TRAJTIMI I TEMËS SË DHUNIMIT TË FEMRAVE SHQIPTARE PËRMES ROMANIT
Ramize Murtezi – Shala: “Unë e përdhunuara…”, Faik Konica, Prishtinë, 2018
Format e veprimit për spastrim etnik dhe kryerjes së gjenocidit ndaj shqiptarëve nga shteti serbë, kanë qenë të ndryshme. Një ndër format e spastrimit etnik krahas: vrasjeve, masakrave, rrënimeve, plaçkitjeve, djegieve, lëndimeve, kidnapimeve, burgosjeve e veprimeve të tjera; ishte edhe dhunimi i mijëra femrave shqiptare.
Dhunimet edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, radhiten ndër krimet kundër njerëzimit. Me këto veprime, Serbia përmes forcave të veta, nuk synonte vetëm cenimin e integritetit fizik dhe psikik të femrës shqiptare, por edhe cënimin e integritetit moral e shpirtëror të shqiptarëve. Kështu, dhunimet seksuale kanë pasur karakter poshtrues, politik, hakmarrës; me qëllim të thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Edhe sipas Human Rights Watch theksohet se dhunimet e grave dhe vajzave shqiptare, nuk ishin akte të rralla e të izoluara, të kryera nga individë të forcave serbe, por ishin akte të organizuara mirë nga Serbia dhe u përdoren qëllimisht si instrument për të terrorizuar popullsinë civile. Pra, kjo formë e dhunës u përdorë si armë lufte dhe instrument i spastrimit etnik sistematik.
Kjo temë, pra tema e dhunimeve të femrave është trajtuar shumë pak në Kosovë, qoftë në letërsi, qoftë në llojet e tjera të artit. Autorët që janë marrë me këtë temë në letërsi, mjerisht janë të paktë, si Lola Shehi – Çela, Luljeta Selimi – Berisha e ndonjë tjetër. Fatmirësisht këtyre ju bashkangjit edhe gazetarja e njohur dhe e talentuar e RTK-së, Ramize Murtezi – Shala, me romanin e saj “Unë e përdhunuara…”.
Fillimisht, në këtë roman, edhe vet gazetarja sqaron se duke punuar në një medium të rëndësishëm, ka arritur që të bëjë disa emisione me rëndësi, në mesin e të cilave është edhe dokumentari “Ulërimë në heshtje”, në të cilën flasin disa gra të dhunuara gjatë luftës.
Materjalet e mbledhura nga këto gra të dhunuara, nga rrefimet e tyre, si duket nuk e kanë lënë të qetë autoren Ramize Murtezi – Shala, prandaj duke u mishëruar me këtë temë, e duke ndjerë dhembje edhe vetë, për dhembjen e madhe shpirtërore të femrave të dhunuara, me të cilat ajo ka arritur të vëjë kontakt, e kanë shtyrë, që këtë temë ta trajtojë dhe si roman në një libër të veçantë.
Natyrshëm autorja sqaron që në fillim se të gjitha ngjarjet, rrëfimet në këtë roman janë të vërteta, përpos emrave të përsonazheve që domosdoshmërisht i është dashur t’i ndryshojë.
Konceptimin e ngjarjeve brenda romanit, autorja e ka bërë natyrshëm, duke sjellë rrëfime të trishtueshme të përjetuara nga personazhet e romanit. Autorja ka arritur me mjeshtri e dije profesionale, që ta paraqes edhe botën e brendshme shpirtërore të secilit nga personazhet e këtij libri.
Si renditja e ngjarjeve brenda librit, ashtu edhe vet përmbajtja e ngjarjeve, është e tillë, sa që lexuesin e mban pezull, që nga fillimi e deri në fund. Dhe natyrshëm, edhe lexuesi, nuk ka se si të mos e bashkëndjejë dhëmbjen e përsonazheve, si dhe vet autores, që ka marrë guximin për ta trajtuar këtë temë të ndjeshme shpirtërore.
Përmbajtja e një romani të tillë, me mënyrën se si është paraqitur, është material i denjë edhe për kineastët, për ta bërë si film artistik.
Autorja meriton respekt, për kulturën e shkrimit, për trajtimin e temës, për formëën e realizimit të romanit, e mbi të gjitha, për faktin se ka pasur guxim dhe ka gjetur mundësi, për të vënë kontakte me gra të dhunuara, e të cilat pastaj janë bërë personazhe të krijimeve të saj.
Gjëja e vetme që nuk qëndron në këtë roman, e që do të dëshironim shumë që me rastin e ribotimit të romanit ta përmirësonte gjithsesi, është përdorimi i termit “PARAMILITARË”. E kuptojmë që autorja ka tentuar t’i qëndrojë sa më besnike rrëfimeve emocionale të personazheve, por megjithatë këtë term ka qenë dashur ta heq, për arsyen e vetme se jo vetëm në luftën e Kosovës, por edhe në atë të Sllovenisë, të Kroacisë e të Bosnjes, nuk ka pasur kurrë, asnjë paramilitarë. Çdo gjë ka qenë “MILITARE”. Pra, policia serbe, ushtarët serbë, që të gjithë kanë përbërë forcat serbe. Këtu hyjn gjithsesi edhe rezervistët të cilët janë mobilizuar në kuadër të forcave usharake serbe. Çështja e uniformës, ndryshimit të ngjyrës së uniformës të formacionet e ndryshme ka qenë formale dhe taktike serbe. Sepse edhe Arkani, edhe Dragani, edhe Frenki, edhe Beretat e Kuqe, si dhe secili i ashtuquajtur formacion luftarak serb, ka qënë nën komandën e shtetit serb. Pra nën kupolën e Millosheviqit, përmes hierarkisë së vijës vërtikale komanduese. Asnjë individ dhe asnjë formacion, nuk ka pasur mundësi të veprojë jashtë kësaj komande. Përdorimi i termit “paramilitarë”, që është bërë mjerisht nga shumë autorë shqiptarë, është përdorur nga mosdija, duke dashur të tregojë sa më shumë egërsinë e pushtuesit serbë, e në fakt pa vetëdije, në këtë formë amnestohet nga përgjegjësia vija komanduese e shtetit serbë. Sepse vetë politika serbe e ka lansuar këtë term, përmes të cilit është munduar ta përdorë për ta shfajësuar shtetin serbë, ashtu siç bëri Millosheviqi në Hagë me familjen Berisha të Suharekës. Nuk them se autorja nuk e ka ditur këtë, por siç theksuam, duke dashur t’i qëndrojë sa më besnike rrëfimeve origjinale, në këtë rast, i ka shpëtuar ky lëshim, të cilin shpresojmë se do ta përmirësoj, bashkë edhe me ndonjë fjalë të munguar në ndonjë rast gjatë fjalive.
Gjithsesi, autorja Ramize Murtezi – Shala, meriton përgëzime për realizimin e këtij romani, si dhe respekt për punën e madhe që ka bërë lidhur me këtë temë.
Të shpresojmë se këtë rrugë, do ta ndjekin edhe krijues të tjerë në letërsinë shqipe, nga se siç thotë edhe vetë autorja në këtë roman, secili përsonazh krahas fatit të njëjtë tragjik të dhunimit që ka pësuar, rrethanat e sjelljes e veprimit ndaj tyre janë të ndryshme.
Nuk ka njeriu se si të ndjehet indiferent kur lexon rrëfime për dhunimin e grave të reja, grave plaka, vajzave të reja, e madje edhe fëmijëve të moshës së mitur deri në 10 e 7 vjeçare, disa nga të cilat pas dhunimit edhe janë vrarë.
Veprimet e tilla, padyshim se kanë ndikuar në mënyrë të skajshme që të traumatizohen jo vetëm viktimat, por edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Dhe mjerisht, ky lloj krimi është dhe ka mbetur më i pandriçuari dhe më i pandëshkuari deri tani.