leoni

Bedri Islami

Bedri Islami: LSI-ja është një forcë politike pa identitet politik, as e majtë as e djathtë, as e qendrës…

Tre muaj si sot shqiptarët do të dinë  se kush do i qeverisë në katër vitet e ardhshme. Nga njëra anë do të jenë qeveritarët e sotëm, dhe, përballë tyre një mori e pafund partish, partizash dhe deriçkash politike, të cilat do të shtyhen për ta rrëzuar atë, e pastaj, nëse ia dalin, për të rrëzuar njëra tjetrën.

Fushata, e filluar me dy mars të vitit të shkuar, përmes një mitingu të pamenduar elektoral presidencial, do të ashpërsohet në secilën nga 90 ditët e mbetura dhe përplasjet do të jenë të zhurmshme, të ashpra dhe të egërsuara. Si çdo herë kur diskutohet për pushtetin, çka do të thotë kur fjala është për zotërinjtë e tenderëve, të qarkullimit të duarve ku lëviz pasuria, nënshtrimit të shumicës, e cila, paradoksialisht është e detyruar të zgjedhë të keqen më të vogël. Asnjëherë, deri më tani, të mirën më të madhe. Një popull i rrënuar nga iluzionet e humbura nuk ka rrugë tjetër.

Sado që krahun më të ndjeshëm të opozitës e nxjerr Partia Demokratike, e cila ka një lider të emëruar dhe një tjetër të përhershëm, dhe, si duket përballja e tyre do të jetë më tepër në një rrafsh përplasjesh që duken e nuk duken, ajo që lëviz fuqishëm gjrat e nëndheshme në këtë përplasje qëndron tek simotra e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim, që, po ashtu ecën përmes dy liderësh; njerën të dukshme, agresive pa patur agresivitet, dukshëm e qëndrueshme pa dëshmuar qendresë – shembulli i shembjes së teatrit- dhe tjetri, po ashtu i dukshëm, agresiv deri në thelbin e agresivitetit, njohës i botës së nëndheshme më mirë se gjithë t tjerët dhe përdorues i saj në mënyrën më agresive të mundshme, që, edhe pse është deleguar nga e majta në selinë presidenciale, për të neutralizuar veprimet e tij, ai prej kohe e ka zhveshur shpatën.

Ndryshe nga Basha, lideri i opozitës, që betejën elektorale e merr lehtësisht dhe , pavarësisht tonit të ngritur të zërit në studio TV nuk ka asgjë tjetër që tëtremb, apo që mjaftohet me ofertën si të vitit 2017, Ilir Meta e di se humba e rradhës mund të jetë fundi i tij politik e ndoshta edhe përtej saj. Që herët, ndoshta që nga dita kur opozita vendosi budallshëm të largohet nga parlamenti dhe t’i çelë Edi Ramës të gjitha dritat jeshile, Ilir Meta e ka kuptuar se gjendja është shumë më serioze se mendohet tek shqupi politik dhe se, as qetësia përfituese e Bashës dhe as zemërimi digital i Berishës nuk mund të mbushë hendekun që do të krijohj nga humbja e rradhës.

Ai, më mirë se kushdo tjetër e di se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike pa identitet politik, pra, as e majtë e as e djathtë, as e qendrës dhe as e kërkujt, por është një lëvizje me prakticitet të theksuar, ku shpërblimi është gracka që bashkon shumë vetë dhe në të cilën përfitimi shtë moto e logo e partisë.

Një humbje e rradhës nuk do të sjellë atë që mendoet se ka ndodhur në këto katër vite: përgjysmimin e saj, por shaurjen e plotë dhe, nëse ndodh kjo, atij dhe njerëzve të tij i humb edhe ai imunitet i krijuar nga forca, pushteti, diktati dhe paraja.

Nëse Lulzim Basha, edhe në intervistën e fundit dha shenja, edhe pas një humbje të mundshme ka menduar të qëndrojë ende në krye të opozitës, për çka ka zgjedhur rreth vetes njerëzit e tij me pak identitet dhe dinjitet e duke larguar të kundërtët e tyre, Ilir Meta e di se ai e ka të mbyllur rrugën e tij politike, të cilën e filloi 30 vite më parë bashkarisht me zonjën Kryemadhi.

