ndonjë libri monografik për dëshmorë të caktuar, apo edhe për ndonjë masakër. Pastaj realizimit të ndonjë dokumentari për dëshmorë; këngëve popullore e folklorike për dëshmorë, ndonjë pikturë, skulpturë (shtatore e busta për dëshmorë të caktuar), etj.
Por të gjitha këto, janë për konsum të brendshëm. Edhe ata pak libra që janë botuar për ndonjë masakër, nuk i janë nënshtruar kritereve të monografisë, redaktimit profesional, ku nuk mungon tentimi për zbukurimin e dëshmive, që në fakt i devalvon dëshmitë. Në këtë drejtim, nga librat e botuar, dallohen librat e Bardhyl Mahmutit: “Mashtrimi i madh” (libër studimor): dhe romani “Eskadronët e vdekjes”; pastaj libri i dr. Nysret Pllanës “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, pastaj romani “Tmerri” i Arben Kondit, dhe eventualisht ndonjë tjetër. Janë këta librat që u përmenden, që meritojnë të përkthehen në gjuhë të huaja dhe të plasohen para lexuesit ndërkombëtar. Kurse institucionet shkencore të Kosovës, vetëm kanë heshtur, mjerisht.
Kurse në Serbi, ka shumë libra që janë botuar dhe përkthyer në gjuhë të huaja, për tu plasuar para opinionit ndërkombëtar. Kështu mbi 30,000 faqe Serbia i ka plasuar para opinionit ndërkombëtar të përkthyera në gjuhë të huaja, ku edhe në botim, edhe në përkthim, institucionet e shtetit serb kanë ndihmuar me prioritet.
Ndërkaq, në lëminë e kinematografisë, ku filmat artistik, shikohen me të madhe nga opinioni dhe ndikimin e kanë më të madh, nga Kosova nuk është bërë asnjë deri tani, ndërkaq popujt tjerë, të përfshirë në luftrat e fundit me Serbinë, si sllovenët, kroatët, boshnjakët, si dhe vetë serbët nuk kanë ndenjur duarkryq në këtë drejtim.
Këtu më poshtë po japim disa shembuj të shumtë të paraqitjes së luftës nga popujt tjerë që u përfshinë në luftëra, në ish Jugosllavi, e që të gjitha luftërat u shkaktuan nga Serbia.
Në Slloveni, ndonëse lufta zgjati vetëm dhjetë ditë, megjithatë kjo ngjarje nuk mbeti në heshtje nga shteti slloven. Në këtë rast po e sjellim një shembull që është film për luftën e pavarësisë sllovene me titull “Awakened to a Dream” (Zbujeni v sanje), etj.
Në Kroaci, kroatët kanë realizuar një varg filmash artistik për luftën e tyre çlirimtare si: Çmimi i jetës (1994); Vukovari po kthehet në shtëpi (1994); Si filloi lufta në ishullin tim (1996); Qielli, satelitët (2000); Numri 55 (2014); General (2019), etj. Në realizimin e tyre natyrisht kontribut të madh kanë dhënë institucionet e shtetit kroat.
Në Bosnje, boshnjakët kanë realizuar gjithashtu një varg filmash artistik, përmes të cilëve paraqesin gjenocidin serb të ushtruar ndaj popullit boshnjak, si: “In the Land of Blood and Honey”; “Grbavica”; “Klithmë nga varri”; “Remake”; “Shot in the Heart”; “Welcome to Sarajevo”; “Behind Enemy Lines”; “Miss Sarajeva”; “As If I Am Not There”; “Hunting Party”, etj. Edhe këtu, në realizimin e këtyre filmave kontribut të madh kanë dhënë institucionet e Bosnjes, si dhe donatorë të jashtëm në filmat e realizuar si kooproduksion.
Në Serbi, shteti serb, që i shkaktoi katër luftëra, nuk ndejti duarkryq por realizoi një varg filmash artistik, përkatësisht antifilmash, përmes të cilëve mundohet ta plasoj të vërtetën serbe jo vetëm në opinionin e brendshëm por para së gjithash në opinionin e jashtëm, përmes filmave për luftën në Kroaci, Bosnje si dhe në Kosovë, si: “Kufiri Ballkanik”; “Vukovar, jedna priča”; “Dara iz Jasenovac”; “Krugovi”; “Lepa sela lepo gore”; “Zlatni rez 42 – Djeca Kozare”; “Nebeska udica”; “Podzemlje”; “Armiku”, 2011; “Jeta është një mrekulli”, 2004; “Në Rrugën e Qumështit”, 2016; “Shpëtimtari”, 1998; “Oluja”, 2023, etj.
Kurse për luftën në Kosovë, Serbia bëri një varg filmash artistik si: “MRAK” – Një film për vuajtjen e serbëve në Kosovë; “Heroes”; “Enklava” (film artistik që ka konkuruar për çmimin Oscar); “Balkanska meda”, etj.
Krijimi i këtyre filmave u mbështet nga Qendra e Filmit e Serbisë, Ministria e Kulturës dhe Informacionit e Republikës së Serbisë, dhe shumë institucione të tjera. Gjithashtu MPB dhe RTS kanë paralajmëruar një seri filmash artistik për luftën në Kosovë, ku sipas tyre, asgjë nuk do të mbetet e pa mbuluar në këtë drejtim, si para bombardimeve të NATO-s, ashtu edhe gjatë këtyre bombardimeve, si dhe gjendjen e serbëve pas luftës në Kosovë, sipas tyre.
E mos të flasim për filmat dokumentar, që janë të shumtë.
Në Kosovë, ku është zhvilluar gjenocid nga shteti serb, fatkeqësisht deri më tani nuk është realizuar asnjë film. Ama bash asnjë. Kush do t’i realizoj dhe kush duhet të financoj filmat për luftën në Kosovë? Çka kanë bërë Institucionet e Kosovës në këtë drejtim? Përse që 25 vjet nuk kanë bërë përpjekje për realizimin e asnjë filmi artistik për luftën e UÇK-së? A ka turpi brirë? Kjo nuk është vetëm poshtërsi por edhe papërgjegjësi institucionale ndaj vlerës më të lartë sublime të luftës së lavdishme të UÇK-së. Të gjithë ministrat e kulturës që kanë qenë deri tani (dhe jo vetëm ata) nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë historike.
Për të gjitha këto, ose populli e ka haram lirinë, ose ata e kishin haram pushtetin.

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi

Fitim Selimi: DIKUSH DUHET DHËNË PËRGJEGJËSI

Pas mburrjeve të vazhdueshme të qeveritareve për shtrirje të sovranitetit në veriun e vendit dhe …