Bedri Halimi: PËRSE NUK BOTOHEN SI LIBËR, LETRAT NGA BURGU, TË UKSHIN HOTIT?

Emri i Ukshin Hotit është i njohur nga të gjithë, si veprimtar dhe intelektual.

Para disa viteve, kur u botua kompleti i Akademik Rexhep Qosjes, si dhe kompleti i veprave letrare të Adem Demaçit, Qeveria e Kosovës pati shprehur gadihmërinë për botimin e kompletit të librave të Ukshin Hotit.

Por për çudi, kjo gjë u hesht, dhe kjo gjë, jo me fajin e atyre që shprehën gatishmërinë për të ja botuar.

Para disa viteve, Ukshin Hotit ju botua libri FILOZOFIA POLITIKE E ÇESHTJES SHQIPTARE, nën përkujdesin e veprimtarit e intelektualit të njohur, ish të burgosurit politik, Bislim Elshani.

Tema e magjistraturës e Ukshin Hotit me titullin “LUFTA E FTOFTË DHE DETANTI”, gjithashtu ka qenë e botuar si libër gjatë periudhës së monizmit.

Janë botuar si libër nga Ismail Kadare, përgjigjët e Ukshin Hotit në pyetjet që i janë dërguar fshehurazi në burg, për të cilat, po feshurazi Ukshin Hoti i ka derguar përgjigjet, e që dihet se janë botuar në librin e Ismail Kadaresë, “BISEDË PËRMES HEKURASH”.

Gjithashtu, dihet se disa letra të Uksin Hotit, të shkruara nga burgu i janë botuar në gëzetën KOMBI të Haqif Mulliqit. Por gjithashtu dihet se disa letra të tij të nxjerra nga burgu nuk janë botuar fare që 24 vjet, me arsyetime të ndryshme, por gjithsesi të paqëndrueshme.

Prandaj, është e udhës që të gjitha këto LETRA NGA BURGU, të mblidhen (me sa e di janë të mbledhura), dhe të botohen në një libër të veçantë. Nese dikush ka pasur iluzione, se gjoja mos po i bëhet dem vet Ukshin Hotit më botimin e tyre, tashmë kjo punë po shihet se ishte vetëm mashtrim dhe asgjë më shumë.

Prandaj botimi i librit të tillë, do ta senzibilizonte edhe më shumë opinionin si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, për ta zbardhur fatin e Ukshin Hotit.

Dhe jo vetëm kaq!

Në funksion të sensibilizimit të emrit dhe fatit të Ukshin Hotit, do të duhej të botohej edhe kompleti i librave me të gjitha shkrimet e tij që gjënden deri më tani (një nga të cilët u zbulua së voni edhe në Arkivin e Kosovës).

Besoj se për këtë gjë, asnjë nga institucionet relevante shtetërore të Kosovës, nuk do të hezitonte të ndihmonte.

Ukshin Hoti, tashmë u përket të gjithëve.

 

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …