Bedri Islami

Bedri Islami: Çka thanë analistët e pandreqshëm drejt së keqes, në ditëmortin e Dritëro Agollit

Në sofrën madhështore të Homerit, nga thërrimet e së cilës u ushqyen të gjithë tragjeditë e Greqisë së Lashtë, është edhe përkulja e Priamit, mbretit madhështor të Trojës, para gjunjëve të Akilit, që sapo i kishte vrarë të birin, Hektorin. Ia përkëdhel këmbët, i hedh mbi supe pelerinën mbretërore, i flet me fjalë të të atit, për një gjë të vetme, kthimin e kufomës së të birit, për ta varrosur madhërisht në Trojën që mbrojti. Kjo është gjëja e parë që më është kujtuar kur, analistë të pandreqshëm drejt së keqes, në ditëmortin e Dritëroit, kur ende homazhet nuk kishin përfunduar, vraponin të cilësonin atë si stalinist, si njeriu që në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve kishte dhënë urdhër për të vrarë poetët, kishte qenë një xhandar i artit dhe me zemër katile.

Jo rastësisht në këto prononcime vandale, për të mos dhënë më shumë, nuk u përfshinë ish të përndjekur politikë, apo njerëz të tjerë që realisht kishin kaluar një dhimbje të rëndë në vitet e shkuara. Për to, megjithë atë që bartnin mbi kurriz, kishte qenë më e lehtë ta pranonin Agollin apo Kadarenë në veten e tyre dhe nuk ishin rebeluar asnjëherë kundër tyre. Ata i kishin bërë pjesë të vetes shkrimtarët e mëdhenj të letrave shqipe, jo nga fakti se ata kishin shkruar në kohë të errët, por sepse e kishin dritëzuar këtë kohë, me aq sa kishin mundur.

Në atë gjysëm shekulli të pashpirt hapësira ishte tepër e ngushtë dhe ajo që kishte qenë çlirim i së errtës dhe humnerë për mendimin, domosdo , do të kishte korifejtë e saj, të cilët krijuan një univers të botës, shpesh herë ashtu si duhej të ishte, e ftohtë,por e madhërishme.

Përçmimi i një Njeriu të Perandorisë së  Letrave, sidomos nga ata që ishin pinjollë të përkëdhelur të së ardhmes, do të thotë se në vazhdimësi ke qenë jashtë kësaj perandorie, edhe nëse  ke mësuar të shkruash, edhe nëse prindërit kanë qenë njerëz të mençur dhe autoritarë në perceptimin e tyre ndaj jetës, edhe nëse, për hatër të politikës që ndjekur, ke arritur të jesh pinjoll i një perandorie tjetër, krijuar pas vitit 1990 në relaksimin  e vlerave, të së keqes dhe të mohimit.

Dritëroi ka qenë gjithnjë përtej së keqes dhe drejt së mirës. Ka qenë funksionar i lartë i botës së artit, pas vitit 1974 më i larti mes tyre, por, njëkohësisht , ka qenë ndër më të dhembshurit; ai ka qenë pragu përtej së cilës mund të futeshe me zor për të bërë një të keqe më të madhe.

Në fakt, objekti i tyre nuk është bota që krijoi poeti ynë kombëtar. Objekti i tyre është ajo që të rëndon edhe më shumë dhe që të bën të jesh i bindur se, nëse do të ishim kthyer pas në kohë, këto do të ishin çensorët më të ashpër, në fakt do të ishin maja e mprehtë e diktaturës së proletariatit.

Disa nga këto kanë qenë drejtues të institucioneve të rëndësishme në pluralizëm dhe njëkohësisht kanë qenë më të bindurit në shtrembërimin e së vërtetës, në kapërcyellin e reales për hir të pushtetit medial dhe përfitimit financiar. Kanë qenë në një kohë ur mendimi nuk ishte i prangosur dhe, megjithatë, kanë dashur ta prangosin.

Tani, të mbledhur rreth një fakti të vetëm: ai nuk është më, pra Njeriu i shpirtit të tokës dhe i bukurisë njerëzore ka heshtur, ata mblidhen me kurajon e atij që kërkon të heqë edhe një cipëz nga e vërteta e shtrembëruar, për t’u shfaqur befas se në vitin 1989 apo në vitin 1990 këto paskan qenë krerët e liberalizmit dhe armiqtë më të rreptë të sistemit.

Në Shkodër, në janarin e vitit 1990, një grup të rinjsh, disa nga të cilët i kisha shokë fëmijërie, vendosën të hedhin bustin e Stalinit. Shkuan dhe ftuan një intelektual të qytetit dhe i treguan qëllimin. “Është qëllim fantastik dhe nga Shkodra duhet të fillojë, por tash, Stalini rrëzohet edhe me fill leshi”.

Këto pelegrinë të vonuar të shtetit të së drejtës, askushët e dikurshëm, kërkojnë të bëhen të gjithkundshmit e sotëm. Edhe mbi një që ende nuk është larguar fizikisht nga ne, por që ka lënë aq shumë pas nesh.

Dritëroin, Ismailin, Fatos Arapin, Nikolla Zoraqin, Çeks Zaden, Tish Dainë, Avni Mulën, Odhise Paskalin, Ferdinand Pacin, Sali Shijakun, Muntaz Dhramin, Shaban Hadërin, Xhevahirin, Moikomin, e një plejadë e tërë krijuese, sido që të vijë koha, ata nuk mund të mënjanohen e jo më të bien poshtë.

Ata, si Pushkini, me daltë ia kanë bërë vendin vetes dhe gjatë do të jenë për popullin të dashur.

Të mendosh për rrënimin e tyre është njëlloj si të mendosh për rrënimin e një perandorie të madhe. Asgjë nuk është më patetike dhe më shurdhane kur shurdhimi i së vërtetës predikohet nga ata që, me rënien e siparit të jetës së tyre, qoftë sa më vonë, nuk do të lënë asgjë pas, veç mllefit dhe, mllefi, si çdo hakërrimë nuk të mban në kujtesën e njerëzve.

Mjaft njerëz shpresojnë të fshijnë të gjithë të kaluarën, me gjithçka ka ajo dhe sidomos me perandorinë e artit.

Atëherë, cila do të ishte zanafilla e re?

Nuk mund të ketë kurrë një Zanafillë të krijuar nga mediokriteti dhe përbuzja për vlerat.

Nuk mund të ketë një zanafillë të re krijuar nga ata që kurrë nuk bënë diçka për të mbetur, në mos gur themeli, të paktën një gur i zakonshëm.

Dhe jo rastësisht më është kujtuar Betdold Brecht ne vargjet e mëposhtme:

Peshkaqenëve u shpëtova,

Ujqërit i vrara,

Më grinë pleshtat.

(Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …