Pasi gazetari i KTV-së nuk e pyeti Mehmet Locin për disa gjëra tjera dhe as Loci nuk u deklarua në rrëfimin e tij, atëherë po e pyesim nga kureshtja se kush e dërmoi, ta zëmë, njërin ndër deputetët e Parlamentit të Kosovës në vitin 1985, Halit Krasniqin? Kush e vrau Xhemajl Blakën në vitin 1996? Pse Malë Morina u detyrua të vetëvaret? Pse Mehmet Loci ia mori personit XY pasaportën pas vitit 1986 për dy vjet radhazi, duke i bërë presion që ta vrasë një ish-të burgosur politik? Pse, për shembull, nuk e pyeti po të njëjtin se pse mbi të burgosurit politikë në të gjitha periudhat kohore u ushtruan rrahje e tortura aq të egra?
Pasi Jusuf Buxhovi më 22 janar doli për ta shpërlarë veten edhe në planin medial, në vazhdën e përpjekjeve për të botuar libra, si duket e ka parë të arsyeshme që pas një krijimi të një bagazhi letrar, e sipas tij edhe shkencor, tash ka nevojë edhe për anën propagandistike politike. Ai duke u munduar që ta arsyetojë diçka që është e pamundur, i ka vënë vetes detyrë që të vazhdojë luftën atje ku i ka mbetur në gjysmë. Prandaj akuzës së Hysen Gegës se Jusuf Buxhovi ka marrë pjesë, duke asistuar në marrjen në pyetje të tij nga UDB-ja, përpos mohimit verbal i kundërpërgjigjet, edhe me akuza të paqena se lëvizjet ilegale (shqiptare) në perëndim paskëshin qenë të orientuara kundër njëra-tjetrës, për të lënë për të kuptuar se ato e paskan luftuar njëra-tjetrën dhe se paskëshin qenë banda kriminale të kuqe, terroriste. Alibia që mundohet të ja veshë vetes Buxhovi, se në kohën për të cilën akuzohet paska qenë në Afrikë bashkë me Fadil Hoxhën, jo që s’e arsyeton, por më tepër e sforcon dyshimin. Buxhovi ka mundur të shkojë në Azi, edhe në Afrikë bashkë me Fadil Hoxhën, por as Fadil Hoxha e as Buxhovi nuk kanë mundur të qëndrojnë gjatë në Afrikë e në Azi si te dajtë.
Janë të njohura tashmë format e veprimit të UDB-së, që pas ndonjë veprimi, t’u krijojnë mundësi njerëzve të vet për t’i humbur gjurmët. Kulmi i përverzitetit politik dhe mjerimit intelektual të Buxhovit është në rastin kur klubet shqiptare i quan si bordello. UDB-ja, vërtet ka qenë e interesuar që gjithkund t’i infiltrojë njerëzit e vet. Në këtë punë vërtet ka mundur që Buxhovi të mos marrë pjesë, sepse UDB-ja ka patur mjaft të tillë, kurse ky si intelektual ka mundur të ketë mision më të madh si ai i ndjekjes së vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, si dhe i marrjes në pyetje të Hysen Gegës.
Përderisa Hysen Gega ka bërë akuzë publike ndaj Buxhovit, përse Buxhovi nuk ka bërë akuzë juridike ndaj shpifjes së pretenduar të Gegës?
Mirëpo, në këtë rast nuk është vetëm akuza e Gegës. Pos Hysen Gegës ekzistojnë dhe faqe të tëra të argumentuara bindshëm, nga dy libra të Ibrahim Kelmendit, ndërsa në listën e bashkëpunëtorëve të UDB-së, Jusuf Buxhovin e vendos edhe njëra ndër figurat kryesore të UDB-së maqedonase, Nafi Cegrani, i cili madje e akuzon atë edhe si pjesëmarrës në skenarin e likuidimit të vëllezërve Gërvalla. As ndaj tij Buxhovi nuk ka ngritur kurrfarë akuze për shpifje.
Spasiqi në ndihmë të Buxhovit
Pastaj në skenë doli Bozhidar Spasiq, ish-agjenti i Shërbimit Informativ të ish-Jugosllavisë (UDB), në një intervistë për një televizion ballkanik që flet në mënyrë kontraverse për periudhën e funksionit të këtij shërbimi. Sipas tij “kreu aktual i Kosovës, duke filluar nga ajo piramida ku është Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe ministri aktual i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ai është profesor i shquar, ai me qejf jepte informacione për gjendjen në Universitetin e Kosovës”. Këtu aludimi është i qartë, jo vetëm te Thaçi, por edhe te personalitete tjera si Bajram Rexhepi, Xhavit Haliti… se paskëshin qenë vegla të Serbisë, ndërkohë që Thaçi është dënuar 20 vjet në mungesë nga gjykata serbe.
– Atëherë për çfarë informacionesh mund të flasë Spasiqi në këtë rast për Bajram Rexhepin, kur ai nuk ka qenë asnjëherë profesor Universiteti?