Ai e di se pasuritë e Bashës e kanë një alibi të ardhurash, ndërsa pasuria e tij është krejt e zbuluar, e afishuar si e tillë nga mendjelehtësia familjare dhe e bërë si një tabllo ku mund të gjuash gjithnjë.

Ilir Meta e ka seriozisht betejën e tij me Edi Ramën dhe me qeverinë Rama. Nëse më parë kishte një ndarje mes Ramës dhe një pjese të kabinetit, apo mes Rilindjes dhe së Majtës në përgjithësi, tani perdet janë ngritur, gjërat janë hapur krejtësisht, armët poltike janë nxjerrë dhe askush nuk e di nëse në rast të një humbje nuk do të nxirren edhe armë të tjera.

Paralajmërimet e presidentit, që më tepër duket si presdent në detyrë që është i gatshëm, në rast fitore, të kthehet në mnistër të brendshëm, nuk janë fishekzjarre dhe as tamnaja të zakonshme politike që bën thuajse çdo opozitë në botë. Ai i ka hedhur në erë të gjitha urat për një qetësim të gjendjes dhe kët e ka bërë me vetdije të plotë. E ka bërë se , më shumë se të tjerët, ai ndjehet i rrezikuar nga humbja, që mund të jetë jo vetëm fundi i karierës së tij politike.

Për Metën është jetike mposhtja më 25 prill e Edi Ramës. Dhe, në rast humbje, është jetik destabilizimi i të gjithë vendit, duke filluar që nga mosnjohja e zgjedhjeve, mosdekretimi i qeverisë, kthimi i sheshit para presidencës në një shesh metingjesh, nxjerrje në rrugë e metingashëve të opozitës, shumë nga të cilët dhjetë vite më parë ishin të gatshëm të ktheheshin në kamikazë, shumë nga të cilët mund t’i marrë hua nga Berisha.

Basha e di se prania e afërt e Metës në luftën elektorale e dëmton më shumë nga të gjithë vetë atë, dhe kjo, jo vetëm duke i hequr rolin e liderit në 25 prill, por edhe duke e delegjitimuar atë; jo vetëm duke e nxjerrë në pasvijën e politikës, por edhe duke e njësuar figurën e tij politike, të cilën këshilltarët e tanishëm po përpiqen ta sajojnë ndryshe nga të tjerët, me figurën e Metës, të cilin opozita e tashme e pranon si një e kqe e nevojshme për të rrëzuar ramën, dhe të cilin e ka demonzuar me plot pasion dhe vrull.

Qeveria nuk e ndal dot Ilir Metën dhe nuk synon ta ndalë. E ka lënë në fushëbetejën e tij dhe ka ndëtuar, krejt pranë tij, fushëbetejën e saj.

Të vetmit që tani ër tani mund të ndalojnë këtë përplasje të ashpër dhe kthimin e një institucioni në armë sulmuese janë institucionet ndërkombëtare, të cilat prej kohe, që kur kanë ndjekur sinjalet e ashpra, kanë dërguar paralajmërimet e tyre, që nuk do të jenë të fundit.

Përgjimet e fundit të mafias në Itali ku përmendet emri i tij ,apo i këshilltarit të tij kryesor, ia bëjnë edhe më të rëndë përballjen me Ramën, qeveria e të cilit , po ashtu, është temë e përgjimeve. Por, ndërsa e dyta, qeveria, ka disa atu ku mund të ndalet, ndër të cilat prurimet nga tërmeti do të jenë të vazhdueshme, Meta nuk ka se çfarë të paraqesë tjetër, veçse analistë pranë tij, pak të besuar për votuesit e majtë, disa njerëz të politikës, po ashtu jo të besuar për shkak të përdorimit të shumtë të tyre dhe, në fund, agresivitetin e tij, që nuk është i pamenduar.

Një sy i vemndshëm mund ta shohë lehtësisht se Edi Rama, ndërsa e trajton s gjë të përkohshme dhe me të cilin mund të merret vesh Lulzim Bashën, bën demonizimn e Ilir Metës me të gjitha bateritë e tij.

Sepse, edhe ai e di se lufta brenda llojit është gjithnjë e më ashpër.

Dhe ata, të dy, duke dalur nga i njëjti lloj, janë të gatshëm të përplasen deri në fund, ashpërsisht dhe, kësaj here, si duket, ende nuk janë rritur “ngjalat” që mund t’i bashkojnë. ( Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …