Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë shpalosur një panoramë të qartë të popullaritetit të kandidatëve për kryeministër brenda partive të tyre, ku Bedri Hamza i PDK-së ka dalë si më i pëlqyeri nga elektorati i partisë së tij, duke marrë 88.3% të votave të atyre që votuan për PDK-në. Ai ka arritur të marrë 173 mijë 526 vota, nga gjithsej 196 mijë 474 vota të partisë. Në vendin e dytë renditet Lumir Abdixhiku i LDK-së, i cili ka fituar 85.5% të votave të elektoratit të partisë, me gjithsej 146 mijë 401 vota nga 171 mijë 357 të totalit të LDK-së. Albin Kurti i LVV-së, përkundër mbështetjes së fortë në parti, ka marrë më pak mbështetje në krahasim me Hamzën dhe Abdixhikun, duke fituar 85.1% të votave të elektoratit të tij, me 337 mijë 791 vota nga gjithsej 396 mijë 787 vota që LVV-ja ka marrë. Kandidati i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë më pak mbështetje se të tjerët, me 67.9% të votave nga elektorati i partisë së tij, duke fituar 44 mijë 996 vota nga gjithsej 66 mijë 256 të koalicionit AAK-Nisma.