Pastaj në Maqedoninë Perëndimore, vazhdon Spasiqi duke hedhur gjyle topi me tymnajë, se “atje është njëfarë lideri Ali Ahmeti dhe ai është i afërt me Hashim Thaçin,… dhe ai, Ali Ahmeti me dajën e tij ishte bashkëpunëtor i Shërbimit dhe tash ka dalë në opinion që ai ishte bashkëpunëtor i Shërbimit edhe pse ai thotë se nuk ishte. Dhe kjo do të dalë më vonë edhe pse Serbia po sillet në mënyrë korrekte dhe nuk po e hap këtë çështje, por kur të vijë koha do të hapet dhe do të shihet që disa që e udhëheqin Kosovën ishin agjentë të UDB-së”, – thotë Spasiqi.
– Kush mund ta hajë një çorbë të tillë të Spasiqit të zier në kuzhinën e UDB-së serbe?
– Kujt i ka shërbyer Spasiqi?
– Dihet, shërbimit sekret serb. Edhe sikur të supozonim për një moment se kjo që thotë Spasiqi është e vërtetë, shtrohet pyetja: për cilën arsye Spasiqi po i bën publike emrat e njerëzve që i paskan shërbyer dhe po i shërbyekan sigurimit serb?
– Cili shërbim dhe cili shtet shikon për t’i dëmtuar njerëzit e vet dhe mos t’i ruajë me fanatizëm ata?
– Cili do të ishte interesi i Serbisë për t’i bërë publike emrat që i paskan shkërbyer asaj?
Më tej, në rrëfimin e tij kontraverz me qëllim kundërinformimi, Spasiqi deklaron edhe këtë: “janë rreth 150 njerëz nga të cilët për 50 prej tyre opinioni duhet të dijë se sa të këqija i kanë sjellë popullit serb, ata terroristë dhe ajo bandë rreth Thaçit. Dhjetë herë më shumë të këqija i janë bërë popullit shqiptar”. Duke pasur parasysh të gjitha këto që ka deklaruar Spasiqi si dhe faktin se kush ka qenë ai, vërtet kush mund dhe kush duhet t’i besojë Spasiqit?
“Yryshi” i udbashëve për rikthim në skenë
Pas këtyre veprimeve ofansive të Buxhovit e Spasiqit, po në KTV të datës 29.01.2014 në një emision të sërishëm “Rubikon”, nën udhëheqjen e të njëjtit gazetar, kësaj radhe ishin thirrur një profesor universitar, njëfarë Fadil Kajtazi i quajtur ekspert, si dhe udbashi i njohur me nam për të keq Mehmet Loci. Tema kishte të bënte përsëri me shërbimet sekrete dhe me UDB-në. Nga tërë ky emision, rezultuan tri gjëra:
– E para, Mehmet Loci pa e pyetur ia nisi të rrëfehej duke u munduar të paraqitej njeri i zoti, që ka mësuar teorinë dhe praktikën e konspiracionit, duke u munduar të hyjë edhe në parahistori, me qëllim për ta relativizuar veprimtarinë jo vetëm të tij, por edhe të gjithë udbashëve të tjerë, duke thënë se “sigurisht kemi bërë edhe gabime, por duke mos e përmendur asnjë, sepse ato sipas tij mund kenë qenë aq të vogla, sa që krahasuar me “punët e mira” që i paskëshin bërë as që ia vlen të përmendën. Thonë se e vërteta nuk është se si e quan njeriu veten, por si e trajtojnë të tjerët. E vërteta për një njeri, nuk mund të jetë asnjëherë sipas deklarimit verbal të tij, por sipas veprimeve të tij praktike në shoqëri. Se kush ka qenë Mehmet Loci më së miri mund të flasin të gjithë të burgosurit politikë të regjionit të Pejës, ku në mesin e rrëfimtareve publikë tregon edhe intervista e veprimtares së dalluar e çështjes kombëtare Hava Shala, në trupin e së cilës madje kanë fikur edhe cigare.
Në këtë rast shtrohet pyetja, kujt duhet besuar: xhelatit apo viktimës? Përgjigjja dihet. Prandaj e kotë është përpjekja e të gjithë Mehmet Locëve për t’u viktimizuar, përkatësisht për ta luajtur rolin e viktimës, ndërkaq viktimat e djeshme të mundohen për t’i shndërruar në xhelatë të së sotmes.
Së dyti, deklarimi i Mehmet Locit se paskëshin qenë katër deputetë të Parlamentit të Kosovës si bashkëpunëtorë të UDB-së gjatë vitit 1992, kjo për të sotmen nuk ka asnjë relevancë. Por kjo gjë sot thuhet qëllimisht, për të arsyetuar mosveprimin e të ashtuquajturit parlament i Kosovës, i cili kurrë, asnjëherë nuk ka funksionuar në asnjë mënyrë. Mosveprimi i këtij të ashtuquajturi parlament dhe loja për gjoja ekzistimin e tij, në fakt ishte përpjekje e vazhdueshme për ta mbajtur popullin në gjumë, duke e ushqyer me iluzione së çështja e Kosovës do të zgjidhej vetëm më rrugë paqësore. Koha ka dëshmuar, se nga qielli nuk kanë rënë kokrra gruri në Kosovë, prandaj edhe është shuar përfundimisht iluzioni se problemi i Kosovës, përkatësisht çlirimi i saj, do të bëhej vetëm me rrugë paqësore. Nuk do të ndryshonte asgjë në ketë drejtim, edhe sikur ata katër deputetët e atëhershëm të mos kishin qenë bashkëpunëtorë të UDB-së, siç thotë Loci. Ngase bashkëpunëtorët e Serbisë nuk kanë munguar as në kryesinë e atëhershme të LDK-së. Prandaj edhe ky tentim i Locit është i tejdukshëm.
Së treti, në mënyrë perfide Mehmet Loci u mundua që të arsyetonte dhe mbronte Jusuf Buxhovin, duke e lavdëruar në njërën anë Hysen Gegën si njëri të vendosur, të mirë dhe veprimtar, kurse në anën tjetër, duke vënë dyshime në aftësinë e mbamendjes dhe perceptimit real të Hysen Gegës. Kjo sipas Locit do të thotë se, Hysen Gegës ka mundur t’i duket ashtu, diçka që në fakt nuk ka qenë. Pra për Locin, Hysen Gega ka pasur iluzione perceptive. Por interesante është të thuhet se çka e shtyn Mehmet Locin të deklarojë kështu për Buxhovin dhe Hysen Gegën, kur Hysen Gega nuk e thotë se Loci ka qenë në zyrë të UDB-së kur është marrë në pyetje nga të apostrofuarit. Por këtu Loci duket qartë se ka dalë që t’i bëjë një argat Buxhovit, me apo pa porosi të ‘stareshinave’ të tij të djeshëm, e ndoshta edhe të sotshëm.
Polifonia e Locit dhe isoja e Kajtazit
Pasi gazetari Adriatik Kelmendi nuk e pyeti Mehmet Locin për disa gjëra tjera dhe as Loci nuk u deklarua në rrëfimin e tij, atëherë po e pyesim nga kureshtja Mehmet Locin se kush e dërmoi, ta zëmë, njërin ndër deputetët e Parlamentit të Kosovës në vitin 1985, Halit Krasniqin, kush e vrau Xhemajl Blakën në vitin 1996? Pse Malë Morina u detyrua të vetëvaret? Pse Mehmet Loci ia mori personit XY pasaportën pas vitit 1986 për dy vjet radhazi, duke i bërë presion që ta vras një ish-të burgosur politik? Pse për shembull, nuk e pyeti po të njëjtin se pse u bënë rrahje e tortura aq të egra mbi të burgosurit politikë në të gjitha periudhat kohore? Kë tjetër dëshironte pos UDB-së ta rehabilitonte gazetari, qoftë edhe tërthorazi? Arsyet janë të qarta, sepse edhe babai i udhëheqësit të emisionit Rubikon, Adriatik Kelmendi, Flamur Kelmendi kishte qenë prokuror në shumë procese, si në atë të Hava Shalës etj.
Këtu Adriatik Kelmendi vërtet nuk ka asnjë përgjegjësi për veprimet e babait të tij. Ai ka të drejtë sot të krenohet edhe me ato veprime të djeshme të babait të tij. Kjo është e drejtë e tij. Por një gjë është e sigurt: Kjo ndodhi në vazhdën e sulmeve të sinkronizuara Buxhovi – Simiq që është paralajmërim se UDB-ja po dëshiron të kthehet triumfalisht, por që në këtë kthim do t’i thyejë vetë turinjtë. Pastaj siç tha me të drejtë Aleksandër Pirro për Fadil Kajtazin, “nga e ditka se kanë qenë 140 spiunë në radhët e UÇK-së, se ku e mësoi se cilët janë në qeveri dhe parlament”? Përfundimisht ky emision pati rolin e amnistimit dhe relativizmit të bashkëpunëtorëve të Serbisë gjatë kohës së monizmit, përmes metodës së hapjes së dilemave të reja, pra përmes kundërinformimit. Në emision ishin tre veta që kënduan me një zë, zëri i profesorit gati s’u dëgjua fare në këtë këngë polifonike, kështu që mungesën e zërit të tij e plotësonte herë pas here udhëheqësi i emisionit. Zëri i parë që e kënduan këngën polifonike “e ngatërruam një formulë, pula vezë a veza pulë” ishte Mehmet Loci, kurse ison bajagi mirë ia mbajti Fadil Kajtazi, duke bërtitur gjatë tërë emisionit “ohohooo” pas çdo vargu që këndonte Loci. Defekti kryesor i këtij emisioni ishte se as kënga e as melodia nuk ishin shumë funksionale, sepse nuk ishin origjinale.
Autori është ish i burgosur politik.